Reportazh: Përmeti, një udhëtim në qytetin ku të presin si mbret

22 Tetor, 2018 - 7:00 pm

Nga Sejdo Harka

Përmeti, ose siç njihet ndryshe qyteti i trëndafilave, është sa i lashtë aq dhe i ri, që së largu duket sikur përherë mban veshur vellon e nusërisë. Brenda kontureve dhe shpirtit të qytetit, sa real aq dhe metaforik gjallojnë vlera dhe bukuri të paçmuara si besa dhe urtësia, paqja dhe liria, guximi dhe trimëria, toleranca dhe mikpritja, kultura dhe mençuria, cilësi e virtyte që janë gdhendur në shekuj, në luftë me varfërinë, me shkatërrimin dhe egërsinë, me skllavërinë dhe përçmimin, me cinizmin dhe vetminë, me thashethemnajat, grindjet dhe me hakmarrjen e mërinë. Emri i mirë i Përmetit dhe përmetarit i ka kapërcyer me kohë kufijtë e trojeve tona. Kudo që ndodhesh, sapo njerëzit mësojnë se je përmetar, ndalin për një çast dhe të thonë me respekt:”Përmeti mbi gjithçka ka njerëz të mirë”. Fjalë të mira për Përmetin dhe përmetarët kanë shprehur edhe personalitete të shquar si; Fan Noli dhe Faik Konica. “Përmeti”, shkruante në ato kohëra Edit Durham, “me qiparisat e lashtë, dushqet e purpurtë, gjelbërimin pranveror dhe njerëzit e mbrekullueshëm, m’u duk një nga vendet më të bukura të botës”. Bukurinë e shpirtit dhe mikpritjen e rrallë të përmetarit e gjen edhe në sentencën sa proverbiale, aq dhe popullore: ”Kush shkoi mik në Përmet, dhe s’e pritën porsi mbret”! Për ta njohur lexuesin me disa nga vlerat njerëzore, historinë, kulturën dhe bukuritë natyrore të Përmetit, më poshtë po ndalemi në përshkrimin e një bashkëbisedimi të ngrohtë me njerëzit dhe natyrën e rrallë të atyre anëve.

Pak histori

Emri më i lashtë i këtij qyteti është “Trifila”. Ndërsa emrin e sotëm, Përmeti e ka marrë nga prijësi i këtij qyteti që quhej Premti, i cili sipas legjendës, për të mos rënë në duart e armiqve, u hodh nga Guri i Qytetit. Përmetin po ta vështrosh nga maja e Kiçokut i ngjan një gjashtëkëndëshi gjigand, rrethuar nga vargmale të bukura. Në të majtë qëndon si një gjerdan i blertë vargmali Kiçok-Taroninë-Qarrishtë-Dangëlli, që shtrihet deri në lartësitë e Postenanit, mbuluar nga pyje e livadhe të mbuluar me gjelërim. Ndërsa në të djathtë lartësohet vargmali i ashpër e hijerëndë Trebeshinë –Dhëmbel- Nemërçkë, me majën më të lartë Papingun 2485m.Hapësira mes këtyre dy viganëve gjigandë i ngjan një deti shumngjyrësh, në thellësitë e të cilit duket sikur lundrojnë Lugina e Vjosës, dhe ajo e Zallit të Dëshnicës. Ndërsa në këmbët e kodrinave të bukura dhe maleve të ashpër shtrihen dhjetëra fshatra, që edhe pse kohët e fundit disa prej tyre janë rrënuar ia shtojnë bukurinë. Përmes historiografisë turke mësojmë se Përmeti, si lokalitet e qendër komerciale ka lulëzuar që në shekullin VI-VII. Ndërsa si qendër administrative , qyteti është krijuar në shekullin XV. Ai shtrihet në Juglindje të vendit me një sipërfaqe prej 938 km.katrore dhe një vijë kufitare prej 200 kilometër të gjatë, nga të cilat 16 kilometër janë kufij lumorë. Në territorin e Përmetit janë gjetur shumë gjurmë të vazhdimësisë ilire: enë, objekte, emra vendesh e rrënoja kalash, si ajo e Këlcyrës dhe e Petranit, të cilat datojnë në shek.III-II p.e.r. Në vitin 1432 Përmeti ka patur vetëm 42 shtëpi, ndërsa në vitin 1930 numëroheshin rreth 140 shtëpi me 3000 banorë. Sot qyteti i Përmetit ka 13 mijë banorë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai u dogj dhe u përmbyt katër herë.

