31 vjet nga falja e gjaqeve te Verrat e Llukës

Sot bëhen 31 vjet nga ngjarja e madhe për faljen e gjaqeve në Verrat e Llukës në Komunën e Deçanit.

Në këtë tubim madhështor më 1 maj 1990 morën pjesë rreth gjysmë milion shqiptarë, me ç‘rast u falën më shumë se 100 gjaqe dhe ngatërresa ndër-shqiptare.

Aksioni për pajtimin e familjeve shqiptare në hasmëri kishte nisur nga disa studentë të rajonit të Dukagjinit, ish-të burgosur politikë, më 2 shkurt 1990 në Lumëbardhë të Deçanit.

Ky aksion u shndërrua në një lëvizje për pajtimin e gjaqeve dhe falë punës së madhe të veprimtarëve në krye me Anton Çettën kjo lëvizje gjithëpopullore arriti të pajtojë familje të cilat falen mbi një mijë gjaqe e ngatërresa ndër-shqiptare. / KultPlus.com

Shkrimtarët e mëdhenj rusë që dogjën veprat e tyre

 “Dorëshkrimet nuk digjen!” – deklaroi dikur Mihail Bulgakov. Autori i “Mjeshtri dhe Margarita” e dinte fare mirë, se për çfarë e kishte fjalën. Ai zgjodhi të shkatërronte disa nga veprat e tij për të provuar dogmën, se krijimet letrare janë të ngulitura thellë në shpirtin e shkrimtarit, sesa thjesht në letër. Nuk ishte i vetmi në kërkimin të së vërtetës. Ja disa shkrimtarë “partnerë në krim”, të cilët edhe pse jetuan në kohë të ndryshme, sërish zgjodhën t’i djegin veprat e tyre “pas leximit”

Nikolai Gogol

Përgjatë gjithë jetës, autori i “Ditari i një të çmenduri” vuajti nga luhatjet e humorit. Kur Gogoli hidhte nënshkrimin, në punime groteske si “Hunda” ose “Palltoja”, do të kërcente në ekstazë në mes të rrugës në ekstazë, veç gëzimi zëvendësohej shpejt me zhgënjimin dhe ankthin. Fillimisht, opusi “Frymë të vdekura” u konceptua si trilogji. Sfida letrare ishte krijimi i një pamje shumëplanëshe të shoqërisë, që “t’i përshtatej gjithë Rusia”. Problemi ishte, se perfeksionisti në Gogol nuk arriti të jetonte standardin e lartë që i kishte vendosur vetes. Pjesa e parë “Frymë të vdekura” e pa dritën e botimit më 1842 dhe mori vlerësime të ndryshme. Kur publicisti Konstantin Aksakov e përqasi Gogolin me Homerin dhe Shekspirin, kritiku letrar Vissarion Belinsky iu kundërpërgjigj, duke thënë se “Gogoli i ngjan Homerit… aq sa qielli i përhimë dhe pishat e Shën Petërburgut i ngjajnë qiellit të kaltër dhe dafinave të Greqisë”. Pasi kritikët letrarë e akuzuan Gogolin për shtrembërim të qëllimshëm të realitetit, atij filloi t’i dukej romani i parëndësishëm. Autokritik i ashpër, Gogol tha se, pjesa e parë e “Frymë të vdekura” ishte si “hajati që i bashkangjitet në nxitim e sipër nga arkitekti provincial pallatit, kur është konceptuar të ndërtohet me një shkallare goxha të madhe”. Mirëpo, duke pretenduar lart, Gogoli ra në kurth. Pjesa e dytë e “Frymë të vdekura” pritej me padurim. Madje, Gogoli e përmendte aq shpesh, sa mes miqve u përhap thashethemi se libri kishte gjasa të mos ishte përfunduar. Në të vërtetë, Gogoli po rropatej për të shkruar pjesën e dytë. Premtimi provokoi një krizë të rëndë krijuese. “E torturova dhe e detyrova veten të shkruaj, kalova përmes vuajtjeve dhe u mbyta nga ndjesia e paaftësisë… dhe megjithatë, nuk mund të bëja asgjë për këtë – gjithçka shkoi huq”, – pranoi Gogol. Në 1845, gjatë një çrregullimi emocional, ai e dogji pjesën e dytë të “Frymë të vdekura”, që iu deshën pesë vjet për ta shkruar. Shkrimtari nuk u ndal me kaq, më vonë “e bëri përsëri”! Në 1852, Gogoli dogji një tjetër pjesë thuajse të përfunduar të “Frymë të vdekura”. Dhjetë ditë më vonë, zhytur në depresion, shkrimtari ndërroi jetë, me sa duket i rrënuar nga uria nën petkun e kreshmës… Me sa duket, Vladimir Nabokov kishte të drejtë, kur e përshkroi Gogolin si “poeti dhe prozatori më i çuditshëm i hasur ndonjëherë në Rusi”.

