Plagoset një mësuese në shkollën “7 Marsi” në Prishtinë, u godit tre herë me thikë

30 Prill, 2019 - 1:50 pm

Një nënë dyshohet se ka plagosur një mësuese në shkollën ‘7 marsi’ në Prishtinë.

Rastin për KTV-në e ka konfirmuar edhe drejtoresha e shkollës, Shpresa Gashi – Çitaku. Ajo ka thënë shkurt se ka ndodhur një incident por i cili ka përfunduar pa fatalitet.

“Rasti ka ndodhur rreth orës 10. Nuk mund të them asnjë detaj më shumë sepse rasti tani i ka kaluar Policisë për hetime”, ka thënë drejtoresha e shkollës në lagjen Kalabria të kryeqytetit.

Për këtë rast, është arrestuar një grua. Policia ka bërë të ditur se B.D. 38-vjeçare është arrestuar për “Lëndim trupor”.

Ajo dyshohet se ka therur me thikë mësuesen V.P. e cila është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Për këtë ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai ka thënë se e ka vizituar mësuesen në QKUK dhe se gjendja e saj është larg rrezikut për jetë.

“Para pak orësh në shkollën 7 marsi në Prishtinë një prinde e një nxënëse në parashkollor ka sulmuar me thikë një mësuese edukatore në vendin e saj të punës. Sapo vizitova mësuesen në QKUK dhe për fat të mirë ajo është larg rrezikut për jetë. Sulmuesja është arrestuar dhe policia po e heton rastin. Mësueses, që me dekada punon në Komunën tonë për të përcjellur dhe përgatitur gjenerata të parashkollorëve, i urojmë shërim të shpejtë”, ka shkruar ai.

Ndërsa, Dafina Basholli, specialiste e mjekësisë emergjente, ka thënë se mësuesja V.P. në shkollën fillore “7 Marsi” në Prishtinë ishte therur tre herë me thikë në zonën e abdomenit.

Në një deklaratë për media, Basholli ka bërë të ditur se gjendja e mësueses së plagosur tani është stabile.

“Ka pasur tri therje me thikë. Tani gjendja e saj është stabile. Janë bërë ekzaminimet dhe tani pranohet në kirurgjinë abdominale”, ka thënë ajo teksa ka shtuar se në momentin e pranimit në QKUK, mësuesja ishte shumë e shqetësuar emocionalisht. / KultPlus.com

Të ngjajshme