Mirëpritet në Gjenevë premiera e filmit “Luaneshat e kodrës”

29 Prill, 2022 - 9:20 am

Publiku artdashës e ndoqi me vëmendje filmin i cili është një bashkëprodhim i Kosovës me Francën.

Me duartrokitje dhe entuziazëm është pritur të enjten mbrëma regjisorja, skenaristja dhe njëherësh aktorja Luana Bajrami, e cila solli premierën e filmit “ Luaneshat e kodrës” në  kinemanë Grütli në  Gjenevë, raporton albinfo.ch.

Publiku artdashës e ndoqi me  vëmendje filmin i cili është një bashkëprodhim i Kosovës me Francën.

Ky film i metrazhit të  gjatë ka “sjellë” në sallë rininë kosovare dhe ka shpalosur “ulërimat” e tri vajzave të  cilat dalin nga monotonia e përditshmërisë  në  jetën e tyre dhe fillojnë t’i ngjallin shpresat për një  jetë  ndryshe, për liri dhe shpërthim rinor, diku larg vendit ku jetojnë.

Në  kodrën e një fshati të Kosovës ku ato rriten ballafaqohen me probleme sociale në familjet e tyre, të  cilat në thelb kishin të njëjtën mendësi. Ato vazhdimisht refuzojnë  të jetojnë brenda kornizave të atij mentaliteti.

Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani janë  aktoret të  cilat me shumë  profesionalizëm përjetësojnë në mënyrë të  jashtëzakonshme personazhet kryesore të  këtij filmi, me emrat: Qe, Li dhe Jeta. Këto shohin se si ambiciet e tyre po fillojnë  të  shkatërrohen dhe shuhen. Atyre ju dështon ëndrra për tu pranuar në  universitet dhe pas kësaj tentative, atyre “u mbetet” vetëm një zgjidhje: formimi i një  të ashtuquajtur bande, e cila nis nga një  ulërimë  shpërthyese shpirtërore e luaneshave të  kodrës.

Regjisorja, Luana Bajrami

Përgjatë filmit shfaqen edhe dy personazhe tjera Lena (e cila luhet nga Luana Bajrami) dhe Zemi (Andi Bajgora). Roli i tyre në  këtë  film ngërthen dy tematike të  rëndësishme për rininë , dashurinë  dhe lirinë  për lëvizje. Këto dy tema shfaqen përmes Lias dhe Zemit, dashurisë  së tyre të çiltër dhe pasionante, ndërsa Lena portretizon një  vajzë  e cila jeton në  Francë dhe vjen në  pushime në këtë  fshat. Aty, përmes saj ngjallen diskutime rreth lirisë së lëvizjes jashtë  shtetit. Pikërisht këtë e vuajnë luaneshat e kodrës, pamundësinë e një jetë që mund ta bëjnë si t`ua dojë qejfi.

Drama kryesore në këtë film zhvillohet pas vendimit të vajzave bashkë me Zemin, për të  bërë diçka ndryshe dhe fshehurazi. Ata fillojnë të grabisin lokale dhe nga kjo nisin një jetë të çthurrur, shkruan albinfo.ch. Pas disa grabitjeve ato fitojnë shumë para përmes të  cilave vendosin t’i shijojnë  momentet e tyre duke jetuar në  një  shtëpi të pabanuar po që për ta ishte strofulli i lumturisë, dashurisë dhe qetësisë.

Ato gjithashtu vendosin të ikin nga fshati për t’u arratisur drejt detit, i cili për to simbolizon lirinë dhe kënaqësinë. Nga ndjenja e çlirimit lind edhe dashuria mes personazheve, Qe-së  dhe Jetës. Kjo i jep filmit një  frymë të  re, të  fuqishme dhe një  zjarr nga bota e larmishme rinore.

Nisur nga kjo atmosferë mund të pritej që filmi të kishte një  fund të  lumtur, por vajzat vendosin të kthehen në  kodër. Siç thuhet edhe në film gabimi më i madh i tyre ishte ky “kthim në  ferr”. Filmi mbyllet me një sekuencë ku vajzat paraqiten të mbuluara me gjak dhe kjo lë të kuptohet shpërthimi i zemrave të  tyre nga dhimbja për shuarjen e ulërimave të këtyre luaneshave.

Në sallën e kinemasë doli para publikut regjisorja, Luana Bajrami e cila zbuloi që inspirimin për të realizuar këtë film e ka  gjetur pikërisht në fshatin ku është xhiruar filmi, sepse ajo aty ishte rritur dhe i njihte nga afër ndjesitë e të rinjve nga ai rreth shoqëror.

Gjatë pyetjeve dhe diskutimit, ajo është shprehur se e veçantë në këtë kontekst ishte se pjesa më  e madhe e skenarit ishte shkruar dhe realizuar gjatë xhirimeve, duke e bërë të ditur kështu se shumica e skenave ishin spontane dhe kishte një  energji të mirë  mes aktorëve dhe gjithë  ekipit, shkruan albinfo.ch.

Në sallë, veç të tjerëve ishin edhe disa shikuese kosovare të cilat thanë që kanë gjetur veten e tyre në disa pjesë të  filmit që lidheshin me jetën jashtë Kosovës, shkruan albinfo.ch. Pjesë e kësaj është, sipas tyre edhe pyetja e famshme që u bëhet mërgimtarëve në atdhe: “a më mirë  ketu a atje?” si dhe dallimi i mundësive për të rinjtë që jetojnë në Kosovë në krahasim me ata që  jetojnë dhe shkollohen në  diasporë.

Regjisorja Luana Bajrami ka falënderuar  publikun për komplimentet dhe kritikat që mori. Filmi do vazhdoj të  shfaqet për publikun e gjerë gjatë muajit maj në shtëpinë e arteve Grütli. /albinfo/ Alisa Buzhala /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme