Pranvera Badivuku: Derisa të kem mendjen dhe fuqinë shpirtërore do të vazhdoj të kompozoj

20 Dhjetor, 2018 - 11:16 pm

Gili Hoxhaj

KultPlus, gazeta e parë online për art e kulturë po vazhdon me ngjarjet e radhës, gjithnjë me synimin për të rikthyer  rrëfimet e atyre që për mision e kanë pasur pasurimin e skenës kulturore shqiptare. Sonte KultPlus solli edhe një mbrëmje ndryshe në kryeqytet, kësaj radhe me rrëfimin e dytë në kuadër të ciklit të rrëfimeve “KultWoman me…”, që po kthen sytë tek gratë që gjithë jetën e tyre ia kanë dikuar kulturës.  Pas Leze Qenës, fokusi ishte tek një grua tjetër e suksesshme.

Pranvera Badivuku është kompozitorja e melodive të veçanta. Ajo ka lënë një melodi tek secili që ndër vite e ka përcjellë muzikën shqiptare, ndërsa atë e ka krijuar në një kohë krejt tjetër nga kjo sot. Mes këtyre melodive, e këngëve që të prekin njësoj, mbase edhe më tepër në çdo dëgjim, ajo ndau më të pranishmit rrëfimin e saj prej kompozitoreje. E lindur në Pejë, ajo e kishte kuptuar herët çfarë donte t’i dhuronte muzikës. Çdokush ka dëgjuar një këngë nga shpirti i saj artistik, pasi që duke qenë një ndër kompozitoret e para kosovare, ka realizuar rreth 150 kompozime të zhanreve të ndryshme, nga fëmijët e deri te zhanri popullor dhe muzika e lehtë. Badivuku nuk i ndahet letrës as sot.

Hapi i saj në rrugën e kompozimit nuk është ndalur me moshën, madje ajo zbuloi që së fundmi i ka kushtuar edhe një këngë Nexhmije Pagarushës. Për kompozimin e krijimeve të saj, thotë se ka bashkëpunuar me shumë tekstshkrues e shkrimtarë, ndërsa dhe vet ka shkruar një tekst dedikuar vendlindjes. Ajo tha se teksti vazhdon të mbetet i rëndësishëm për krijimet e saj, ndërsa shtoi se ka tentuar që çdo krijim i saj të dallojë nga tjetri. Përveç që ajo ka një trashëgimi krijuese, rrugën e saj muzikore e ka trasuar edhe tek vajzat e saj që sot përbëjnë dy emra të rëndësishëm të muzikës klasike, violinistja Sihana Badivuku dhe pianistja Zana Badivuku.

Publiku sonte më të ndau kujtime, dhurata e shumë fjalë e diskutime për muzikën e personalitetin e saj. Kishte prej atyre që i kërkuan që të shkonte në shkollë që nxënësit të njiheshin edhe me personalitetin e saj krahas veprave. Në një bashkëbisedim me Arbër Selmanin, Badivuku erdhi si personazhi i dytë i ciklit të rrëfimeve “KultWoman me…”, që organizohet nga KultPlus- gazeta e parë online për art dhe kulturë, projekt ky i mbështetur nga ‘Culture for Change’.

Si e re kompozitorja Pranvera Badivuku kishte ndjekur me endje e interesim kudo që dëgjonte ndonjë këngë. I veçon ato në Shoqërinë “Përparimi” të Pejës, qytetit prej nga edhe vjen. Pranë bukurive të këtij qyteti pitoresk thotë se e ka gjurmuar dashurinë për këndimin. Fundjavave në piknik, ajo thotë se dëfreheshin me këngët e Shoqërisë “Përparimi”, ato thotë së dëgjoheshin edhe në pjesën më të afërt të qytetit ku ajo banonte. “Më linin përshtypje sepse më dukeshin zbavitëse. Kjo ka ndikuar që unë të përcaktohem për shkollën e muzikës të cilën e fillova dhe e mbarova në Shkup”, tregon Badivuku për fillimet e saj kur veçse e kishte kuptuar kahjen e jetës. Pastaj shkollimin pesëvjeçar për muzikë e ka ndjekur në Shkup, ku ndoqi një vit përgatitor e pastaj shkollën e mesme atje.