Përmeti, aty ku lindën emrat e mëdhenj

Ky qytet është e vërtetë që për shkaqe objektive dhe subjektive mbetet një nga qytetet më të vogla të vendit, por me mundësi dhe vlera të mëdha. Ai është djepi i lindjes së fidanishtes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në ballë të panteonit përmetar qëndrojnë: Naimi, poeti i madh dhe bilbili i gjuhës shqipe, të cilit populli i këndon ”Naim Shqipëria…”, diplomati mendjemprehtë Abdyl Frashëri, poliedriku Mitat Frashëri dhe ideologu i Rilindjes e parashikuesi i Shqipërisë së sotshme dhe të ardhshme, Sami Frashëri. Përmeti është vendi i heronjve dhe luftëtarëve të tillë si; Kamber Bënja, që për mbrojtjen e monomenteve të kulturës shqiptare, u ndesh dhemb për dhemb me dorën grabitqare austro-hungareze; vendi i internacionalistit Musa Fratari që dha jetën për mbrojtjen e lirisë së popujve të botës, vendi i luftëtarëve dhe atdhetarëve të shquar:Meleq Gosnishti e Riza Velçishti, Nexhip Bënja e Vangjel Gjika, Ahmet Kajca, Hajredin Tremishti dhe Mendu Zavalani;vendi i klerikëve dhe luftëtarëve të rrallë për liri, Baba Alushi dhe At Stath Melani. Përmeti lindi dhe rriti burra të shquar si Sejfulla Malëshova dhe Ymer Dishnica, që ëndërruan dhe luftuan për një Shqipëri të lire dhe të zhvilluar. Nga këto anë dolën artistë, shkrimtarë dhe dijetarë e studiues të njohur si; Tefta Tashko Koço, Mentor Xhemali, Nonda Bulka, Kasëm Trebeshina, Kristo Frashëri, Androkli Kostollari, Mentor Përmeti, Sherif Bundo, Vasil Tole, Agron Xhangolli,Përparim Hoxha… Një nga talentet e rralla të kulturës popullore përmetare ka qenë dhe mbetet edhe klarinetisti virtuoz Laver Bariu, fama e të cilit i ka kapërcyer kufijtë e trojeve shqiptare. Ja ç’na tregon për famën e tij nëpër botë, aktori i njohur përmetar Pandi Duka:”Kur shkuam në Athinë, të ftuar nga Instituti ”Dora Statis”, për të marrë pjesë në Festivalin e këngës poullore greke, në të cilin konkurronin 3500 këngëtarë, drejtori i këtij festivali, sapo dëgjoi klarinetën e Laverit tha i mahnitur: ”Ky qenka një artist i madh! Besoj se do të jetë bërë milioner. Ndërsa, kur unë i thashë se ky usta i madh, jo vetëm që nuk është milioner, por ndoshta njeriu më i varfër në ato anë,sepse gati tërë jetën ka punuar roje, ai u habit. Me që koncerti do të vazhdonte gjithë natën, iu lutëm Laverit që të mos pinte atë ditë, por ai, në fakt bëri të kundërtën, sepse siç thoshte dhe vetë, fuqinë dhe ëmbëlsinë klarinetës së tij ja jepte avulli i ngrohtë i rakisë përmetare, që zakonisht e mbante me vete. Ishte ndoshta “kjo pije magjike”, që e bëri usta Laverin, të shoqëruar nga instrumentistët dhe këngëtarët më të mirë të Përmetit, jo vetëm të shoqërohet nga ovacione dhe duartrokitje të fuqishme, por dhe të mbulohej me para, aq sa ai nuk i kishte parë as në ëndërr. Ata që e bënin me krahë Laverin, ishin këngëtarët dhe instrumentistët e rrallë: “Lefter Nurka, Sulejman Lame, Xhelal Zeqiri, Llazo Vangjeli, Jorgo Çulli, Ilia Nasi, Donika Pecani, Anastas Naqe, dhe dy vëllezrit virtuozë Curri, me të cilët e ndau vetëm vdekja. Përmetarët kanë qenë ndër të parët që kanë përkrahur dhe mbështetur lëvizjet atdhetare dhe patriotike si; Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një degë e së cilës u krijua në Frashër, që në korrik të vitit 1878, nga Baba Alushi, me inisiativën e ndihmesën e A.Frashërit. Ata janë dhe shumë arsimdashës, shkollën e parë plotore me 7 klasë e çeli me shpenzimet e tij patrioti i mërgatës së Vjenës, Zoto Pano Duro.Nga dyertë e shkollave të Përmetit kanë dalë nxënës,studentë dhe intelektualë të përgatitur, që me aftësitë dhe talentin e tyre kanë spikatur në shumë fusha të jetës, jo vetëm brenda por dhe jashtë kufijve tanë.

Qyteti që Zoti e bekoi me bukuritë e natyrës

Përmeti, për shkak edhe të pozicionit gjeografik është vërtet një vend me natyrë të begatë. Në trojet e tij fatmirësisht gjenden edhe shumë monumente natyrore e njerëzore si: Guri i Qytetit dhe Bredhi i Hotovës, Gryka e Këlcyrës dhe Ujët e Zi, ujrat kuruese të Bënjës dhe Kanionet e Langaricës, Shpatet e thyera të malit të Dhëmbelit dhe Vrima e Cilikojkave. Por edhe kisha, xhami dhe teqe të lashta si ajo e Shën Mërisë, Leusës dhe teqeja e dëgjuar e Alipostivanit, të cilat ruajnë brenda tyre vlera dhe mundësi të mëdha ekonomike, shpirtërore, turistike, kuruese dhe qetësuese. Përmeti ka florë dhe faunë të pasur. Aty rriten, mblidhen dhe tregtohen bimë të rralla mjekësore si dëllinja e kuqe, mëllaga, lulkuqi, trëndafili i egër, sherebeli, kamomili, rozmarina, çaji i malit, etj. Në hapësirat e ndryshme të Përmetit rritet një shumllojshmëri kafshësh dhe shpendësh të egra si dhelpra e lepuri, kaprolli e dhia e egër, ujku dhe ariu i murrmë, që kryesisht rritet në pyjet e Bredhit të Hotovës. Rrethi i Përmetit është i pasur dhe me një shumëllojshmëri shpendësh të egra si pëllumbi, thëllëza, skifteri, shqiponja, dhe një shumllojshmëri peshqish lumorë si; qefulli, levreku, ngjala, krapi, etj. Për arsye të klimës së përshtatshme dhe ujit të bollshëm, sidomos në lugina Përmeti ka mundësi të mëdha për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë. Por politikat e gabuara të qeverive të ndryshme kanë bërë që këto mundësi,veçanërisht në zonat malore dhe kodrinore gati janë shumëzuar me zero. Dëshpërohesh thellë, kur sot sheh fshatra të tëra, gati të braktisur tërësisht, ku në vend të njerëzve punëtorë dhe prodhimeve të bollshme, sheh vetëm shtëpi të rrënuara dhe ferra e gjëmba që u kanë zënë frymën. Kalon përmes fshatrave të Dëshnicës dhe në mendje të vijnë disa pyetje: “Ku është ai det hardhish që me lastarët dhe rrushtë e tyre të bollshëm,ngrohte jo vetëm kadet e verës e rakisë,por dhe lisat që sot e ndjejë veten fillikat. Frut i hidhur i politikave të gabuara që u ndoqën për fshatin, janë shkatërrimi i çdo gjëje, edhe i rrugëve e shkollave, edhe i rezervuarëve e kanaleve vaditëse madje bile edhe i qendrave shëndetësore e tubacioneve të ujit të pishëm, gjë që solli largimin e detyruar, dramatik e tepër masiv edhe të njerëzve, që ndoshta i kishin mundësitë dhe dëshirën ta ndërtonin atje të ardhmen e jetës dhe të ekonomisë së tyre. Qeveria,kohët e fundit edhe në rrethin e Përmetit, për ripërtëritjen e jetës, ekonomisë dhe vlerave turistike të fshatrave, ka përcaktuar për të bërë model tre prej tyre.Por, për zbatimin e këtij projekti,qw tani pafilluar puna, janë bërë skeptikë edhe shumë përmetarë. Prandaj shpesh ata pyesin njeri-tjetrin:Kjo qeveri e ka seriozisht zbatimin e këtij projekti, apo është shaka e radhës, që qeveritë hedhin në prag të zgjedhjeve elektorale?! A mund të zgjidhet problemi i zhvillimit të fshatit dhe turizmit në rrethe, me 2-3 fshatra, të ashtuquajtur turistikë?!Sa vjet do t’u duhen qeverive, që të vënë në rrugën e zhvillimit të drejtë të gjitha mundësitë dhe resurset natyrore të fshatrave dhe zonave, që sot fatkeqësisht janë braktisur nga njerëzit, sepse kanë munguar vëmendja dhe projektet serioze të qeverive të ndryshme.?!