“Trekandshi” solli gërshetimin e teknologjisë së re muzikore me elemente tradicionale

28 Shtator, 2018 - 7:17 pm

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë, Kino ARMATA mirëpriti “Trekandshin” ku u prezantua puna e tri projekteve muzikore të zhvilluara nga Erëmira Çitaku.

Mbrëmë në Kino ARMATA publiku i cili ishte i pranishëm u gjend brenda një Hiper-realiteti. Një gjendje në mes të reales dhe jo reales, që u krijua nga Erëmira Çitaku, Liburn Jupolli, Luan Durmishi dhe Dren Suldashi. Ata përmes efekteve elektronike, natyrës origjinale të flautës, zërit, instrumenteve të ndryshme dhe teksteve të përzgjedhura, arritën që të krijonin një realiteti audio-teatral e muzikor.

Mbrëmja filloi duke tentuar për të dhënë përgjigje ndaj pyetjes: A është reale apo imagjinare dashuria? Për të vazhduar me elemente të marra nga melosi etno shqiptar, i cili përmbante përpunimin e këngëve “Hajredin Pasha” si dhe “Ohooja” dhe “Ritmaza”.Këto këngë përmes përdorimit të zërit e teknologjisë u bashkëdyzuan edhe me tingujt e çiftelisë e okarinës. Këto elemente të muzikës tradicionale të cilat erdhën në një frymë bashkëkohore e me efekte elektronike, kanë rrjedhur shumë natyrshme është shprehur vokalisti, Luan Durmishi.

“Trekandshi ka ardhur si projekt i Ermirës me koncept dhe me ide të saj dhe për mua ka qenë një prurje krejt ndryshe prej projekteve që kemi pasur edhe pse janë të një linjë të njëjtë. Ky projekt për mendimin tim duhet që të plasohet edhe jashtë, sepse ka shumë vlera brenda tij. Jam shumë i lidhur me melosin tonë edhe me kulturën tonë autoktone kështu që gjithë interpretimi ka ardhur shumë natyrshëm. Ne kemi jashtëzakonisht vlera të mëdha dhe ka potencial me plasu brenda edhe jashtë”, u shpreh ai për KultPlus.

Muzika e Ermirës është duke u zhvilluar që një kohë të gjatë duke sjellë çdo herë e më shumë influenca dhe elemente të reja. Këtë natë publiku i pranishëm arriti që të vërejë më shumë elemente të etnosit, tradicionales së Kosovës, vendeve të tjera si në Azi por edhe elemente të muzikës elektronike. Kompozitori Liburn Jupolli, strukturat kompozicionale të të cilit rrëmbyen publikun këtë natë, u shpreh për KultPlus se ka qenë një sfidë orkestrimi i gjithë kësaj dhe sjellja e saj para publikut.

“Jam i lumtur që kemi arrit me e realizu projektin pasi që është goxha kompleks për me e përgatit, sidomos për një skenë dhe për një ansambël kaq të vogël. Për mua ka qenë një sfidë interesante dhe më ka ardhur mirë që Ermira akoma po vazhdon me u zhvillu, shpresoj që më tutje këto versione kanë me u bo me orkestër edhe me animacion live”, u shpreh ai.

Tutje ai tregoi se Kosova është një vend i cili është i ndikuar nga influenca të ndryshme dhe brenda ka shumë laramani dhe ide të ndryshme.

“Edhe përkundër faktit se mundemi me mendu që nuk ka trende të reja apo nuk është dikush që po bënë eksperimente kjo nuk është e vërtetë pasi që na vazhdimisht jemi duke kërkuar që me e gjet gjuhën tonë, identitetin tonë muzikorë në një botë ku ka shumë muzikë sot. Si vend sidomos në këto 10 vitet e fundit është duke u punuar shumë dhe mendoj që keni me pas gjenerata të reja akoma më të mira dhe më të bujshme”, tregoi ai.

Më tutje duke u bazuar në besimin e komunikimit ndërnjerëzor në raport mes muzikës dhe gjuhës, konstituon edhe pjesa e fundit e albumit të përmbledhur me emrin Trekandshi i cili përfshin gjithashtu materialet e përpunuara nga projekti “Shtëpia e Qenies”; frymëzuar nga filozofi gjerman Martin Heidegger, i cili thotë se “Gjuha është shtëpia e qenies”. Kjo e intrigoi artisten që ta bëj një ndërtim muzikor duke e ri-formuluar titullimin e mësipërm dhe nga kjo doli konstatimi që “Muzika është shtëpia e qenies”. Bredhje me tingull, matematik, gjuhë, kaos dhe në fund heshtje që paraqiten në pjesët “With us”, “Being” dhe “Ready to”.

Mirëpo sipas artistes e përbashkëta e këtyre tri pjesëve është përdorimi i teknologjisë por edhe shprehja e ndjenjave të saj duke përdorur çdoherë elementet të cilat e rrethojnë atë. Këtu nuk hyjnë vetëm instrumentet natyrale por edhe inkuadrimi i teknologjisë muzikore, elektronikës pastaj edhe kombinimi me video, instalacion e të tjera.

“Për mua si muzikante që merrem me muzikë klasike dhe punoj në Universitetin e Prishtinës është shumë interesante me eksperimentu në këtë lami pasi që më intrigon që ti shfrytëzoj të gjitha mundësit që sot jepen në muzikë, në mënyrën që unë e shoh që është më interesante, apo në atë mënyrë që të mundem me e shpreh botën time të brendshme. Unë nuk dëshiroj që të punoj me këngë të plota por me motive të shkurtra që të mos jetë kënga e ri-interpretuar. Për mua nuk është interesante që të jetë një këngë e ri-interpretuar edhe nëse ja ndërron stilin, për mua është interesante nëse e merr një copëz të vogël edhe punon me të”, tregoi ajo për KultPlus.

Kjo natë shënoi edhe publikim e CD-së e cila përmban albumin e “Trekandshit” i cili u shpërnda gjatë koncertit. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme