Së shpejti jepet premiera e filmit ‘Rrugës’ në Festivalin e Kanës

13 Maj, 2024 - 6:28 pm

Edhe 11 ditë do të jepet premiera e filmit të zhanrit të shkurtër “Rrugës” i cili përfaqëson Kosovën në konkurrencën kryesore të Festivalit të Kanës.

Filmi i ri nga Samir Karahoda, “Rrugës”, është përzgjedhur zyrtarisht për garën e filmave të shkurtër në edicionin e 77-të të Festivalit të Kanës . Kjo është hera e dytë që një film në regji të Samir Karahodës përzgjedhet për garën zyrtare të Festivalit më prestigjioz në botë, pas filmit “Pa Vend” që e kishte premierën në Cannes në vitin 2021.

Nga 4,420 filma, “RRUGËS” është përzgjedhur mes 11 filmave të shkurtër nga 11 shtete që do të prezantohen këtë vit në konkurrencë.

Filmi “Rrugës” sjell tregimin e një babai dhe djalit të tij në rrugën e tyre për në aeroport për të marrë një dhuratë të ardhur nga jashtë, e dërguar nga kumbari i djalit. Ndërsa përballen me pengesa burokratike dhe një perspektivë të pakëndshme për ndryshime reale politike dhe sociale në vendin e tyre, ata gjejnë ngushëllim dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen.

“Rrugës” është shkruar nga Samir Karahoda dhe djali i tij Mironi, duke integruar tregime personale dhe elemente autobiografike, që pasqyrojnë shqetësimet e tyre për të ardhmen e vendit. Gjatë këtij udhëtimi të shkurtër, udhëtimi i tyre bëhet një eksplorim i lidhjes së tyre mes sfidave shoqërore dhe pasigurisë që ata kanë në atdheun e tyre.

Premiera botërore jepet në DEBUSSY Theater, më 24 maj në ora 11:00/ KultPlus.com

Të ngjajshme