1 Shtator, 2025 - 3:52 pm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes rrjeteve sociale ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të regjisorit të madh shqiptar, Dhimitër Anagnosti.
Në mesazhin e tij, Kryeministri Kurti ka theksuar rolin e jashtëzakonshëm që Anagnosti ka pasur në zhvillimin e kinematografisë shqiptare, duke e cilësuar atë si një nga regjisorët më të pjekur dhe më të rëndësishëm të historisë së filmit shqiptar.
“Regjia e tij është pa dyshim një ndër më të pjekurat e historisë së kinemasë shqiptare. Falë regjisë së tij ne trashëgojmë një fond të vërtetë stilistik. Falë lojës me kamerën e ndriçimin, në filmat “Dueli i heshtur” dhe “Malet me blerim mbuluar” na mbetën në mendje portretet më të mirë të yjeve tanë të kinemasë. Lartësinë e bjeshkëve dhe ashpërsinë e virtytit e zbuluam në “Cuca e maleve” dhe “Gjoleka, djali i Abazit”. Dramaturgjinë e lartë të skenës do ta trashëgojmë me filmin monument “Lulëkuqet mbi mure”, ka shkruar Kurti.
Ai ka vlerësuar gjithashtu kontributin e Anagnostit jo vetëm si artist, por edhe si personalitet i shquar publik, duke përmendur angazhimin e tij si deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ku ai dëshmoi maturi dhe virtyt në çdo detyrë që mori përsipër.
Në fund të mesazhit, Kryeministri i Kosovës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e regjisorit, miqtë dhe kolegët e tij, me një përmendje të veçantë për bashkëshorten, aktoren e njohur Roza Anagnosti. Ai ka përfunduar duke nënvizuar rëndësinë e trashëgimisë artistike që Anagnosti ka lënë pas dhe rëndësinë e kujtesës së tij për brezat e ardhshëm./KultPlus.com