Më pas kishte vazhduar shkollimin e lartë në Prishtinë. “Edhe pse nuk e dija se çfarë bote po më pret në atë shkollë, ishin shumë lëndë të reja dhe të panjohura për mua por vullneti dhe dëshira për të fituar diçka nga ky drejtim, bëri që unë me sukses mjaft të lakmueshëm të mbaroj vitet e shkollës së mesme në Shkup. Pastaj u regjistrova në shkollën e lartë në Akademinë Pedagogjike të Muzikës, të cilën e përfundova pastaj në Prishtinë”, kujton Badivuku. Ajo më pas vazhdoi karrierën pedagogjike për tri vite, prej nga thotë se ka marrë përshtypjet më të mira, pasi personeli i shkollës kishin shume respekt e nxënësit shumë dashuri që arsimtarja e tyre e muzikës ishte femër. Në të gjitha shkollat ku kishte punuar që nga Shkupi e në Prishtinë, ajo kishte krijuar korin e shkollës dhe programe të cilat luheshin për festat e rëndësishme të shkollës.

Badivuku: Këngën “E kujtoj atë takim më duket që s’ka njeri që se këndon

Karriera e Badivukut numëron Pesë Okarina të Arta, çmimet më të larta të Akordeve të Kosovës, ajo ka qenë pjesëmarrëse në Zambakun e Prizrenit, udhëtare muzikore në Sarajevë, Shkup e Shkodër. E tillë është Pranvera Badivuku, një grua historike në fushën e saj. Një grua që me modesti pranon lëvdatat drejt saj. Kënga “Eja, eja e bardha verë”, kënga e parë e saj e kënduar nga Esat Bicurri në vitin 1973, i dha një vulë suksesit të saj. Ajo i dhuroi “Okarinën” e parë Badivukut. “E kujtoj atë takim” është një nga këngët perlë të opusit të saj krijues, e cila ishte kënduar nga i njëjti këngëtar e me të cilën Badivuku mori “Okarinën e artë”. Badivuku thotë se te kjo këngë më pas shpesh i janë referuar me titullin “Ma fal atë buzëqeshje”, gjë që nuk e konsideron aspak gabim por si një titull mjaft i bukur. Incizimi i kësaj kënge nga Nexhmije Pagarusha në vitin 1974 me orkestrën simfonike të RTSH-së, bëri që kjo këngë të këndohet vazhdimisht nga zërat më të njohur shqiptarë.

“Prej atij programi e kanë marrë edhe këngëtarë tjerë nga Shqipëria, kështuqë kjo këngë është kënduar në atë kohë nga Tonin Tërshana. Më vonë e kam dëgjuar nga Eduard Jubani, Bujar Qamili e shumë të tjerë. Para dhjetë vitesh a më shumë Aurela Gaçe kur bëri një program me këngët e Nexhmije Pagarushës dhe Vaçe Zelës, e këndoi edhe ajo këtë këngë, tash më duket se s’ka njeri që s’e këndon”, u shpreh Badivuku, duke thënë se i vjen shumë mirë që kjo këngë këndohet aq shumë por në anën tjetër nuk i vjen aspak mirë që shumë pak persona e këndojnë ashtu siç duhet. “Sidomos tekstin po e harrojnë një varg të këngës, nuk këndohet fare: “ma fal atë buzëqeshje që e ëndërroj në vetmi”. Këtë nuk e thotë askush”, tregoi kompozitorja, ndërsa thotë se autorin e tekstit nuk e njihte, por e di që vjen nga Mali i Zi dhe di inicialin e parë e mbiemrin.

Sukseset e saj kanë vazhduar por është dashur të kalojnë dhjetë vite që të përsëritet “Okarina” e tretë. “Okarina” e tretë thotë se i ka ardhur duke falënderuar këngëtarin shumë të njohur Bashkim Baçuku, i cili interpretoi me oktetin “Kosovarët”, këngën “20 vjet të festivalit”.

