Jude Law: Nuk kam frikë nga pasojat për interpretimin e Putinit

1 Shtator, 2025 - 6:07 pm

Aktori i njohur anglez, Jude Law portretizon presidentin rus, Vladimir Putin në një thriller të ri politik që u shfaq premierë të dielën në Festivalin e Filmit në Venecia dhe tha se nuk ishte i shqetësuar për reagimin e udhëheqësit rus.

“Në mënyrë naive, shpresoj jo, por nuk kam frikë nga pasojat”, tha 52-vjeçari në një konferencë për shtyp në Venecia.

“The wizard of the Kremlin” u shfaq premierë të dielën në mbrëmje në festivalin e filmit.

Vepra e regjisorit francez Olivier Assayas po konkurron me 20 filma të tjerë për Luanin e Artë.

Në adaptimin e tij filmik të romanit, Assayas thekson ngritjen e Putinit për t’u bërë president i Rusisë.

Historia tregohet nga perspektiva e një këshilltari të ri (Paul Dano), i cili është një personazh imagjinar, por thuhet se bazohet në politikanin rus, Vladislav Surkov.

“Ndihesha i sigurt, në duart e Olivierit dhe skenarit, se kjo histori do të tregohej në mënyrë inteligjente dhe me nuanca dhe konsideratë”, tha Law.

“Ne nuk po kërkonim polemika për hir të polemikave. Është një personazh në një histori më të gjerë. Ne nuk po përpiqeshim të përcaktonim asgjë për askënd”, shtoi Law.

Ai tha se ekipi punoi ngushtë me specialistë të grimit dhe flokëve dhe u mbështet në referenca nga ajo periudhë e jetës së Putinit për të krijuar një ngjashmëri bindëse.

“Është e mahnitshme se çfarë mund të bëjë një paruke e shkëlqyer”, tha ai.

Për përgatitjen e rolit, Law tha se u zhyt në materiale të gjera video.

”Sfida më e madhe ishte se imazhi publik i Putinit ofron shumë pak informacion”, tha ai.

Kur u pyet nëse mori diçka pozitive nga roli, Law tha se “mësova xhudon”.

Putin njihet si praktikant i xhudos./KultPlus.com

Të ngjajshme