Vjen në Prishtinë radio drama fituese e produksionit më të mirë në BBC RADIO & MUSIC AWARD 2018

Maj 15, 2018 - 2:30 pm

“Në fushën e Kosovës”, një radio dramë e shfaqur në BBC, vjen për publikun Kosovar si një lexim në skenë i dy episodeve të para dhe dëgjimi i tre episodeve në Anglisht, shkruan KultPlus.

“Në fushën e Kosovës” është shkruar nga Fin Kennedy, vjen me regji të Kushtrim Koliqit dhe është e inspiruar nga këngët e PJ Harvey të dedikuara udhëtimit të saj në Kosovë. Radio drama tregon historinë e kërkimit të identitetit nëpërmjet një udhëtimi tek një trashëgimi e humbur.

Radio drama “Në fushën e Kosovës” fitoi drama produksioni më të mirë në BBC RADIO & MUSIC AWARD 2018.

Rebeka dhe Dardan, vëlla dhe motër të lindur në Kosovë, të cilët u sollën në Mançester si të mitur të pashoqëruar gjatë konfliktit në 1999, rikthehen në Kosovë pasi një varr masiv është zbuluar afër fshatit të tyre të lindjes. Ata zbulojnë një komb të ri që përpiqet të krijojë një rrugë për shpresë dhe pajtim dhe aty kuptojnë se edhe ata duhet të udhëtojnë në të kaluarën e tyre për të ecur përpara. Ata mbajnë një sërë çelësash, që u janë dhënë atyre nga një fqinj para se të largohen, duke ofruar mundësinë për të hapur shtëpinë e tyre dhe me të, kujtimet.

Leximi në skenë do të performohet nga: Maylinda Kosumovic, Shkelzen Veseli, Labinot Raci, Qendresa Jashari, Shpetim Selmani, Allmir Suhodolli.

Leximi në skenë është realizuar nga Tamasha Theatre Company (UK) dhe Intent New Theatre (KS). Leximi do të bëhet në Qendrën Multimedia duke filluar nga ora 20:00, më 17 maj. / KultPlus.com

Të ngjajshme