KultPlus bashkoi gratë e fuqishme të vendit: Kosovën asnjëherë më mirë nuk e ka gjetur 8 Marsi

8 Mars, 2020 - 11:07 pm

Rreth orës 18:00 në KultPlus Caffe Gallery kanë arritur shtatë gratë më të fuqishme të Kosovës, të cilat udhëheqin me institucionet e shtetit. Emra eminent nga fusha e kulturës, gra udhëheqëse të bizneseve dhe të Shoqërisë Civile, ishin pjesë e kësaj hapësire, ku KultPlus së bashku me Un Women kishin organizuar ndejën në nderë të 8 Marsit, shkruan KultPlus.

Nikoqirja e mbrëmjes, Ardianë Pajaziti, kryeredaktorja e KultPlus po priste me radhë gratë udhëheqëse duke filluar nga: Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, nënkryetare e këtij institucioni, si dhe pesë ministret gra: Albulena Haxhiu, Rozeta Hajdari, Hykmete Bajrami, Emilija Rexhepi dhe Vlora Dumoshi, të cilat këtë kohë kishin ndarë që ta ndanin me gratë artiste, të bizneseve dhe të Shoqërisë Civile, për të treguar gatishmërinë e tyre për fuqizimin e  gruas në fusha të ndryshme.


“Ne jemi të lumtur që KultPlus vazhdon të mbetet si pika kryesore e kryeqytetit ku mblidhen gjithë artistët,  dhe njëkohësisht po shërben si shtysë që të ofrohen projekte dhe ide të reja për tu realizuar”, tha fillimisht redaktorja e KultPlus Jeta Zymberi, e cila edhe e moderoi këtë mbrëmje.

Kurse drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, pasi falënderoi të gjithë të pranishmit theksoi pikën që e dallon këtë festë nga ato paraprake.


“Kosovën asnjëherë më mirë se sivjet nuk e ka gjetur festa e 8 Marsit. Kemi udhëheqëse në krye të institucioneve të Kosovës, këto shtatë gra që kanë një mision shumë të vështirë, por me një vullnet të madh ne besojmë se do të kemi një suksese dhe një dimension shumë të fuqishëm në raport me gruan”

Tutje, Pajaziti tha se gratë nuk kërkojnë epërsi, gratë kërkojnë barazi.

“Gratë nuk kërkojnë epërsi, gratë kërkojnë barazi në fushat të cilat udhëheqin. Andaj, këto gra që udhëheqin si artiste, si gra në biznes dhe në Shoqëri Civile besojnë në mbështetjen e kësaj udhëheqsie, sidomos nga këto ministri që udhëhiqen nga gratë”, ka thënë Pajaziti, para të pranishmëve, të cilët ishin në numër të madh.

Kurse drejtoresha e UN për Kosovë,  Ulrike Richardson, falënderoi KultPlus për organizimin e kësaj ngjarjeje.

“Mendoj se është një takim i fuqishëm ky sonte, një takim i grave të fuqishme. Dua ta falënderoj KultPlus për këtë organizim. Të gjitha gratë, në veçanti ato të fuqishme, duhet ta mësojnë një gjë: ta përkrahin njëra-tjetrën”, ka thënë  Richardson.


Kurse kryeparlamentarja Vjosa Osmani, duke falënderuar organizatorët: Ardianë Pajazitin, Vlora Nushin dhe Ulrike Richardson, është shprehur të jetë e lumtur që është pjesë e kësaj mbrëmje.



“Më shumë se sa të flas për punën tonë, në fakt dua të ju falënderoj secilën prej jush, sepse secila prej jush shkëlqeni në fushat tuaja. Keni thyer barriera të jashtëzakonshme”, ka thënë Vjosa Osmani, e cila për fund ka thënë se gratë duhet ti bashkojnë forcat, sepse, sipas saj,  kurrë gratë në Parlamentin e Kosovës nuk kanë arritur synimet, pa u bashkuar me njëra-tjetrën.

Nënkryetarja e Parlamentit Arbërie Nagavci tha se pozitat e tyre janë obligim dhe mundësi për krijimin e kushteve të barabarta. “Unë besoj që secila grua është e suksesshme në punën që bënë. Unë pozicionet tona i shoh si mundësi dhe obligim që të punojmë e të krijojmë mundësi për sa më shumë vajza e gra, djem e burra që të kenë mundësi të barabarta për të gjithë”, ka thënë ajo.

Kurse ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami ka shprehur mirënjohjen e saj gjithëpërfshirëse.

 “Në fakt, unë sot kisha dashtë që të ngremë dolli për të gjitha ato zonja që nuk janë në pozicionin tonë dhe tuajin, sepse mendoj se ka plotë të tjera, po kaq të mençura, po kaq trimëresha , po kaq të vyera, por nuk kanë pas mundësinë të jenë pjesë e kësaj shoqërie ku jemi sot. Unë besoj se edhe ato janë gra me fuqi”, ka thënë ministrja Bajrami.

Kurse ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, tregoi për drejtimet ekonomike ku dëshiron ti shoh gratë dhe vajzat.

 “Pres të shoh më shumë inxhiniere, jo vetëm mësuese dhe pedagoge, sepse arsimi profesional është shumë i rëndësishëm për punësimin dhe zhvillimin e ekonomik të vendit”, ka thënë ajo.

Kurse ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmendi specifikisht punën e saj në raport me gratë, teksa shprehu edhe një dëshirë në raport me trashëgiminë.

 “Së bashku me Kryetaren e Parlamentit i kemi thënë ministrit të financave, se s’ka buxhet pa një linjë të veçantë për strehimoret për gra. Ka edhe shumë çështje tjera që duhet të punojmë. Unë mendoj se gratë nuk duhet të kenë të drejtë të heqin dorë nga trashëgimia”, ka thënë Haxhiu, e cila është shprehë se është duke punuar në këtë drejtim.

Në këtë mbrëmje foli edhe ministrja e Ministrisë së Administratës Publike, Emilja Rexhepi e cila ka folur poashtu për rnëdësinë e gruas në shoqërinë kosovare, duke potencuar përfshirjen e gruas në shumë segmente te shoqërisë, kurse ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, e nisi fjalimin me një falënderim për gratë që kanë kontribuar në fushën e kulturës.

“Jam shumë e nderuar që jam këtë, këtu kujtoj të gjitha ato gratë që kanë krijuar këtë bazament sidomos në fushën e kulturës”, tha Dumoshi, e cila vazhdoi të specifikoj se të jetosh në Kosovë si grua, nënkupton të thyesh barriera.

“Unë së pari si grua, si nënë e dy djemve jam krenare që i kam thyer të gjitha barrierat edhe pse ka qenë një rrugë shumë e vështirë sepse kam jetuar në Kosovë”, ka thënë ministrja Dumoshi, duke shtuar se asgjë nuk është e pamundur kur punon me përkushtim dhe vullnet.

Përderisa në emër të UN Women ka falënderuar Vlora Nushi, ndërkohë drejtoresha e KultPlus Ardianë Pajaziti ka ftuar për një dolli me gratë prezentë, duke uruar që të ketë një ngritje të përfshirjes së gruas në fusha të rëndësishme të shoqërisë.  Më pas, shtatë gratë e institucioneve të Kosovës, u takuan me gratë e pranishme në KultPlus Caffe Gallery, me të cilat biseduan veç e veç për bashkëpunimet dhe mbështetjen e këtyre grave në fusha të ndryshme.

Falënderojmë mbështetësit e kësaj mbrëmje: Meridian, Fluidi dhe Stone Castle. /KultPlus.com

Të ngjajshme