Erodita Qorkadiu Haxhiu dërgon veshjet tradicionale në Belgjikë dhe Francë (FOTO)

7 Shkurt, 2018 - 5:00 pm

Për nder të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, veshjet e etnografes Erodita Qorkadiu Haxhiu do të rrugëtojnë në Belgjikë dhe në Francë, përmes ekspozitës dhe një sfilate me këto veshje, shkruan KultPlus.

Veshjet tradicionale të kornizuara janë të punuara nga etnografja kosovare, Erodita Qorkadiu Haxhiu, ndërsa pikturat janë të punuara nga piktorja Valdete Berisha, e cila jeton dhe vepron në Belgjikë.
E veçanta e këtij prezantimi të veshjeve tradicionale nga të gjitha trojet shqiptare, është se etnologia Qorkadiu- Haxhiu do t’i prezantoj ato përmes një sfilate. Për t’i sjellë ato në skenë, tashmë janë paraqitur shumë vajza shqiptare që jetojnë në diasporë.

Erodita Qorkadiu- Haxhiu tregoi për KultPlus se për këtë ekspozitë, asaj me veshje i kanë ndihmuar shoqata të ndryshme të grave, nëna të dëshmorëve e gra kryefamiljare dhe në veçanti Muzeu Etnografik në Pejë, ndërsa nuk ka munguar përkrahja as nga Muzeu Etnografik në Prishtinë. Po ashtu ajo tha se Muzeu Etnografik i Pejës, ka punuar kukulla enkas me veshje kombëtare së bashku me fëmijët me nevoja të veçanta.

Ajo tha se qëllimi i saj është që përmes ekspozitës së saj, e sfilatës ta promovoj kulturën shqiptare sa më mirë dhe që kjo traditë të bartet edhe tek gjeneratat e reja, ashtu siç e kemi trashëguar nga të parët tanë.

Sfilata do të mbahet në Teatrin Mbretëror më 16 Shkurt, kurse ekspozita e përbashkët më 18 Shkurt, në galerinë e quajtur “Art for everyone”,në Namur të Belgjikës. Përveç kësaj ajo po planifikon që këto veshje t’i prezantoj edhe në Francë, në qytetin e Strasbourgut, pikërisht në ditën e Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt. Këtë ekspozitë do ta prezentoj në bashkëpunim me etnologen franceze Martina Wolf, ku do të marrin pjesë fëmijë shqiptar dhe francez, që do të veshin veshjet nga koleksionin e etnografes Erodita Qorkadiu Haxhiu./KultPlus.com

Të ngjajshme