Flaka e Janarit në trashëgiminë shpirtërore të Kosovës

26 Tetor, 2020 - 1:18 pm

Në vigjilje të 30-vjetorit të manifestimit kulturor e mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2021”, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ia ka dorëzuar vendimin kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, për futjen e këtij manifestimi në trashëgiminë shpirtërore.

“Sot kemi ardhur me një lajm të mirë në Gjilan. Meqë është bërë për 29 vjet një traditë e manifestimit “Flaka e Janarit”, e cila përmban katër shtylla kryesore, sot jam shumë e nderuar që po ia dorëzoj kryetarit Haziri vendimin për futjen e “Flakës…” në trashëgiminë shpirtërore. E gëzoftë Gjilani dhe uroj që ky manifestim të jetë gjithmonë i gjallë sa është jeta njerëzore sepse me anë të këtij manifestimi, janë nderuar shumë emra të mëdhenj të kombit tonë”, ka thënë Dumoshi.

Lutfi Haziri tha se kjo është mirënjohja më e madhe që i jepet Gjilanit, duke shtuar se rangohet me mirënjohjen që Parlamenti Europian ia ka dhënë me epitetin “Qytet i Paqes” dhe në rrafshin e mirënjohjes kolektive të Presidencës së Kosovës si “Qytet i Lirisë”.

“Për 30 vjet, burra e gra në Gjilan, në ditët më të vështira dhe në ditë të mira, janë gjunjëzuar para veprës së heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit, të cilët i kanë dhënë këtij vendi ditën e bardhë të lirisë. Janari kudo është ‘muaj i vdekur’, vetëm ne bëjmë përjashtim sepse më 11 janar, në ditën e rënies së Rexhep Malës e Nuhi Berishës, fillojmë me këtë manifestim dhe i përfundojmë aktivitetet më 31 janar, në nderim të të rënëve përmes vlerave kulturore’, ka thënë Haziri.

Ai ka theksuar se ky vendim e bën të mundur që ky manifestim të njihet nga të gjitha gjeneratat e ardhshme. / KultPlus.com

Të ngjajshme