Aleksandër Pushkini

Sa më i madh talenti, aq më i thellë është dyshimi. Edhe pse gjeni i poezisë ruse, Aleksandër Pushkini nuk ishte një njeri pa vetëbesim. Bocetat e tij shpesh mbusheshin me faqe të grisura. Autori i “Mbretëresha e maceve” dogji pjesën e dytë të romanit të famshëm të papërfunduar “Dubrovski”, bocetin e romanit historik “Vajza e kapitenit” dhe poezinë “Grabitësit”.

“E dogja “Grabitësit” – dhe ata e meritonin!” – i shkroi në një letër poetit dhe kritikut Aleksandër Bestuzhev, në 1823. Poeti la kapitullin e dhjetë të “Eugjen Onjegini”, romani i famshëm në vargje, në strofa të koduara. Pushkin planifikoi t’i kthehej më vonë dorëshkrimit, por kjo nuk ndodhi kurrë. Besohet se Pushkini e asgjësoi kapitullin e dhjetë nga frika e persekutimit politik, pasi sipas gjase merrej me revoltën e dhjetoristëve rusë.

Mihail Bulgakov

“Tashmë soba është bërë redaksia ime e preferuar”, – pranon Bulgakov në një letër drejtuar një prej miqve, me ironi të trishtë. “Më pëlqen, sepse ajo, pa refuzuar asgjë, me të njëjtën dashje përpin faturat e pastrimit kimik, letra të papërfunduara, madje, sa turp, poezi!”.

Autori i “Mjeshtri dhe Margarita” besonte se “Dorëshkrimet nuk digjen!”. Ai shpiku termin thelbësor, për të provuar se dorëshkrimi i veprës së shkrimtarit para së gjithash regjistrohet në kujtesë, sesa në letër. Bulgakov ishte i pamëshirshëm me vetveten dhe dogji versionin e parë të “Mjeshtri dhe Margarita”. Asokohe Bulgakov dëshironte ta quante “Magjistari i zi” ose “Zhongleri me një shputë”, me personazhin Woland si protagonistin kryesor. Studiuesit besojnë se shkrimtari nuk kishte në plan ta digjte romanin, por e bëri në inat e sipër, kur censura sovjetike i ndaloi dramën “Kabali i hipokritëve”.

Isha i pushtuar nga demoni… […]”, – shkruan Bulgakov. “Fillova të ndotja faqe pas faqe të romanit tim… Për çfarë? Nuk e di. Le ta harrojmë më mirë!”. Një vit më vonë, ai rifilloi punën: një bocet versioni u shfaq nën emrin e “Kancelari i Madh”. Bulgakov ktheu në hi edhe bocetin e parë të pjesës së dytë dhe të tretë të kryeveprës “Garda e bardhë”. Po ashtu, edhe ditarët e shkrimtarit “u dogjën pa mëshirë pas leximit”./Konica.al

Boris Pasternak

Autori i “Doktor Zhivago” asnjëherë nuk deshi të linte trashëgimi pas vdekjes. Ashtu si Frenk Sinatra, ai zgjodhi ta bënte sipas “mënyrës së tij”. Me skrupulozitet fanatik, Pasternak i dogji të gjitha bocetat e para të veprave. Nëse, sipas poetit, teksti vlerësohej i dobët, ai asgjësohej me zell dhe eufori të veçantë. Shkatërrimi priste jo vetëm dorëshkrime të papërfunduara, por edhe punime të përfunduara. Drama e Pastërnakut “Në këtë botë”, që u prit me kritika të ashpra, u vërtit sakaq në sobë. Romani “Tri emrat”, që iu desh një vit për ta shkruar, nuk i shpëtoi fatit të ngjashëm. Me dorëshkrimin u nda pa keqardhje, pasi i kujtonte gruan e parë, Eugjenia.

Ana Ahmatova

Në kohën sovjetike, poetë dhe shkrimtarë të shumtë i asgjësuan veprat e tyre për arsye politike, pasi u druheshin reprezaljeve të shtetit. Për shembull, para se të digjte vargjet e drejtpërdrejta, Anna Ahmatova (autore e poezisë “Rekuiem”, ku përshkruan vitet e tmerrshme të spastrimeve të Stalinit) i mësoi përmendsh, kurse krijimet e fundit ua lexoi me zë të lartë miqve, që t’i mësonin dhe të kalonin gojarisht. Poezitë e Ahmatovës u regjistruan në kujtesën e miqve të ngushtë e të besuar, ndër ta Osip Mandelshtam. Miqësia e tyre, zgjati gati 30 vjet. Ahmatova tha se Mandelshtam ishte një nga “biseduesit më të këndshëm” që kishte takuar ndonjëherë. Nga ana tjetër, Osip admironte bukurinë, karakterin dhe të vërtetën e Anës, duke thënë se linjat e saj poetike “mund të hiqen vetëm me kirurgji”.

Osip Mendelshtam

Një nga poetët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, ishte mjaft realist për të pranuar se veprat e tij mund t’i kushtonin kokën. Poeti u detyrua të digjte, t’i fshihte ose t’u jepte kopje të dorëshkrimeve të poezive familjarëve. Për ta mbajtur gjallë poezinë, Mandelshtam duhej ta ndante atë me miqtë e tij më të mirë. Në vitin 1933, Mandelshtam krijoi një epigram të mprehtë për Stalinin: “Ne jetojmë të paaftë ta ndiejmë vendin nën këmbët tona”. Më pas, poeti u arrestua dhe u dërgua në internim.

“Na u desh të restauronim vargjet, sepse pas gjithë atyre tronditjesh (sulmi i policisë, arrestimi, internimi, sëmundja), shumë gjëra u zhdukën. Dorëshkrimet e shpëtuara… përfunduan në tenxhere ose brenda këpucëve”, – kujton gruaja e poetit Nadezhda Mandelstam, në “Shpresë kundër shpresës”. /konica/ KultPlus.com

Messidor në vititn 1907: Shqiptari dhe tradita e rrëmbimit të gruas

Nga Aurenc Bebja, Francë – 1 Maj 2021

“Messidor” ka botuar, të shtunën e 7 shtatorit 1907, në faqen n°3, rrëfimin e shkrimtarit të njohur francez Guillaume Apollinaire për mikun e tij shqiptar dhe zakonin e rrëmbimit të gruas, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqiptari

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Novelë e re nga Guillaume Apollinaire

Shqiptarët janë burra të pashëm, fisnikë, të guximshëm, me prirje për vetëvrasje, gjë që padyshim do t’i bënte njerëzit të dridheshin për racën e tyre nëse cilësitë e tyre riprodhuese nuk do të kundërpeshonin mërzinë e tyre për të jetuar.

Një shqiptar të cilin e njoha gjatë një qëndrimi të gjatë në Bruksel më la përshtypje të paharrueshme dhe të caktuara për një komb i cili, së bashku me skocezët, ndoshta, është më i vjetri në Evropë.

Ky shqiptar kishte mikeshë një angleze që e bënte të vuante si vetëm ata që janë të elitës së njerëzimit mund të vuajnë nga dashuria.

Kjo vajzë, bukuria e së cilës ishte aq joshëse (fyese) sa nuk ka një burrë që nuk do ta donte çmendurisht, e tradhtonte mikun tim me ata që dëshironin, dhe vetë unë, dhe të më falni, hezitoja midis miqësisë dhe dëshirës (epshit).

E paturpshme, në një mënyrë që mund të admirohet vetëm nga ata që jeta i ka bërë të vuajnë aq sa të qorrohen në shpirt dhe zemër, Maud e kalonte jetën e saj, e zhveshur, në apartamentin e mikut tim. Dhe kur ai ishte jashtë, të shthururit hynin në shtëpinë e tij.

Dhe kjo vajzë, kjo Maud, a ishte ajo pjesë e njerëzimit?

Ajo nuk fliste asnjë gjuhë, por një dialekt hibrid, një përzierje e të folurit anglez, francez, belg dhe gjerman.

Një filolog do ta kishte adhuruar atë, një gramatikan nuk mund veçse ta kishte urryer pavarësisht bukurisë së saj.

Angleze, ajo ishte nga babai i saj, një oficer mizor, i dënuar me vdekje në Indi për abuzim ndaj vendasve (indigjenëve). Por nëna e saj ishte malteze.

***

Një ditë, miku im më tha :

— Dua të ta them. Nesër, do të vras veten.

Unë i njihja mjaft mirë zakonet shqiptare për të ditur që këto nuk ishin fjalë boshe.

Ai do të vriste veten, pasi e kishte thënë kështu.

Unë kurrë nuk e lashë atë, dhe të nesërmen, falë pranisë sime dhe miqësisë, shqiptari nuk vrau veten.

***

Ai gjeti vetë një ilaç për dhimbjen e tij.

— Kjo grua, tha ai, nuk është gruaja ime. Unë e dua atë, kjo është e vërtetë, por me një dashuri që një nuse do të më shkatërronte përbrenda.

— Nuk e kuptoj, i thashë.

Ai buzëqeshi dhe vazhdoi :

— Racat e Ballkanit dhe maleve në kufi me Adriatikun dikur praktikonin rrëmbimin, dhe ky zakon mbijeton në lokalitete të ndryshme.

Vetëm gruaja që kemi marrë (rrëmbyer), ajo që kemi zbutur (domestikuar), na takon vërtet.

Dhe pa rrëmbim, nuk ka martesë të lumtur.

Unë kam flirtuar me Maud.

Por ishte ajo që më mori.

Ajo është e lirë dhe unë dua të rifitoj lirinë time.

— Dhe si? E pyeta i habitur.

— Rrëmbimi! tha ai me nje qetësi dhe fisnikëri që më bëri përshtypje.

Në ditët në vijim, ne udhëtuam, shqiptari dhe unë.

Ai më çoi në Gjermani dhe për një kohë shumë të gjatë dukej i shqetësuar.

Unë respektoja dhimbjen e tij dhe pa menduar për rrëmbimin e admiroja në heshtje për përpjekjen për të harruar këtë Maud, e cila e tërbonte atë për vdekje.

***

Një mëngjes në Këln, në mes të Hohe Strasse, shqiptari më tregoi një vajzë të re, e cila me një mjet muzikor në dorë, po ecte pranë shërbëtorës së saj.

Një shërbëtor i veshur me shije ecte dhjetë hapa pas dy grave.

Vajza mund të ishte shtatëmbëdhjetë vjeç. Dy gërsheta i bienin pas shpine.

Bijë e një mjeku nga Këlni, ajo dukej e gëzuar në Prusi po aq sa në qytetin e Tre Mbretërve (Rois Mages).

— Më ndiqni, tha befas shqiptari.

