“The Load” i Ognjen Glavonić në DokuKino

22 Janar, 2019 - 6:30 pm

Filmi i cili këtë javë e hap programin e premierave në “Doku-Kino” sjell një nga episodet më të errëta të luftës në ish-Jugosllavi. “THE LOAD” (Teret) sjell tregimin e Vllados, të cilit i është dhënë detyra ta transportoj një kamion nga Kosova në Beograd.

Filmi në regji të Ognjen Glavonić, një regjisor i ri dhe i talentuar nga Serbia, hap një nga episodet më të errëta të luftës në ish-Jugosllavi. Në vitin 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s, regjimi i Millosheviqit fillon kampanjën e fshehjes së gjurmëve të krimeve të kryera në Kosovë nga forcat policore dhe ushtarake. Për këtë arsye, u ekzekutu projekti i bartjes së kufomave të viktimave të vrara në Kosovë në drejtim të Serbisë përmes kamionëve dhe që kryesisht janë varrosur në varreza masive brenda kazermës speciale të policisë në Batajnicë.

Vetë regjisori Glavonić tregon se përmes filmit ai ka dëshiruar të tregoj se si është dukur shteti i tij në atë kohë. Pa dhënë shumë kontekst ose duke mos shtyrë shumë për dramatizim apo dhënie të informatave të tepërta. “Dëshiroja të tregoja udhëtimin e brendshëm metafizik të personazhit tim, por edhe gjendjen e një shoqërie në një moment më të ultë të historisë së vetë”.

Filmi, i cili e ka pasur premierën në festivalin e Kanës është cilësuar si njëri ndër filmat më të guximshëm të prodhuar në territorin e ish-Jugosllavisë, e që e trajton një aspekt të luftërave që çuan përfundimisht në shkatërrimin e Jugosllavisë.

Ndërsa temën e këtij filmi regjisori Glavonić fillimisht e tregoi përmes dokumentarit të tij ‘Depth Two’, i cili u shfaq në vitin 2016 në DokuFest, ku u vlerësua nga juria me cmimin e dokumentarit më të mirë nga Ballkani.

Repertoari i shfaqjeve fillon të Enjtën me 24 janar në ora 19:30, përderisa rezervimi i biletave mund të bëhet në 045 630 610 ose përmes faqes së DokuKino në Facebook. / KultPlus.com

Të ngjajshme