Ka nisur Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

14 Gusht, 2017 - 1:27 pm

Drejtori i Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Rrahman Paçarizi, tha se e veçanta e këtij viti është se ka pasur një interesim të madh të brezave të mërgatës për të qenë pjesë e seminarit.

Ai këto komente i bëri me rastin e hapjes së seminarit 36 për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku ishin të pranishëm përfaqësues universitarë, albanologë dhe studentë nga vende të ndryshme të botës, të cilët gjatë dy javëve do ta mësojnë gjuhën shqipe përmes kurseve intensive.

Paçarizi është shprehur se fatkeqësisht nuk ka kapacitet për të përmbushur kërkesat e gjithë atyre që dëshirojnë të jenë pjesë e programit.

“Ju ftojmë ta mësoni letërsinë shqipe dhe ta mësoni kulturën shqipe”, u shpreh ai.

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami është shprehur se është obligim i Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës që të përkrahin albanologët.

“Ky seminar do të ndikojë në internacionalizimin e albanologjisë”, tha ai.

Nita Rugova, dekane e Fakultetit Filologjik, u shpreh se e tërë Prishtina i gëzohet ardhjes së seminaristëve të huaj.

“Ky seminar është një rrugëtim i vështirë në kërkim të zhvillimit akademik, një tubim i lartë shoqëror që ka arritur të bëhet institucion. Dhjetëra studentë i kemi shkëmbyer falë këtij seminari”, tha ajo.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht. Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e pesë sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme