Osmani: Ndërkombëtarët s’mund të na kërkojnë ta zbatojmë vendimin për Manastirin e jo atë të Asociacionit

Presidentja Vjosa Osmani, ka hedhur kritika ndaj komunitetit ndërkombëtar lidhur me kërkesat e tyre për zbatim të vendimit të Kushtetueses për tokat rreth Manastirit të Deçanit.

Shefja e shtetit ka thënë se askush s’mund t’i kërkojë Kosovës që ta zbatojë vendimin për Manastirin por të mos e zbatojë vendimin e Kushtetueses për Asociacionin, raporton Gazeta Express.

“Nëse kërkohet nga komuniteti ndërkombëtar që të shtyhet çështja e zbatimit të Manastirit të Deçanit, pyetja është pse nuk janë aq të zëshëm edhe për shumë e shumë vendime të tjera të Gjykatës Kushtetuese që nuk janë zbatuar në praktikë, pra nuk mund të ketë qasje të ndarë që të kërkohet vetëm njëri të zbatohet e jo të tjerat. Nuk mundet askush me i thënë institucioneve të Kosovës zbatojeni vendimin për Manastirin e Deçanit por mos e zbatoni atë për Asociacionin”, ka thënë ajo në emisionin Interaktiv.

Osmani poashtu tha se çështja e Asociacionit është sqaruar me Aktgjykimin e Kushtetueses dhe s’mund të bëhen propozime për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe pas Aktgjykimit.

“Si mendoni ju që mund të bëhet një propozim për Asociacionin përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Çështja e Asociacionit është sqaruar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.”, tha ajo.

Presidentja deklaroi tutje se Gjykata Kushtetuese s’i ka dhënë fund vetëm një çështje në Aktgjykimin për Asociacionin, e që është një OJQ.

“E vetmja gjë të cilës nuk i ka dhënë fund Gjykata Kushtetuese është një OJQ-je, pra një OJQ e cila tashmë edhe parashihet me ligjin për vetqeverisjen lokale. Pra ligji ynë i lejon komunat që të bashkohen nëpër OJQ për interesa të caktuara, ta zëmë komunat që kanë interes në çështje ambientale, formojnë një Asociacion për interesa të gjelbërta ta zëmë Asociacioni i Komunave të Gjelbërta”, tha ajo.

Osmani shtoi se asociacionet me kompetenca ekzekutive janë të ndaluara nga Kushtetuesja dhe s’mund të zbatohen në praktikë.

“Asociacione të tilla që kanë kauza, por asociacionet monoetnike i ka ndaluar Gjykata Kushtetuese. Asociacionet me kompetenca ekzekutive janë të ndaluara në Kushtetutën tonë dhe të konfirmuara nga Gjykata Kushtetuese. Pra këtu po flasim për parimet, dhe natyrisht assesi ato që i ka ndaluar Gjykata Kushtetuese nuk mund të zbatohen në praktikë vetëm ato që nuk i ka ndaluar pavarësisht se shumë prej tyre nuk na kanë pëlqyer fare në të kaluarën Kosova ka marrë obligim ndërkombëtar”, u shpreh Osmani./ KultPlus.com

Fuqia rezistuese e këngës “Hallelujah” të Leonard Cohenit

Nga: Rob LeDonne / The Guardian

“Nuk mund ta mendoj ndonjë këngë tjetër me trajektore të tillë si ajo që ka ndodhur me ‘Hallelujah’”, ka thënë autori Alan Light që është marrë me kryeveprën e kudogjendur të Leonard Cohenit. “Kur mendoni për himnet universale globale, si ‘Imagine’ ose ‘Bridge Over Troubled Water’, ato ishin hite të menjëhershme. Por, ‘Hallelujah’ fillimisht u refuzua nga kompania diskografike dhe më pas, kur doli, tërësisht u injorua”.

Kështu vazhdon legjenda e këngës së Cohenit që ka mahnitur breza të tërë dëgjuesish, me një mistikë dhe peshë që e bën të veçantë në analet e historisë së muzikës. Ndoshta kjo është arsyeja se pse Lighti i sipërpërmendur e shkroi një libër të tërë për këtë këngë: veprën e vitit 2012, “The Holy Or the Broken: Leonard Cohen, Jeff Buckley dhe Unlikely Ascent of ‘Hallelujah’”. Është po ky libër që shërben si bazë për dokumentarin e ri “Hallelujah: Leonard Cohen, A Journey, A Song”, që në fillim të këtij muaji u dha premierë në Festivalin e Filmit në Tribeca. Me regji dhe produksion nga Dayna Goldfine dhe Dan Geller, filmi ka qasje mikro dhe makro ndaj këngës dhe ndaj Cohenit, përfshirë vendet ku përkasin e që janë thellësisht të ndërthurura në kulturë.