Ai filloi të vraponte, kaloi shërbëtorin dhe, duke arritur pranë vajzës së re, i hodhi një krah rreth belit dhe e ngriti atë (mbi supe) duke vrapuar shumë shpejt.

Po vrapoja i shqetësuar në gjurmët e mikut tim.

Unë nuk shikoja pas meje, por sigurisht që shërbëtori dhe shërbëtorja, të shushatur, kishin humbur mendjen, sepse ata as nuk bërtisnin: “Kujdes!”

***

Në kaluam para Kupolës, arritëm në stacion.

Vajza e re, e hipnotizuar nga prania mashkullore e rrëmbyesit të saj, buzëqeshi, e kënaqur në të gjitha kuptimet e fjalës dhe, kur ishim në vagonin e një treni që u nis drejt Erbestal, drejt kufirit, shqiptari po puthte (përqafonte), sa të ikte shpirti, më të nënshtruarën e grave.

Guillaume APOLLINAIRE. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/messidor-1907-shqiptari-dhe-tradita-e-rrembimit-te-gruas-rrefimi-i-shkrimtarit-te-njohur-francez-guillaume-apollinaire/?fbclid=IwAR3HPbK8d7CGHOdTnSEMbM3_dWPGMq20pLWd5dJ6nRYB48FEXlrqwjlytus

1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë iu referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 me këtë përmbajtje: ” 8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.

Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1886.

Manifestimi masiv dhe madhështor u bë një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1887. Kështu filloi rrugëtimi i kësaj dite e date të rëndësishme, i përqafuar nga miliona punëtorë, i organizuar përmes Lëvizjes sindikaliste dhe partive, që në fokus e kanë pozitën socio-ekonomike të punëtorëve. Sindikata botërore e caktoi 1 Majin – ditë, në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.

Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e parë të Gjenevës. Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendim, që 1 Majit të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet si Festa e Punëtorëve, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me Kushtetutë e ligje; liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës. / KultPlus.com

‘Grammy’ sjell ndryshime në organizim pas akuzave për manipulim, favorizim e racizëm

Organizatorët e “Grammy Awards” kanë ndryshuar komitetin anonim të votimit, pa akuzave për manipulim, favorizim dhe racizëm.

Yjet si Zayn Malik dhe Halsey janë ankuar për proces të padrejtë të përzgjedhjes dhe për mungesë të transparencës.

Ndërkohë, artistët me ngjyrë, që një kohë janë duke e kritikuar Akademinë për mungesë të diversitetit, raporton BBC, transmeton KultPlus. Në fillim të këtij viti, këngëtari i famshëm kanadez, The Weeknd, pati akuzuar “Grammyn” se është i korruptuar pasi ai ishte injoruar në nominimet për këtë vit, pavarësisht se kishte këngën e cila kishte thyer rekord duke qëndruar për 52 javë në US Top 10.

Akademia ndërkohë ka bërë të ditur se më shumë se 90% e anëtarëve të saj, do t’i nënshtrohen një “procesi të rikualifikimit” për tu siguruar se trupa e votimit “është aktivisht e lidhur me krijimet në muzikë”.

Po ashtu, Akademia ka bërë të ditur se do të reduktojë një numër të kategorive në të cilat votuesit mund të votojnë dhe se do të shtohen dy kategori të tjera të çmimeve.

Presidenti i përkohshëm i Akademisë, Harvey Mason, ka thënë se ky vit ka qenë një “vit i ndryshimeve të paprecendentë”. / KultPlus.com

Kurti në Parlamentin Evropian: Perandori dhe regjime të ndryshme deshën të na asimilojnë, t’i marrin tokat tona dhe ta shuajnë ekzistencën tonë

KultPlus ju sjell të plotë fjalimin e Albin Kurtit në Parlamentin Evropian

Fjalimi im para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian

Good evening. Bonsoir. Guten Abend. (Mirëmbrëma)

I nderuar Kryesues, të nderuar anëtarë, të nderuar miq, është nder të jem këtu me ju sot.

