Presidenti i Shqipërisë viziton Parkun Arkeologjik të Ulpianës

Tetor 12, 2017 - 7:14 pm

Në kuadër të agjendës në vizitën e tij zyrtare në Kosovë, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, vizituan Parkun Arkeologjik të Ulpianës.

Presidenti Meta e ministri Gashi panë nga afër tre sektorët që ka ky lokalitet arkeologjik i pasur me objekte e elementë të shumtë të periudhës së antikitetit.

Ministri Gashi e informoi Presidentin Meta për përkrahjen që ka dhënë MKRS-ja për investimet në parkun e Ulpianës nëpërmjet Institutit Arkeologjik të Kosovës duke e konsideruar si një ndër prioritetet kryesore të trashëgimisë arkeologjike të Republikës së Kosovës. Ministri tha viti 2018 do të jetë vit i trashëgimisë.

Ndërkaq, përgjegjësi i parkut, Milot Berisha e njoftoi Presidentin për historikun e parkut, sektorët dhe objektet e ti si dhe procesin e gërmimeve, konservimit dhe restaurimit.

Nga ana e tij, presidenti Meta pohoi se ndjehet i lumtur që po e viziton këtë lokalitet të rëndësisë së veçantë jo vetëm për Kosovën por për tërë hapësirën mbarëshqiptare dhe parqe të këtilla janë pasuri që duhet t’i ruajmë e t’i vlerësojmë./ KultPlus.com

Të ngjajshme