Turistët të mahnitur nga Parku Arkeologjik i Amantias

24 Korrik, 2018 - 8:59 am

Sitet arkeologjike së fundmi po bëhen atraksione turistike shumë të frekuentuara nga turistët e huaj të cilët vizitojnë vendin tonë.

Historia dhe misteri të cilat ato mbartin dhe që tregojnë shumë mbi gjurmët tonë si shqiptarë shtojnë kureshtjen dhe nxisin kuriozitetin e turistëve që i vizitojnë këto vende për herë të parë.

Këtë fundjavë Parku Arkeologjik i Amantias në Vlorë u gjallërua nga turistë të shumtë nga vende të ndryshme të Europës, të cilët dhanë përshtypje mjaft pozitive për këtë sit të mrekullueshëm, i cili së fundmi është bërë një vend i denjë për të mirëpritur turistët e huaj dhe vizitorët vendas.

Një turiste franceze tha se ”e zbuluam këtë sit pas një kërkimi të gjatë dhe rezultati ia vlejti, pasi siti është madhështor dhe të duket sikur sheh nga avioni kur je në pjesën më të lartë. Ndërsa kur je në shkallët e stadiumit ndjehesh sikur je spektator i kohës, pra është diçka e mrekullueshme”.

Një tjetër turiste gjermane u shpreh se ”jemi shumë të entuziazmuar këtu në Amantia, ku patëm fatin të mësojmë rreth monumenteve dhe jetës 1 mijëvjeçare të këtij qyteti. Është thjesht e mrekullueshme. Unë i këshilloj kujtdo të vijë në këtë vend”.

Turistja franceze, e cila e vizitonte për herë të dytë Amantian, tha se ”është një sit i jashtëzakonshëm dhe i veçantë dhe ndjej të njëjtën kënaqësi sa herë që e shoh. Patëm një arkeolog shumë kompetent që na i shpjegoi shumë qartë gjërat dhe për këtë ju rekomandoj të gjithëve të vijnë të vizitojnë këtë sit që është jashtë çdo kohe”./KultPlus.com

Të ngjajshme