5 Gusht, 2025 - 12:40 pm
Festivali Sunny Hill e mbylli natën e fundit me një shpërthim energjie dhe muzike elektronike, falë një prej emrave më të spikatur të skenës ndërkombëtare, Peggy Gou. Performanca e saj jo vetëm që ngriti në këmbë mijëra të pranishëm në skenën C4, por edhe la një jehonë të veçantë që do të mbahet mend gjatë.
E njohur për stilin e saj të veçantë si DJ dhe producente, artistja me origjinë koreano-jugore ofroi një set hipnotizues, me ritme që depërtuan deri në palcë dhe një prezencë skenike që rrëmbeu publikun që nga momenti i parë. Momenti kulmor i mbrëmjes erdhi me “(It Goes Like) Nanana”, kënduar në kor nga të gjithë të pranishmit, nën shiun që vetëm shtoi intensitetin e përjetimit, transmeton KultPlus.
Por ishte reagimi i saj pas performancës që rrëmbeu vëmendjen dhe zemrat e publikut. Në një postim në Instagram, Peggy shkroi:
“Uau, Kosovë! @sunnyhillfestival është hera ime e parë këtu, çfarë turme! Faleminderit që vallëzuat në shi, faleminderit familjes Lipa për ftesën.”
Kjo performancë dhe ky reagim i Peggy Gou janë një dëshmi më shumë e ndikimit që Sunny Hill Festival ka fituar në nivel ndërkombëtar, jo vetëm si një platformë për artistë të mëdhenj, por si një përvojë e paharrueshme për ta. Prishtina nuk ishte vetëm një ndalesë në turin e saj, ishte një kujtim i gjallë, i denjë për një “Uau, Kosovë!” që mbeti në mendjet e të gjithëve./KultPlus.com