Ekskluzive për KultPlus: Flet djali me fanellë të kuqe në fotografinë e para 20 viteve me Bill Clinton

11 Qershor, 2019 - 10:55 pm

I kishte vetëm gjashtë vjet dhe në palcën e tij e kishte përjetuar luftën e Kosovës, pikërisht në fshatin e lindjes në Llashticë të Gjilanit.

Ai kujton tmerret e asaj kohe që pak shpresë kishte atëherë se do të mbijetonte. Ilir Ramushi tashmë 26 vjec kujton për KultPlus edhe braktisjen e fshatit bashkë me 1500 fshatarë, pas masakrave të shumta, djegies së fshatit dhe vrasjes së mbi 25 personave.

“Kur kanë hyrë serbët në fshatin tonë kanë vrarë edhe gjyshen time, gjyshja ime ishte vajza e heroit të madh Idriz Seferit”, ka thënë Ramushi.

Dhe nuk e kishte menduar se nga ajo vuajtje e madhe, ai një ditë do të takonte presidentin më të dashur amerikan për shqiptarët, Bill Clinton.

Ai bashkë me fshatarët e tij kishte shkuar në kampin e Stankovecit, dhe atë kamp e kishte vizituar presidenti i SHBA-ve, dhe pikërisht Iliri i vogël kishte fatin të kapte dhe të shtrëngonte për dore Bill Clinton.

“Është një ndjenjë e papërshkrueshme, një emocion që ndodhë vetëm një herë në jetë”, ka thënë Ilir Ramushi për KultPlus, i cili dha këto detaje për gazetën tonë para disa ditëve.

Tash si një ekonomist i diplomuar, ai shpreson që edhe të mërkurën ta takojë nga afër Bill Clinton, një njeri që shpëtoi popullin e tij, edhe pse, sipas tij, ai ka shpresuar që për këto 20 vite do të ndryshonte  Kosova me një hap më të madh.

Ilir Ramushi në fotografinë me Bill Clinton është bashkë me motrat e tij, sikurse edhe me fëmijët e tjerë që i ka familjarë të afërm. /KultPlus.com

Të ngjajshme