Së pari, më lejoni të ju falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme që i keni dhënë vendit tonë dhe gjithashtu për rezolutën tuaj të fundit, e cila mirëpret dhe riafirmon perspektivën e zgjerimit për Kosovën dhe liberalizimin e vizave.

Fluturimi nga Prishtina për në Bruksel zgjat diku më pak se 3 orë, mirëpo për të ardhur këtu ne duhet t’i tejkalojmë disa barriera të mëdha të shkaktuara nga kufizimi i vizave, keqperceptimi, dhe paragjykimet.

E di që nuk jam udhëheqësi i pari që po flas në këtë institucion të nderuar, edhe udhëheqës të tjerë nga Kosova kanë folur para meje, në rrethana dhe kohë të ndryshme. Sot po ju flas si Kryeministër i një shteti sovran e të pavarur, i vogël por i rëndësishëm, i varfër por plot shpresë, i ri por i lashtë në të njëjtën kohë, i cili disa herë ka mbrojtur vlerat tona të përbashkëta evropiane.

Si popull kemi vuajtur pushtime nga perandori dhe regjime të ndryshme, të cilat deshën të na asimilojnë gjuhën dhe kulturën tonë, t’i marrin tokat tona dhe ta shuajnë ekzistencën tonë, fushatë e cila preku kulmin në vitin 1999 nga gjenocidi dhe dëbini i afër 1 milion njerëzve nga Kosova më 1999.

Pas Luftës së Dytë Botërore, bota u bë së bashku për të mos lejuar që mizori dhe tmerre të tilla të përsëriten në Evropë, megjithatë ato ndodhën në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.

71 vjet më parë, gjersa Evropa po pastronte rrënojat e mbetura nga lufta, kohë kur vuajtjet ishin ende të mëdha, urrejtja dhe mosbesimi mbizotëronin dhe drejtësia nuk kishte ardhur në vend, lindi ideja e bashkëpunimit përmes institucioneve të përbashkëta.

Baballarët themelues të Bashkimit Evropian kishin përjetuar shkatërrimin e fuqishëm të luftës, dhe ishin dëshmitarë të anës së errët të arsyes njerëzore. Aty ku të tjerët panë luftë të pashmangshme, ata panë mundësinë për paqe dhe bashkëpunim, dhe kur të tjerët panë konkurrencë, me ç’rast fitorja e njërit është humbja e tjetrit, ata panë mundësinë që të gjithë të fitonin.

Historia është një seri e gjatë mësimesh të vështira. Por mbase pjesa më e rëndësishme për të mësuar është se paqja kërkon edhe drejtësi, por edhe përgjegjësi. Ne e dimë se pa gjyqet e Nurembergut dhe gjunjëzimin e Willy Brandt, pajtimi nuk do të ndodhte kurrë.

Bashkimi Evropian u ndërtua përmes betejës kundër fashizmit, dhe paqja evropiane ka në themel antifashizmin.

Pra, asnjëherë nuk duhet ta marrim si të mirëqenë as BE-në dhe as paqen, dhe duhet të kujtojmë se paqja nuk është thjesht mungesa e konfliktit të dhunshëm, por prania aktive e drejtësisë së vërtetë. Një paqe e drejtë me një shtet të mirëqenies që funksionon për të gjithë pa marrë parasysh kombësinë, fenë dhe gjininë.

Kjo gjë më sjell te Kosova dhe te dialogu i shumëpërfolur me Serbinë.

Kosova e pranon dialogun me Serbinë, dëshiron t’i zgjidhë të gjitha çështjet e pazgjidhura, dëshiron marrëdhënie paqësore dhe bashkëpunim paqësor, në mënyrë që të dy vendet tona dhe popujt tanë të mund të punojnë dhe jetojnë në harmoni, krah për krah dhe së bashku.