“Me pak fjalë, Leonard Cohen ishte profet”, shpjegon Goldfine e cila së bashku me Gellerin ka krijuar karrierë të ngjeshur me regji të dokumentarëve që fokusohen në muzikë, përfshirë “Balets Russes” të vitit 2005 që flet për trupën ruse të baletit të fillimit të shekullit XX. “Leonardi ishte i njohur për shkrimin e përjetshëm dhe për poezinë e përjetshme që lundron përtej çdo epoke të caktuar”, ka thënë Goldfine. “I trajtoi brengat tona më të thella njerëzore, me dëshirën për lidhje dhe një lloj shprese, për transcendencë dhe njohje të vështirësive të jetës.”

Derisa “Hallelujah” mund të tingëllojë si standard i vjetër ose si ndonjë himn i lashtë i bartur nëpër shekuj, në fakt u shkrua në vitin 1983 duke e përdorur një tastierë të dobët elektrike, “Casio”. “Nuk ka ndonjë kompozitor tjetër si Coheni”, thotë Light për gjuhën që Coheni solli në artin e vet. “Qasja e tij ndaj gjuhës dhe ndaj zanatit duket ndryshe nga puna e kujtdo tjetër. Dhe, tingëllojnë si të rrënjosura në poezi dhe në letërsi, sepse fillimisht u shqua si poet dhe si romancier”. Cohen shkroi pa pushim, duke shkruar 180 vargje vetëm për këngën “Hallelujah” gjatë procesit të krijimit. Dramës së saj të qenësishme i shtohet vokali i thellë i versionit origjinal, me zërin e Cohenit që u thellua pas viteve të tëra të pirjes së duhanit.

Por, ishte “Columbia Records” – në një zgjedhje të ngjashme si “Decca Records” që dikur, më 1962, e refuzoi grupin e ri Beatles për një kontratë diskografike – ajo që merr vendimin se “Hallelujah” dhe albumi prej të cilit vinte, “Various Positions”, nuk e kishin trajtën komerciale që e kërkonin. Siç dëshmon dokumentari, Coheni u lëndua dhe albumi përfundimisht u publikua nga një kompani e pavarur. “Leonardi shihte me njëfarë habie dhe dëfrimi se si kjo këngë që ishte hedhur poshtë dhe që refuzua nga shtëpia e tij diskografike, nisi të bëhet kënga e tij identifikuese”, thotë Light për reagimin e Cohenit ndaj suksesit të mëvonshëm. “Foli disa herë se kishte ndjenja hakmarrjeje, por edhe drejtësie për mënyrën se si kënga u njoh dhe u vlerësua më vonë”. Versioni i Cohenit nuk u fut në listat e Billboard-it, deri në vdekjen e tij në vitin 2016, në moshën 82-vjeçare.

Sa i përket arsyes se pse “Hallelujah” arriti në këto lartësi, kjo është për shkak të llojllojshmërisë unike të versioneve, ngjarjeve kulturore dhe një cilësie të pakapshme që kënga pa dyshim posedon. Kërkojeni këngën sot në Spotify dhe është versioni nga Jeff Buckley, jo origjinali nga Coheni, ai që është në maje të kërkimit; çiftimi i temës mbërthyese të këngës në incizimin e papërpunuar nga Buckley më 1994, së bashku me vdekjen e kantautorit që u mbyt në ujë në moshën 30-vjeçare, shtojnë një shtresë tjetër në peshën e kësaj kënge. Versioni i tij u fut në regjistrin kombëtar të Bibliotekës së Kongresit më 2013. Pastaj është qasja e njohur nga John Cale, artisti i parë që e përpunoi këngën më 1991.

