Rrugëtimi ka filluar, disenjatorja Diellza Krasniqi prezanton koleksionin “By The Way”

10 Dhjetor, 2018 - 2:26 pm

Një rrugëtim i ri ka filluar. Një rrugëtim drejt së bukurës së përjetshme që u jep vetëbesim, komoditet dhe mbi të gjitha bukuri të përhershme.

Nga rrugëtimet e shpeshta erdhi edhe inspirimi i disenjatores kosovare, Diellza Krasniqi, e cila ka lansuar koleksionin e saj më të ri ‘’By The Way’’. ‘’By The Way’’ nuk është një koleksion i zakonshëm, ashtu siç nuk janë të zakonshme rrugëtimet tona të ndryshme.
Siç ne i planifikojmë udhëtimet tona deri në detajet më të imëta, ashtu edhe Dejzi ka krijuar koleksionin e fustanave unik me prerje të veçantë.

‘’By The Way’’ është një tribut për të gjitha vajzat që elegancën e shohin si armën e tyre plotësuese, përderisa klasiken dhe natyralen i kanë pjesë të personalitetit. Koleksioni i përbërë nga 25 fustane, ka si kryefjalë bukurinë e përhershme, duke nënkuptuar që këto fustane mbeten pjesë e trashëgimisë të çdo vajze.

Fotosesioni i koleksionit ‘’By The Way’’ është realizuar në trenat e Trainkosit nga fotografi Arben Kastrati. Diellza Krasniqi është disenjatorja e vetme kosovare për të cilën ka shkruar revista prestigjioze Vogue e botuar në Kinë, për koleksionin e saj që ishte pjesë e javës të modes Harbin Fashion Week China. Për t’i dhënë edhe më shumë kuptim këtij koleksioni, Diellza Krasniqi e ka shoqëruar atë me slloganin ‘’A journey of timeless beauty’’./KultPlus.com

Të ngjajshme