Shën Sofia, pas rënies në duart e sulltan Mehmetit II Fatih

12 Korrik, 2020 - 10:49 am


Shkruan: Paulin Zefi.

Banorët e qytetit, që kishin kërkuar më kot strehim në Katedralen e Shën Sofisë, u kapën dhe u kthyen në skllevër, ose u vranë menjëherë sapo turqit-osmanë depërtuan brenda këtij objekti religjioz përrallor, duke shkallmuar portat, të cilat i çanë me sëpata. Brenda në Katedrale u zhvilluan skena tmerri të papërshkrueshme: Ikonat e shenjta u thyen, pasi iu morën gurët e çmuar, u plaçkitën të gjitha reliket, objektet e arta dhe të argjendta, teshat e meshës u përdorën për mbulesa kuajsh, kryqit iu vu një skufje jeniçerësh dhe u shëtit për t’u tallur. Sipas jetëshkruesit më të njohur të sulltan Mehmetit II, historianit gjerman Franz Babinger: “Altarët u shërbyen ushtarëve turq si krevate, djepa, tavolina ku hanin vetë, ku u jepnin tagji kuajve dhe mbi to bënin orgji me djem dhe me vajza bizantine¹.” Pasi mbaruan punë me pushtimin e qytetit, për tre ditë me rradhë barbarët aziatikë iu përveshën punës për plaçkitjen e çdo kishe, banese private dhe gjithçkaje tjetër që u dilte përpara syve. Gjatë këtyre tri ditëve, qyteti i lashtë ju nënshtrua orgjive, therjeve dhe masakrave të pamëshirshme². Nëse nuk iu besojmë kronistëve bizantinë, që ndonjë historian turkofil i trajton me rezerva, atëhere po i referohemi kronistit osman dhe dëshmitarit okular, Tursun Beu, i cili përcjell panoramën e plotë të këtyre ngjarjeve. “Gazinjtë shtynin përpara turma me djelmosha e vasha kërthizëkristalta, sikurse luanët e leopardët ndjekin pas kopenë e gazelave. Nga pallati i princit(Pallati i Kostandinit XI – P.Z.) dhe nga shtëpitë e të pafeve të pasur e të begatë u nxorën aq shumë orendi e enë ari dhe argjendi, gurë të cmuar, lloj-lloj sendesh e cohërash, saqë faqja e dheut të sillte ndërmend vargun: “Do t’i nxjerrë dheu jashtë të vdekurit e vet.” (Kurani 99:2). “Dhe do të thotë njeriu: Ç’të ketë vallë?!” (Kurani 99:3) prej habisë nga ai bollëk pasurish e të mirash³.” Në pasditen e 30 majit 1453, Sulltan Mehmeti II hyri në Kostandinopojën e lashtë, të cilën tashmë e quajti me emrin turk Stamboll, kaloi me kalë nëpër qytet deri pranë Katedrales së Shën Sofisë, ku edhe u fal, sipas ritit islamik⁴. Por gjëja e parë që i panë sytë brenda këtij objekti madhështor, ishte një ushtar turk, që me një tërbim të egër po shkallmonte me sëpatë pllakat e mermerta të dyshemesë së Katedrales. Sulltan Mehmeti II, e pyeti se përse po i shkatërronte pllakat dhe turku iu përgjigj: “Se janë të të pafeve!” I zemëruar në kulm me këtë lloj barbarie, Mehmeti II e goditi atë me shpatë, duke i bërtitur: “Nuk ju mjafton gjithë kjo plaçkë dhe robër? Ndërtesat e qytetit më përkasin mua!” dhe ushtarin e pagdhendur e tërhoqën menjëherë prej këmbësh, duke e hedhur jashtë në rrugë⁵.” Që nga kjo ditë, gjysëmhëna zëvendësoi kryqin dhe katedralja e Shën Sofisë u kthye në xhami⁶.Festimet për pushtimin e Kostandinopojës nga turqit-osmanë kulmuan pranë pallatit perandorak bizantin. Vetë Mehmeti II dhe turqit e tjerë, u dehën me verë dhe kaluan në orgji me femra e meshkuj, ashtu siç kishin vepruar një ditë më parë në Katedralen e Shën Sofisë. Kufomës së perandorit të fundit bizantin, Kostandini XI, që u gjet midis një grumbulli kufomash pranë Portës së Romanosit, iu pre koka, të cilën turqit e vendosën mbi majën e shtyllës së Augusteumit, dhe më pas e futën në një kavanoz të çmuar.