…Të gjitha zonat e fshatrat e rrënuar barbarisht e ndjejnë nevojën e ndihmës së shtetit për ndërtimin e rrugëve dhe ripërtëritjen e bujqësisë, pemtarisë e blegtorisë. Njerëzit kërkojnë që jo vetëm të planifikohen fonde e subvencione, por dhe të kontrollohet me rigoriozitet efektiviteti i tyre për ndërtimin e rrugëve dhe zhvillimin e turizmit, bujqësisë dhe blegtorisë.Njw shwmbull i rrallw pwr rimwkwmbjen dhe moderrnizimin e fshatit ka bwrw dhe vazhdon tw bwjw çifti shqiptaro-francez Elona –Maxhid,tw cilwt vinw nga Franca moderrne nw Ballaban të Përmetit, për të ndërtuar një fermë modeste shpendësh dhe kafshësh, për t’u trguar jo vetëm përmetarëve,por dhe gjithë shqiptarëve se, me punë e vullnet, edhe këtu mund të jetohet bukur.

Për hir të së vërtetës, vitet e fundit në rrethin e Përmetit janë bërë ndryshime të dukshme. Sapo hyn në Grykën e Këlcyrës, të bie në sy bukuria dhe standartet e larta të dy rrugëve kryesore që e përshkojnë atë mespërmes, si; Këlcyrë –Përmet dhe Këlcyrë-Ballaban. Kalon urën e Përmetit dhe menjëherë të bie në sy një pastërti dhe gjelbërim i rrallë. Edhe pse është kulmi i vapës, një fllad i këndshëm, që herë duket sikur zbret nga lartësitë e Dhëmbelit dhe herë nga lulishtet e sokakëve e barçeve karakteristike përmetare, të mbrekullon. Më tej të shfaqet përpara shëtitorja dhe sheshi i ri i qytetit, që ndrijnë nga mozaikët e ndërtuar me gurë shumëngjyrësh, i cili darkave gumëzhin nga zhirot tradicionale dhe bisedat e ngrohta të qytetarëve. Në të majtë të shëtitores ngrihet një monument, sa madhështor, aq dhe i trishtueshëm, mbi pllakatën e të cilit fiksohet ndoshta një nga ngjarjet më të dhimbshme për Përmetin: ”9 Mars 1997”! Ndërsa poshtë tij shënohen me shkronja të arta 9 emrat e viktimave, që mori kjo ditë e mallkuar. Enigmat e shumta të kësaj ngjarjeje,sa paradoksale aq dhe misterioze, ende s’janë zbardhur mirë. Kushdo që kalon para këtij lapidari të çuditshëm mediton duke pyetur veten: Ç’ishte ajo luftë dhe kundër kujt luftonin ata njerëz?!Kush e shkaktoi atë vëllavrasje dhe pse?!Kush e mbajti përgjegjësinë e humbjes së jetës së 9 njerëzve të pafajshëm?!,…Aty, mes shushurimave të Vjosës dhe sheshit të Përmetit lartësohet edhe një lapidar tjetër hijerëndë, në sfondin e të cilit duket sikur bën roje një ushtar i panjohur që simbolizon luftëtarin e lirisë përmetare. Me vështrimin e tij depërtues, ai duket sikur u thotë kalimtarëve që kokëulur e shohin vrëngër: ”Unë vërtet luftova për liri dhe ideale të larta, por kurrë s’më shkonte në mendje se ato do t’i shkelnin me këmbë idhujt e djeshëm dhe të sotshëm!

