Buka e Mikelit

4 Mars, 2021 - 1:30 pm

Urime ditëlindjen biri im,

Poezi nga Nerimane Kamberi

Atë dite, e martë, mëngjes
Ditë pazari në Prishtinë,
Ta dhash jetën, e te vune ne gjoksin tim
I vogël si buka e Mikelit,
Sytë e mbyllur kërkojshe gjinin

Nuk të rrejta bir
Kjo botë nuk ështe më e mira botë
Menjëhere të kam tregu
Se as ky vend as këta njerëz
Nuk ia vlejnë me i çel ata sy jeshil

E ti kur e pishe tomlin e gjinit
Hallal të qoftë
Të këndojsha ninulla
E të tregojsha për ëndërrat e mia
Për ty, e për mu

Por nuk bën me u mashtru
Iluzione ishin ato
E ti bën me më qortu
Se edhe prindët gabojnë
Kur jetën krejt bardh e bojnë

Jeta është a fucking bitch
E Kosova an amazing witch
Siç këndojnë reperat e tu
Ti mbaje kokën lart
E përbije çdo inat

Nanën kanë me ta sha
Edhe nanën e nanës
Mos u ndal, por mos fal
Para oqeanit, muri nuk të kam ndërtu
Por me notu të kam mësu

Biri im, bëhu i mirë
E bon mirë, kaq di me të thanë
Mos u përul as mos u nënshtro
Kurrë, kurrë, kurrë,
Ki fytyrë e nder, thojnë pleqtë

Ta dhash jetën e ta dhash murtajën
Por edhe shume dashuri
E kalojme bashkë po te premtoj, se ke idenë
Diellit i buzëqeshim kur ia qesim kraët
Për pak vitaminë D

Paç fatin e bardhë
Këtë urim e ke dhuratë
E një gjë duhet ta besosh
Gjithmonë do të më kesh engjëll mbrojtës

Të gjitha përrallat që t’i kam tregu
Të githa tregimet që t’i kam shkru
Kanë nje vazhdim, se jeta fundja është e bukur
Kam edhe shumeçka me ju fol
Ty dhe fëmijve të tu, dhe fëmijve të femijve të tu. / KultPlus.com

Të ngjajshme