Por, çuditërisht, kudondodhja moderne e këngës mund të gjurmohet edhe në vendosjen e saj më të spikatur në “Shrek”, në filmin e dytë më fitimprurës të vitit 2001, që në mënyrë efektive e futi këngën “Hallelujah” në nivelet e larta të kulturës popullore (filmi përmban versionin nga Cale, ndërsa kolona zanore përfshin versionin nga Rufus Wainwright). Ndoshta ishte gjë e duhur që një komedi e animuar të nxis legjendën për Cohenin, duke pasur parasysh që, sipas Gellerit, keqkuptimi më i madh për vetë Cohenin është se ai fillimisht konsiderohej si këngëtar i errësirës dhe i fatkeqësive. “Në vend të kësaj, e hasëm një burrë që ishte me humor”, shpjegoi Geller. “Pothuajse gjithçka që ai tha doli me vezullim nga sytë e tij”.

Viteve të fundit, “Hallelujah” ka pasur dhjetëra paraqitje në televizione dhe në filma (nga “Scrubs” te “Zack Snyder’s Justice League”) dhe është kënduar nga të gjithë – nga Bob Dylan te Bono, nga Brandi Carlile te Il Divo. Komediania Kate McKinnon e këndoi në karakterin e Hillary Clintonit për të hapur episodin e parë të “Saturday Night Live” pas zgjedhjes së Donald Trumpit më 2016. Ndërkohë, Yolanda Adams e performoi në mënyrën e saj vitin e kaluar, në Ditën Kombëtare të Përkujtimit të Covidit, në Memorialin Linkoln. E, të mos përmendim këtu bollëkun e konkurrentëve në garat e këngëve, që nga “The X Factor” e deri te “American Idol”, të cilët kënduan për rënien e molëve dhe të durëve, për mirë ose për keq.

“Është Test i Rorshahut”, thotë Light për interpretimet e ndryshme të teksteve të tij, përfshirë idenë se është menduar të jetë këngë e krishterë. Në realitet, siç tregon edhe filmi, Coheni ishte hebre. “Fjala ‘Hallelujah’ shfaqet nëpër fe dhe besime. Edhe pse qartësisht judaizmi i Leonardit informon aq shumë për atë që ai vendosi në këngë, janë njerëzit ata që marrin atë që nevojitet prej saj dhe atë që ata duan të jetë. Mendoj se kjo është arsyeja se pse luhet kudo, që nga dasmat e deri te funeralet dhe lindjet”. Geller shton për krijimtarinë muzikore të Cohenit: “I ka shumë të bukura këto tekste dhe aranzhime muzikore, që janë përtej kohës, që mund të mbijetojnë dhe të jenë të rëndësishme për audiencën e të gjitha moshave”.

Për filmbërësit, ishin pamjet e Cohenit duke kënduar këngën “Hallelujah” në skenë, gjatë një shfaqjeje në Oukland, në Kaliforni, që pjesërisht i frymëzoi të sajonin dokumentarin. “Thjesht nuk mund të ndaloja së menduari për këtë”, thotë Goldfine. “Është më shumë se një këngë. Është dokumentar për qendrën e dikujt, për rolin dhe vendin e dikujt në jetë”. /Telegrafi/ KultPlus.com

Ministrja Hajdari paralajmëron rritje të çmimeve në vjeshtë

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka paralajmëruar se në vjeshtë mund të ketë sërish rritje të çmimeve.

Sipas saj, ka statistika që tregojnë se ndoshta mund të ketë rritje.

“Ne nuk mund ta parashikojmë rritjen, ka statistika që thuhet se ndoshta në vjeshtë mund të ketë rritje por ndoshta nuk mund të ketë rritje sepse nuk e ke paraparë luftën”, ka deklaruar Hajdari.

E pyetur se cili është plani pasi janë të vetëdijshëm se një krizë tjetër mund të vijë në vjeshtë, Hajdari tha se “sikur të kisha me shumë miliarda në Kosovë do të kisha vepruar shumë lehtë, të mbushi arkën e shtetit me të gjitha furnizimet dhe ta sigurojë tregun e Kosovës”.

Tutje, Hajdari ka deklaruar se do të zhvillojnë masa dhe paketa përkrahëse, por se kjo varet nga buxheti.

“Gjithçka shkon në mundësinë e buxhetit, sa të kemi buxhet kemi mundësi të zhvillojmë edhe masa dhe paketa përkrahëse. Sa të kemi buxhet kemi mundësi të jemi edhe pjesë e stabilizimit të tregut. Por çka mundemi tani për tani të veprojmë, të ndalim lojën e pafavorshme dhe lojën jo fer të lojtarëve që janë spekulant në treg”, ka deklaruar Hajdari në Tëvë 1.

Ajo ka folur edhe për rezervat shtetërore. Tha se në rezervat shtetërore kanë shtuar 10 milionë euro furnizim me grurë, vaj dhe sheqer.

“Kur erdha si ministre e re kuptova që rezerva e shtetit duhet të pasurohet më shumë dhe u mora me politiken e furnizimit për rezervën shtetërore. Kemi grurë dhe të gjitha produktet elementare, jemi furnizuar dukshëm më mirë. Tash do të ketë pasurim edhe më të lartë është çështje muajsh dhe më shumë, pasurim më të lartë edhe në korrik kur kemi të korrurat vendore.

Kemi shtuar plus 10 milionë euro furnizimin që është me grurë me vaj dhe sheqer. Mbi 60% e rendimentit është rritur në prodhimin vendor, duke e hequr edhe akcizën. Ne e kemi rezervën për situata më të vështira në rast të luftës, ose fatkeqësive natyrore, ne synojmë në afat më të gjatë të jemi me më shumë furnizim të rezervave shtetërore që të balancojmë edhe tregun përmes rezervës shtetërore nëse lejon buxheti”, ka deklaruar Hajdari./ KultPlus.com

Kamberi: Zotohem se do t’i mbrojë interesat e shqiptarëve të shtypur dhe të diskriminuar

Shaip Kamberi është rizgjedhur si deputet në Parlamentin e Serbisë, pasi siguroi 698 vota në zgjedhjet që janë mbajtur në Tërnoc të Bujanocit.

Pas rizgjedhjes, Kamberi ka reaguar përmes një postimi në Fcaebook, ku është shprehur se gjithë pengesat, shqiptarët kësaj radhe nuk mbeten pa deputet në parlamentin e ri të Serbisë.

“Me krejt politikën dhe veprimet penguese të (pu)shtetit, shqiptarët vendorë nuk mbeten pa deputet në parlamentin e ri të Serbisë.

Kjo sot falë votuese të Tërnocit. Kjo në përgjithësi falë vullnetin të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kjo falë punës së palodhshme të aktivistëve dhe simpatizuesve, atyre të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës. Kjo falë përkrahjes së madhe nga kudo ku përqafohen vlerat e demokracisë liberale. Nga kudo ku flitet shqip.

Ju faleminderit të gjithëve nga zemra”, ka shkruar Kamberi i cili tutje ka potencuar që përgjegjësitë janë të mëdha. Problemet janë të shumta. Konteksti është i vështirë.

Por me punë dhe unitet do t’ia dalim.

“Zotohem se do të jem deputet i të gjithëve.

Zotohem se do t’i mbrojë interesat e qytetarëve që duan të drejta dhe mirëqenie. Interesat e shqiptarëve të shtypur dhe të diskriminuar.

Zotohem se do ta ndjek politikën e orientimeve pro-perëndimore, për paqe të qëndrueshme në rajon.

Vazhdojmë bashkë!

Për liri, për barazi, për demokraci”, përfundon Kamberi. / KultPlus.com

Shaip Kamberi është rizgjedhur si deputet në Parlamentin e Serbisë

Shaip Kamberi është rizgjedhur si deputet në Parlamentin e Serbisë, pasi siguroi 698 vota në zgjedhjet që janë mbajtur në Tërnoc të Bujanocit.

Pas përfundimit të votimit, Kamberi tha se këtë herë “dreqërit mbetën të parëndësishëm”.

“Kësaj radhe dreqërit mbetën të parëndësishëm, herën e kaluar patën ndikimin e drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor dhe i sollën një mundim të madh të gjithë fshatit, pavarësisht se sa janë, janë të parëndësishëm”, tha Kamberi.

Kamberi tregoi se edhe kush i mposhti “dreqërit”.

“I mposhti një mobilizim i madh i Tërnocit dhe komisionerëve tanë”, shtoi ai.

Ai potencoi edhe shqetësimet që do t’i adresojë në parlament.

“Shqetësimet janë shumë të shumta, vjen si produkt i diskriminimeve nga qeveria, nga mosnjohja e diplomave, mos zhvillimi ekonomik, që po ndikon në zbrazjen e rajonit. Gjendja në Medvegjë, Bujanoc, Preshevë, me fshirjen e listave”, tha ai në Klan Kosova.

Ndryshe, Kamberi do të jetë deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin serb./KultPlus.com