Projekti i fundit sekret i David Bowie-t zbulohet i mbyllur në studion e tij

5 Shtator, 2025 - 2:00 pm

Kur David Bowie ndërroi jetë në vitin 2016, ai la pas albumin Blackstar, një vepër e fundit e formësuar nga diagnoza e kancerit dhe përballja me vdekshmërinë.
Por gjatë muajve të tij të fundit, ai kishte nisur edhe një projekt tjetër: një “musikal i shekullit të 18-të”, që mbeti i panjohur për publikun dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, deri sa u gjet i mbyllur në studion e tij.

Projekti, i quajtur “The Spectator”, u zbulua në një dhomë që ishte gjithmonë e mbyllur me çelës, ku vetëm Bowie dhe asistenti i tij personal kishin akses.
Arkivistët e zbuluan ndërsa katalogonin sendet e tij. Tani, ky material i është dhuruar Muzeut V&A dhe do të jetë i qasshëm për publikun në David Bowie Centre që hapet më 13 shtator në Hackney Wick, Londër.

Në dhomën e punës u gjetën:

Dhjetëra shënime me ngjitës, me ide që mund të zhvendoseshin për të krijuar një strukturë të muzikës.

Një fletore spirale, ku Bowie kishte analizuar dhe vlerësuar artikuj nga revista “The Spectator” (botuar në 1711-1712).

Komente si “mund të jetë një nënshtresë e mirë” ose “8/10 – interesante”.

Bowie kishte shprehur më parë dëshirën për të shkruar për teatër. Në një intervistë në 2002, ai tha:

“Që në fillim, doja vërtet të shkruaja për teatër… me qëllimin për të pasur një audiencë të madhe.”

Ky projekt do të kishte realizuar një nga ambiciet e tij të hershme, por mbeti i papërfunduar për shkak të sëmundjes.

Rreth 90,000 objekte janë ruajtur në arkivin e tij, nga kostume skenike dhe tekste të shkruara me dorë, deri te lista të koncerteve dhe skica të ndryshme.
Rreth 200 prej tyre do të jenë në ekspozitë, por studiuesit dhe fansat mund të kërkojnë të shohin çdo objekt duke plotësuar një formular online.

Kuratorja Madeleine Haddon thotë:

“Bowie ishte një pionier për ata që nuk duan të kufizohen në një zhanër të vetëm. Shpresoj që vizitorët të mësojnë jo vetëm ndikimin e tij në kulturën pop, por edhe proceset krijuese që mund të përdorin vetë në punën e tyre.”

Bowie u magjeps nga jeta kulturore, krimi dhe satira në Londrën e shekullit të 18-të. Ai shqyrtoi:

Historinë e kriminelit “Honest” Jack Sheppard dhe “kapësi i hajdutëve” Jonathan Wild.

Sulme nga bandat famëkeqe Mohocks, që përndiqnin qytetarët natën.

Pasojat e ekzekutimeve publike: “kirurgë që zihen për kufoma”.

Artistë si William Hogarth dhe Joshua Reynolds dhe krijimi i Akademisë Mbretërore.

Roli i muzikës dhe artit si formë satire politike, veçanërisht kundër qeverisë së Robert Walpole./BBC/KultPlus.com

Të ngjajshme