Pikërisht për këtë arsye, 13 vjet më parë, pas një procesi negociatash në Vjenë, i udhëhequr nga një i dërguar special i Kombeve të Bashkuara, me pëlqimin e demokracive botërore, Kosova u shpall shtet sovran dhe i pavarur. Pavarësia ishte kompromis i bazuar në një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila shpalli Kosovën, një popull i përbërë nga 95% shqiptarë, si shoqëri multietnike; krijoi komuna me shumicë të komunitetit serb, dhe zona të veçanta të mbrojtura brenda territorit për vendet fetare, dhe shumë të drejta të tjera të zgjeruara dhe të veçanta, sidomos për komunitetin serb.

Sot, në parlamentin tonë, serbët dhe pakicat e tjera nuk i kanë vetëm vendet e rezervuara, por një shumicë të dyfishtë mbi shumë ligje dhe Kushtetutë. Të drejta të cilat as që mund të krahasohen nga afër me shtete të tjera evropiane.

Këto nuk janë vetëm opinione për t’u debatuar, por fakte për t’u përballur.

Ata që më kanë përcjellë mua dhe Lëvizjen të cilës i përkas, e dinë që si aktivist që nga fillimi kam kundërshtuar të drejtat e veçanta dhe zonat e veçanta, dhe kam avokuar për pavarësi dhe vetëvendosje si një e drejtë që na takon neve si popull.

Tani si Kryeministër, i cili ka fituar mbi 50% të votave në vend, detyra ime e parë është të mbroj sovranitetin, pavarësinë dhe kushtetutën tonë. Pra, ne jemi për dialog, por dialog që është i përgatitur mirë dhe me parime, i drejtë dhe i barabartë. Prandaj, më lejoni t’i përmend këto parime:

E para është pranimi i realitetit. Kjo do të thotë që ne nuk mund të kthehemi në kohën para pavarësisë. Pavarësia e Kosovës, bazuar në pakon e Ahtisaarit ishte një kompromis. Hapja e kësaj pakoje nënkupton hapjen e një liste dëshirash e shtysash, gjë që do na çonte në ngjarje të paparashikueshme dhe pasoja të padëshiruara.

E dyta është pranimi i së vërtetës. Serbia duhet të pranojë krimet dhe keqbërjet e saj në të kaluarën në Kosovë. Për të ndaluar gjenocidin, NATO-s iu desht të bombardonte Beogradin në Serbi sepse ishte Beogradi me regjimin e Millosheviqit ai që bëri gjenocid në Kosovë. Ishte aparatura shtetërore me zyrtarët qeveritarë dhe një zinxhir komandues i njohur për të gjithë. Megjithatë, pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe pas regjimit të Millosheviqit, qeveria e re në Serbi nuk është distancuar nga Millosheviqi dhe krimet e luftës. Duke mos u distancuar nga krimet e luftës, Serbia po identifikohet më afër me to.

E treta është barazia e përfaqësuesve. Në çdo tryezë ne ulemi si të barabartë për të zgjidhur problemet ekzistuese dhe jo për të krijuar probleme të reja. Kosova nuk është një çështje në dialog, por një palë e dialogut, dhe kjo duhet të kuptohet mirë para çdo raundi të ri të bisedimeve me Serbinë.

E katërta, qytetarët duhet të jenë përfituesit fundor. Dialogu nuk mund të bëhet për ruajtjen e reputacionit ose karrierës së politikanëve në detyrë, por me përmirësimin e jetës së qytetarëve në terren. Kjo do të thotë që ne ofrojmë zgjidhje reale për problemet reale, siç është fati i personave të zhdukur, prej të cilëve një e treta nuk janë shqiptarë, të tilla si sigurimi i ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike të pandërprerë, ndërtimi i rrugëve dhe urave, dhe afrimi i komuniteteve rreth një qëllimi të përbashkët. Ky është lloji i dialogut që ne duam të ndjekim dhe që është në përputhje me parimet e BE-së mbi përfshirjen, bashkekzistencën, solidaritetin dhe drejtësinë.

