7 Shtator, 2025 - 11:12 pm
Pogradeci, qyteti i artit dhe kulturës buzë liqenit, këtë vit ka mirëpritur për të 16-in vit radhazi Koloninë Ndërkombëtare të Piktorëve.
Artistë nga vende të ndryshme të botës janë bërë pjesë e këtij takimi krijues, duke sjellë me vete kulturën, stilin dhe përvojën e tyre në një bashkëpunim që shndërrohet çdo vit në një ngjarje të veçantë.
Në këtë edicion, janë realizuar rreth 35 vepra artistike, të cilat për 10 ditë do të jenë të hapura për publikun, duke krijuar një urë komunikimi mes artit dhe vizitorëve, por edhe mes vetë artistëve pjesëmarrës.
Artisja koreane Yeonsun Kim paraqiti punimet e saj me temë fluturën, të realizuara në metal dhe pllaka alumini. Ajo shprehet se flutura është simbol i gëzimit, idealit, shpresës e bukurisë, por edhe i kalimit përtej botës së dukshme.
Materialet e përpunuara me lustër dhe ngjyrosje, sipas saj, krijojnë një pamje të veçantë që shkëlqen nën dritë, duke i dhënë veprës ndjesinë e magjisë dhe estetikës së pastër.
“Këto vepra kanë si temë kryesore fluturën. Siç mund të shihni, flutura simbolizon gëzimin, idealin, shpresën, bukurinë, por edhe kalimin përtej botës së dukshme. Materialet e përdorura janë metali dhe pllakat prej alumini, të cilat përpunohen me lustër dhe ngjyrosje, duke krijuar një pamje që shkëlqen nën dritë. Në këtë mënyrë, shfaqet ndjesia magjike dhe e bukur e shkëlqimit të metaleve, të cilën shikuesi mund ta përjetojë drejtpërdrejt”, tha artistja koreane.
Nga Republika Çeke, piktori Roman Kharevsky tha se kjo është hera e parë që viziton Shqipërinë dhe Pogradecin, ndërsa pjesëmarrja në koloninë e piktorëve ishte një përvojë frymëzuese.
Në punimet e tij, ai ndërthur elementë figurativë si dele, mace, peshq apo instrumente muzikore, të cilët përfaqësojnë historinë e jetës së përditshme. Për Kharevsky-n, bashkëpunimi me artistë nga vende të ndryshme është një shkollë më vete, që e pasuron profesionalisht dhe shpirtërisht.
“Jam nga Republika Çeke, nga një qytet shumë i bukur, Karlovy Vary, dhe kjo është një përvojë shumë interesante sepse është hera e parë që vij në Shqipëri, hera e parë që vij në Pogradec, dhe hera e parë që marr pjesë në këtë koloni të bukur. Të punosh me artistë të tjerë nga vende të ndryshme është një frymëzim i madh. Çdo ditë flasim, çdo ditë ka diçka të re, çdo ditë pikturojmë në një stil tjetër. Unë zakonisht pikturoj në stil figurativ dele, kafshë të vogla, peshq sepse aty ka një histori të madhe, një histori të madhe për jetën. Po ta shikosh, ky mace, ky njeri, ky peshk, ky instrument muzikor është një stil i veçantë, por unë pikturoj në këtë mënyrë, ashtu siç e ndjej. Ky është frymëzimi im. Faleminderit shumë organizatorëve, faleminderit për gjithçka, për çdo njeri. Është me të vërtetë një ekspozitë shumë e bukur, me njerëz shumë të mirë. Po, unë e dua shumë Pogradecin, është një qytet shumë i bukur”, u shpreh Kharevsky.
Ndërsa Sabine Liva nga Letonia, e cila viziton për herë të parë Shqipërinë, u shpreh e mahnitur nga peizazhi natyror dhe mikpritja e qytetarëve të Pogradecit.
Ajo tha se puna në hapësira të hapura dhe në dritën natyrore i dha energji dhe frymëzim të veçantë, duke i ofruar mundësi për të njohur stile dhe teknika të reja nga kolegët e saj. Për të, kjo eksperiencë ishte jo vetëm një mundësi artistike, por edhe njerëzore, pasi krijoi miqësi dhe lidhje që do të mbeten gjatë.
“Është hera e parë që vij në Shqipëri, dhe ju falënderoj që më keni pritur këtu. Më ka pëlqyer shumë bukuria natyrore, peizazhi, ngrohtësia dhe dielli i natyrës, por edhe i njerëzve këtu. Ndoshta përballë pikturave të mia… është një hapësirë e bukur. Përvoja ime këtë herë, duke u përzier me artistë të tjerë, duke punuar bashkë, ishte shumë e këndshme. Mësova shumë ide të reja, teknika të reja dhe mënyra të reja për ta parë artin në raport me mjedisin. Kam njohur shumë miq të rinj, dhe kjo më emocionoi shumë. Hapësira e studios ishte perfekte, kishim shumë dritë, dhe mund të punonim brenda ose jashtë. Ajo që më pëlqeu më shumë ishte puna jashtë, në natyrë. Po, do të doja shumë të rikthehesha në Shqipëri”, tha artistja Liva.
Kjo koloni ka një rëndësi të veçantë për jetën kulturore të Pogradecit, sepse jo vetëm që sjell art ndërkombëtar, por gjithashtu e pozicionon qytetin si një qendër të rëndësishme të shkëmbimit kulturor. Për vizitorët, ekspozita është një udhëtim mes stileve, ngjyrave dhe vizioneve të ndryshme të artit modern e bashkëkohor.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për 10 ditë në qytetin e Pogradecit, duke ofruar për të gjithë të apasionuarit pas artit një mundësi të rrallë për të parë nga afër krijime unike dhe për të takuar artistë nga e gjithë bota./ CNA/KultPlus.com