Rikthimi në Përmetin e sotëm

Pa marrë frymë mirë shokët e miqtë e mi të hershëm: Bujari dhe Hekurani, Salikua dhe Pandi. Na ftojnë për kafe. Mbasi u çmalla me ta, trokita në portën e piktorit të talentuar dhe shokut tim të hershëm Josif Bushi, i cili na qerasi me gliko e raki rrushi. Për drekë u ulëm në një nga restorantet më të preferuara të Përmetit, që mban emrin ”Hani i Kikës”, me kryekuzhinier mjeshtërin e gatimeve përmetare Gjergji Qerimi. Në krye të menysë së pasur të këtij restoranti lexojmë fjalët e Nolit të madh: ”A do hash e të bësh qejf?!Sofra shtruar si për mbret. Të tillë gjen veç në Përmet”. Në këtë restorant të thjeshtë por me mjedise të këndshme gjen gatime tradicionale përmetare, me prodhime bio të këtyre anëve, si shqeto e dollma me gjethe pjergulle, pulë me arra dhe roshnica, raki e rrushit të lisave dhe një shumëllojshmëri verërash të kuqe e të bardhë përmetare. Në mjediset e këtij lokali që e frekuentojë shumë edhe turistët e huaj, Gjergji mban varur dhe kitarën e tij të preferuar, me tingujt e ëmbël të së cilës duket sikur edhe pjatat i bën më të shijshme.Përmeti është i njohur për glikotë e rralla dhe arrët e Ogrenit, për perimet e frutat e thata të Dëshnicës dhe shegët e ftonjtë e Kajcës, për qershitë e ëmbla të Qilarishtit dhe për ullinjtë e Bualit. Dikur Përmetit i këndohej me vargun proverbial popullor: ”O Përmet, o xhenet, bukë plot e ujë det”, i cili në kohë të ndryshme është ndryshuar në përshtatje me kohërat dhe sistemet e ndryshme politike. Është e vërtetë që Përmetit s’i kanë munguar burimet natyrore me ujë të ftohtë si kristali, por qyteti kurrë nuk ka pasur ujë të pijshëm 24-orësh, bile edhe sot e kësaj dite. Arsyen kryesore na i tregon një burrë i moshuar, i cili thotë: ”Mbi qytetin tonë, në rrëzë të Dhëmbelit, dikur buronte një ujë i bollshëm dhe i ftohtë si kristali, që quhej ”Gurra e Madhe”, e cila furnizonte tërë qytetin me ujë të pijshëm. Por, aty nga viti 1962, një inxhinier i paditur, me idenë për ta shtuar sasinë e ujit, i vuri dinamitin shkëmbit ku ai buronte. Që atë ditë uji shteroi, sikur ta kishte përpirë kuçedra. U desh kohë të merrej vesh se uji i Gurrës së Madhe kishte dalë në thellësitë e Vjosës, poshtë kanaleve të ujërave të zeza. Qytetarët, inxhinierit që shkaktoi këtë gjëmë, i vunë nofkën “kuçedër”, por përmetarët fatkeqësisht që prej asaj dite e deri më sot vazhdojnë të pinë ujë me orar”. Megjithëatë ata falë një fondi e projekti (ndoshta të vonuar) besojnë se së afërmi do të gëzojnë realizimin e ëndrrës së tyre të hershme, që në shtëpitë e tyre të kenë ujë të rrjedhshëm 