Ne duhet të adresojmë borxhet, trashëgiminë dhe reparacionet e luftës;

– Përafërsisht 3 miliard euro në dëmin pasuror dhe jopasuror të pensioneve të papaguara.

– Mbi 400 milionë euro në dëmin pasuror dhe dëmin jopasuror të keqpërdorimit të rrjetit të energjisë elektrike.

– Pasuritë e Kosovës në Serbi dhe të ish-republikave të tjera të RSFJ-së, statusi i të cilave nuk është adresuar ende.

– Reparacionet e luftës të cilat duhet të përfshijnë garancitë e mos-përsëritjes, dëmshpërblimit dhe kompensimit.

Këto janë gjëra për të cilat duhet të flasim dhe t’i zgjidhim, dhe për të cilat qeveria ime është plotësisht e përkushtuar.

Evropa i ka dhënë botës aq shumë, por gjithashtu ka nxjerrë shumë mësime, përmes luftës dhe iluminizmit, shtypjes dhe revolucionit, dhe ka gjetur paqe vetëm përmes pranimit të realitetit dhe të vërtetës.

Kjo është ajo që ne kërkojmë. Një pasqyrë që ne të shohim veten dhe të njohim veten sepse historia nuk mund të injorohet sepse mund të përsëritet.

Çdo pranverë, Kosova mban zi dhe kujton masakrat nga regjimi serb në 1998 dhe 1999, në çdo cep të vendit.

Deri më sot, ne ende kemi 1632 persona të zhdukur dhe 22 vjet pas luftës, familjet e tyre ende nuk mund të vendosin lule në varret e tyre dhe të pikëllohen në mënyrën tradicionale. Plagët e tyre janë plagët tona, vuajtjet e tyre janë vuajtjet tona. Kjo është arsyeja pse çështja e parë që duhet të zgjidhim është fati i personave të zhdukur. Nëse nuk mund të bëjmë përparim në këtë fushë, atëherë është vështirë të bëjmë ndonjë përparim në ndonjë fushë tjetër.

Pra, nuk duhet ta injorojmë historinë, sepse injorimi i saj do të nënkuptojë injorimin e mësimeve që janë shkruar në varrezat e këtij kontinenti.

Bashkimi Evropian është projekti më i suksesshëm në botë për paqe, prosperitet dhe mirëqenie. Por përparimi dhe prosperiteti juaj duhet të ndahen.

Unë e falënderoj këtë institucion që mbështetë Kosovën në kohën e saj më të vështirë dhe që kërkon në mënyrë pro-aktive për ta çuar përpara Kosovën në rrugën e saj të BE-së, por ne duhet të bëjmë më shumë.

Shtetet kombe të BE në Këshill nuk duhet të bllokojnë vullnetin demokratik në parlament. Kosovës duhet t’i jepet liberalizimi i vizave dhe të marrë një rrugë të qartë drejt integrimit në BE pa veto dhe pa bllokime.

Ne nuk duhet të kërkojmë të kopjojmë një BE në Ballkan përmes disa iniciativave të cilat vetëm mund të vonojnë anëtarësimin tonë, por ne duhet të rrisim bashkëpunimin tonë rajonal në mënyrë që ai ta bëjë procesin e anëtarësimit më të lehtë dhe më të shpejtë.

Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga vendet e BE-së dhe ne duhet të trajtohemi si anëtarë të ardhshëm, jo si fqinjë. Sa më shpejt që të ecim drejt BE-së, aq më e sigurt do të bëhet Evropa dhe e lirë nga ndërhyrjet e huaja që kërkojnë destabilizim.

Si përfundim, unë besoj se është në interes të BE-së dhe Evropës që të dalin me një Mini-Marshall, plan i cili do të shpejtonte reformat dhe anëtarësimin e plotë. Plani Marshall i ShBA-së shpëtoi dhe ndërtoi Evropën dhe krijoi mrekulli ekonomike, tani është koha që BE-ja të shpëtojë dhe të ndërtojë Ballkanin Perëndimor.

Ju faleminderit./ KultPlus.com