4 Shtator, 2025 - 9:22 pm
Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) dhe Cité internationale des arts (Parisi) njoftojnë rreth programit të ri të rezidencave për artistë të të gjitha disiplinave që jetojnë dhe punojnë në Kosovë. Ky partneritet i ri trevjeçar që synon të mbështesë shkëmbimet ndërkombëtare të artistëve me bazë në Kosovë, të zgjerojë rrjetet e tyre profesionale dhe artistike, si dhe të zhvillojnë tutje praktikat e tyre përmes mbështetjes për prodhim të veprave.
Tre artistë do të përzgjidhen përmes aplikimeve në thirrjen e hapur, të cilat do të shqyrtohen nga një juri e përbërë nga profesionistë të fushës së artit dhe kulturës bashkëkohore. Programi do të zhvillohet në dy faza: një ekspozitë grupore në GKK QAFA në Prishtinë (10 dhjetor 2025 – 9 shkurt 2026), e pasuar nga një rezidencë tre mujore që mbulon të gjitha shpenzimet në Cité internationale des arts në Paris në mars 2026.
Rezidenca do t’u ofrojë secilit artist një studio të mobiluar për të jetuar dhe punuar në lagjen Marais, bursë mujore, mbështetje profesionale dhe mundësi rrjetëzimi, si dhe mbulim të shpenzimeve të udhëtimit dhe sigurimit.
Në GKK QAFA, tre artistët do të prezantojnë punë të reja ose punë në zhvillim, të mbështetura me honorare artistike, buxhete prodhimi dhe këshillim kuratorial. Ekspozita do të kurohet nga Hana Halilaj, kuratore në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Programi është i hapur për artistë me kombësi kosovare, që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, me së paku tre vite përvojë profesionale në fushën e arteve. Aplikuesit duhet të jenë në gjendje të komunikojnë në gjuhën angleze ose frënge. Pranohen edhe aplikime nga duo ose kolektivet, me një grant të dhënë për çdo propozim.
Ky program përfaqëson një vazhdimësi të angazhimit të Galerisë Kombëtare të Kosovës në mbështetje të skenës së artit vizual në vend. Ai është pjesë e ndryshimeve strukturore të ndërmarra vitet e fundit, të cilat kanë synuar ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe krijimin e hapësirave të reja për zhvillimin e skenës artistike, me një fokus të veçantë tek artistët e rinj.
Afatet kryesore:
Afati i aplikimit: 4 – 30 shtator 2025 (deri në mesnatë, GMT +1)
Shpallja e rezultateve: Java e dytë e tetorit 2025
Periudha e rezidencës: Mars 2026 (3muaj)/ KultPlus.com