Një varrim, një premierë dhe një premtim – Yzeir Meha humbi nënën në të njëjtën ditë kur diplomoi në dërrasat e artit skenik  

20 Prill, 2024 - 11:59 pm

Era Berisha

“Vdekja nuk është gjë. 
Unë thjesht kalova në anën tjetër:
është njësoj si të isha fshehur në dhomën ngjitur. 
Gjithçka është njësoj, 
unë jam gjithmonë unë dhe ti je gjithmonë ti.” – Henry Scott Hollan
 

Mes jetës dhe vdekjes, zhgënjimit, dëshpërimit, me shpresën e humbur e të ringjallur, me të mirat e të këqijat e kësaj bote, mbrëmë është dhënë premiera e shfaqjes “Një ditë e gjatë udhë drejt natës (Eugene O’Neill)”, realizuar nga regjisori Skender Podvorica, në ambientin e Lapidariumit të Muzeut të Kosovës. Një nga të vetmet arsye që shfaqja frymoi nëpër të gjitha emocionet e imagjinueshme, qe pjesëmarrja e një nga aktorëve të kastës; Yzeir Meha, i cili varrosi të ëmën e ndjerë herët në mëngjes, ndërsa në mbrëmje varrosi vuajtjen e tij përbrenda vetes, për të realizuar amanetin e fundit që ia kishte premtuar së ëmës; diplomimin. 

“Një ditë e gjatë udhë drejt natës” konsiderohet si kryevepra e dramaturgut O’Neill. E krijuar në vitet 1941-1942, por e publikuar vetëm në 1956, kjo vepër mbahet si një gjysmëautobiografi e vetë dramaturgut. Vepra trajton temën e shkatërrimit të familjes, mirëpo ajo se çfarë “shkatërroi” atmosferën mbrëmë në premierë, ishin lotët e audiencës që përshkonin në fytyrat e tyre. Para tyre, paraqitej një dalosh i thjeshtë, i ri në dukje, i cili po jepte artin e tij nëpërmjet syve, duarve, këmbëve, lëvizjeve brenda katër mureve, e shikimeve depërtuese, por ajo se çfarë dhuronte emocion të papërshkrueshëm, ishte shpirti i tij që dilte në pah, hap pas hapi, fjalë pas fjale. 

Vepra dhe krijimtaria në dramë e O’Neill-it, e bëri botën që të kthente sytë drejt skenës, ndërsa fuqia, rezistenca, guximi e trimëria e paimagjinueshme e shfaqur nga aktori Yzeir Meha, na shtyri që ne t’i kthejmë sytë nga kuptimi i vërtetë i të qenurit një artist; një që lind dhe frymon për dërrasat e skenës, një që rritet në dhe së bashku me ambientet teatrore, një që paqen shpirtërore e gjen me lëvizjen e qetë të pluhurit të prapaskenave, djersitjes së vazhdueshme gjatë provave, lodhjes fizike dhe mentale të rolit bartës e procesimit të tij. 

Të qenurit aktor nënkupton që duhet të rilindësh me secilën duartrokitje të dhënë nga publiku, me secilën buzëqeshje nga dashamirët e artit, me secilin kompliment e kritikë nga njohësit e fushës dhe me dashurinë e pambarueshme të dhuruar nga të afërmit që janë përherë krenarë. I tillë është edhe Meha, pasioni i të cilit, përherë ka mundur çdo dhimbje, për të triumfuar çdo herë, në secilën kohë, përfshirë edhe atë të vdekjes. 

Vdekja e së ëmës i trokiti herët në mëngjes, megjithatë, ai e “mposhti” atë natën vonë. 

* Aktorët: Vjosa Abazi, Shpetim Kastrati, Yzeir Meha dhe Mikel Markaj arritën që mbrëmë të bëhen një me esencën e shfaqjes, duke ngjallur në publik emocione sa dramatike e emocionale, aq edhe të fuqishme e mbresëlënëse.

Vepra e shkrimtarit irlandezo-amerikan e vlerësuar me çmimin “Pulitzer” është një dramë me katër akte. Eugene O’Neill i konsideruar si një nga dramaturgët më të mirë amerikanë këtë herë me dramën e tij “Udhëtimi i gjatë drejt natës” sjell në vëmendje historinë e një familje, por kjo drejt rrënimit të saj. Një kryetar familjeje, koprac i cili nuk paguan as paratë për spitalin, pasi djali ishte i sëmurë. Duke parë kopracinë e kryetarit të familjes, gruaja, djali i madh dhe ai i vogël, shkojnë drejt rrënimit. Gjithçka në veprën, e cila i vendos ngjarjet në Amerikë, tregohet historia e një familjeje, e cila nga mëngjesi deri në mbrëmje përjeton dramën e saj. / KultPlus.com 

Të ngjajshme