E mrekullueshmja dhe e papërsëritshmja “Shën Sofia”, e ndërtuar me urdhër të perandorit ilir të Bizantit, Justiniani I, midis viteve 532 – 537 mbi themelet e dy kishave më të hershme dhe e projektuar nga Isidori i Miletit dhe Antemiusi i Tralesit, katedrale që nga vetë emri Sancta Sophia(lat.) ose Αγία Σοφία(gre.), do të thotë “Urtësia e Shenjtë” dhe që i kushtohet Jezu Krishtit, që nga ajo ditë do të njihej si xhamia turke Ayasofya. Më 27 dhjetor të vitit 537, gjatë ceremonisë solemne të inaugurimit të Shën Sofisë, Justiniani i Madh i ngriti sytë e duart lart nga qielli, duke thirrur: “Solomon, ta kam kaluar!” Këtë thirrje të mbushur me krenari të merituar para Zotit dhe para njerëzve, ai ia drejtoi djalit të Davidit, Solomonit, mbreti i tretë i Izraelit dhe njëri ndër 48 profetët, sipas Talmudit hebraik, i cili gjatë mbretërimit të vet në vitet 970 – 931 p.k. ndërtoi Tempullin e Parë ose Shtëpinë e Parë të Zotit mbi tokë, në qytetin e shenjtë të Jeruzalemit. Por a mundej ta imagjinonte Justiniani i Madh i Ilirisë nga Tauresium i Dardanisë, që pikërisht në këtë Katedrale përrallore të ndërtuar prej tij për të rivalizuar mbretin Solomon të Izraelit, 916 vite më vonë, një pushtues barbar me origjinë nga malet Altai të Mongolisë, me hordhitë e tij, do ta përdhoste këtë vend të shenjtë, duke e kthyer në një vend orgjie dhe që në vijim këtu do të praktikoheshin ritualet e një besimi të ri, doktrinë, e cila në kohën e tij akoma s’kishte lindur?!… Sidoqoftë, sulltan Mehmeti II, i mahnitur nga bukuria e kësaj kishe, urdhëroi transformimin e saj në xhaminë kryesore të kryeqytetit të ri dhe të të gjithë Perandorisë Osmane e pasi u hoqën kryqet së bashku me statujat dhe ikonat, por nuk u dëmtuan afresket, të cilët u mbuluan me suvá; u planifikua t’i shtohej një minare e parë në pjesën juglindore. Burimet arkivore veneciane me titull “Acta Albaniae Veneta, XXII, No.5989” (“Archivio di Stato di Venezia”) na njoftojnë se kur të dërguarit e Senatit Venecian e përcollën në Romë lajmin e hidhur për rënien e Kostandinopojës, më 8 korrik 1453, Papa Nikolla V thirri me zë të lartë, duke u shprehur me fjalët: “Turpi i Krishtërimit…!” dhe më pas uli kokën duke u shkrehur në vaj⁷.

I magjepsur nga bukuria e saj gjatë vizitës së zhvilluar më 20 tetor të vitit 1931, At Gjergj Fishta i shkruan provincialit françeskan, At Vinçens Prenushit (1885-1949), se: “Sh. Sofija âsht nji mrekullí arti e madhníje. Jam bindë kúr e kam pá⁸”. E tillë ajo vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite, ndërkohë që R. T. Erdogan kërkon të ndjekë shembullin e sulltan Mehmetit II Fatih, për ta kthyer këtë aset kaq të çmuar të Trashëgimisë Kulturore Botërore, në xhami!… / KultPlus.com

Të ngjajshme