24-orë në 24. Bukuritë dhe vlerat e Përmetit ia shtojnë edhe traditat dhe veçanërisht veprimtaritë e bukura kulturore. Grupi këngës së bukur qytetare përmetare, në festivalin botëror, zhvilluar në Dizhon të Francës, me këngën “Poshtë nga çahiret“, mori gjerdanin e artë. Por në Përmetin e bukur dhe të njerëzve të mirë, ndodhin edhe konflikte paradoksale. Në qendër të Përmetit ndodhet dhe një qendër kulturore,e cila, ndërsa dje ishte ndërtesa më e bukur e qytetit, sot ajo i ngjan një gërmadhe të braktisur, që ia zbeh atij bukuritë e rralla natyrore. Ka rreth 20 vjet, thonë qytetarët,që kjo ndërtesë është bërë “mollë sherri” mes kishës dhe bashkisë e shtetit. Edhe pas një vendimi të drejtë, por tepër të vonuar të drejtësisë,i cili e shpalli atë pronë të patjetërsueshme të Bashkisë së qytetit,ajo vazhdon të mbetet një ngrehinë e rrënuar, as kishë as shtëpi kulture. Kur qytetarët pyesin se pse, edhe pas përcaktimit të pronësisë, ndërtesa e qënrës kulturore nuk po rregullohet, Bashkia ankohet se nuk po i jep fonde Ministria e Kulturës. Siç duket, qytetarët artdashës të Përmetit, edhe pas zvarritjes 20-vjeçare të vendimit të drejtësisë, do t’u duhet të presin edhe shumë vite të tjera, që organet përgjegjëse të gjejnë fondet e duhura për rikonstruktimin e plotë të saj. Mungesa e gjatë e kësaj ndërtese, është e vërtetë që e ka penguar veprimtarinë kulturore të Përmetit, por kurrë s’e ka shuar atë, falë pasionit dhe përgjegjesisë qytetare të artistëve të përkushtuar, që me këmbënguljen e tyre kanë mundur të gjejnë mjediset e duhura, jo vetëm për përgatitjen, por dhe shfaqjen e tyre cilësore. Për veprimtari të dendura e tepër të pëlqyeshme është dalluar veçanarisht grupi ”Tradita Popullore” me drejtues artististik, Ylli Muçon ,në përbërje të të cilit dallojnë këngëtarët dhe instumentistët virtuozë: Alban Zeqiri, Jarek Muço, Evgjeni Çulli, dhe klarinetisti i talentuar dhe vazhduesi i denjë i usta Laverit,Sadik Zeqiri. Aktivitete të dendura dhe cilësore zhvillon edhe grupi teatral i qytetit. Aktori i taletuar përmetar, Pandi Duka, në bashkëpunim me historianin Kastriot Bezati, ka përgatitur dhe shfaqur jo vetëm brenda vendit por edhe në Kosovë, recitale poetike me vlera tepër edukative dhe patriotike si ai për Naim Frashërin. Për të përçuar tek spektatorët mesazhe të fuqishme ky recital mbyllet me sentecat kuptimplote poetike: ”Mos u bëj i lig e i keq, i paudhë e i pabesë/Mos vra, mos bëj keq, edhe ki nam dashurinë/Besë e fe ki mirësinë, të drejtën dhe urtësinë”!, të cilat Naimi i shkroi në kohën e tij për të mbetur të pavdekshme.

Të ngjajshme