Kurti kujton me krenari dhe respekt delegatët nënshkrues të 2 korrikut 1990

2 Korrik, 2022 - 7:30 pm

Në 32 vjetorin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, kryeministri Albin Kurti ka thënë se 32 vite më parë triumfoi legjitimiteti popullor i vullnetit qytetar mbi legalitetin shtypës të Serbisë.

Kurit përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook” ka shkruar se më 2 korrik të vitit 1990, përmes Deklaratës Kushtetuese u shpall Republika e Parë e Kosovës.

“Në kushtet e represionit të pushtetit të Serbisë, delegatët u mblodhën jashtë dyerve të Kuvendit, meqë nuk lejoheshin të hynin brenda. 32 vite më parë triumfoi legjitimiteti popullor i vullnetit qytetar mbi legalitetin shtypës të Serbisë”, ka shkruar Kurti.

“Deklarata Kushtetuese u nënshkrua prej 114 delegatëve nga shumica shqiptare e pakicat boshnjake e turke. Kjo deklaratë ishte akt i vetëvendosjes politike dhe artikulim i qartë i vizionit e vullnetit politik të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi. Që ky vullnet të bëhet realitet u bënë shumë sakrifica e flijime, shumë punë e angazhim”.

“Me krenari e respekt kujtojmë delegatët nënshkrues, ata që janë mes nesh dhe ata në përjetësi. I paharrueshëm është kujtimi për ta dhe veprën e tyre”, ka shkruar ai.

Më 2 korrik 1990 u miratua Deklarata Kushtetuese – gurthemel i pavarësisë së Kosovës. Miratimi i kësaj deklarate ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe ndër shqiptarët dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. /KultPlus.com

Të ngjajshme