“Doli një këngë që mblodhi të gjitha shpërblimet, edhe jurinë, edhe publikun, edhe pendën e artë, edhe si interpret i dalluar. Ne si krijues, edhe këngëtarët, kemi mbërritur afirmimin nëpërmjet festivalit “Akordet e Kosovës”. Atëherë ngjarje të mëdha s’ka pasur. “Akordet” kanë qenë festë për të gjithë, si për ne krijuesit, këngëtarët por edhe për dashamirët e artit muzikor”, u shpreh Badivuku.

Badivuku, një zonjë simpatike me energji pozitive rreth saj, thotë se sot është mëkat që po prodhohet shumë në rryma të tjera muzikore, por në këtë “vullkan” krijues, muzika popullore është lënë mënjanë. Ajo thotë se një festival dedikuar kësaj muzike është i domosdoshëm, për t’ia kthyer shkëlqimin këngës së dikurshme nëpërmjet kompozitorëve që do t’i kishin kompozuar këto këngë.

“Dhe natyrisht që në atë festival, të ketë disa kritere për pranimin e këngës. Se sot incizohet, këndohet pa kurrfarë kontrolle. Secili mund të këndojë. Kemi teknikë të përsosur, këngëtarë shumë të mirë, por megjithatë do të duhej njëfarë rregulli të ekzistonte për ndonjë krijimtari. Koha do ta tregojë. Vlerat ndoshta gjithmonë mbesin. Ato vlerat reale”, tha tutje Badivuku.

E pyetur se “A kompozon ende në mendje tënde?”. Ajo tha se jo vetëm në mendje por ajo nuk i është shkëputur as letrës.

“Punoj, nuk dorëzohem. Puna më sjell kënaqësi. Mendoj që puna e mban njeriun. Më duket se pa punë njeriu duket i pavlerë. Derisa të kem mendjen dhe fuqinë shpirtërore besoj që do të vazhdoj”, theksoi kompozitorja Badivuku

Badivuku: Së fundmi ia kam kushtuar edhe një këngë Nexhmije Pagarushës

Në mesin e shumë këngëtareve për të cilët ka kompozuar, ajo thotë se edhe sot mban kontakte me ta. Ajo thekson bisedën e fundit me Nexhmije Pagarushën, ku e kishte lajmëruar për këngën e re që ia ka kushtuar. Ajo thotë se kjo ka rrjedhur nga një tekst i bukur që e ka gjetur, autor i të cilit ishte një poet shkodran që luste bashkëpunëtorët e kompozitorët nëse ju pëlqen ta marin këtë tekst, të cilin Badivuku kishte shpejtuar ta marrë para dikujt tjetër. Ajo thotë se për këtë këngë veçse ka një emër të cilit do t’ia besonte këtë këngë, e ai është Selami Kolonja të cilit ia ka prezantuar këngën. “Mjerisht Liliana më nuk është në mesin tonë. Për të pata kompozuar një këngë kur u bë një program për 70-vjetorin e saj të lindjes, e kam komponuar enkas për të, “Kënga dhe shpirti”. Me Nexhmije Pagarushën kontaktoj. Dëgjohem me telefon. Bile në bisedën e fundit i tregova që ia kam kushtuar edhe një këngë. Ia dedikova edhe një këngë Nexhmijes, edhe pse edhe dy këngë tjera ia kam kushtuar asaj. Një ka qenë e kënduar te “Akordet e Kosovës” nga Merita Spahiu. Kënga tjetër është kënduar nga Bashkim Gagica. Por këtë, duhet të shohim se si do të arrihet realizimi se puna bëhet e realizimi është më problematik, se duhet materialisht pjesëmarrje”, shpjegoi kompozitorja në mbrëmjen “KultWoman me…”.

Në mesin e të pranishmëve, disa fjalë për të ndau edhe dirigjenti Rafet Rudi i cili tha se e veçon kontributin e saj për profilizimin e muzikës kosovare duke theksuar që ajo ka ruajtur një rrymë të muzikës kosovare. Ai tha se tani nga një distancë kohore e sheh që ajo rrymë ka qenë e shfaqur por nuk ka pasur krijues si Pranvera Badivuku që e kanë profiluar atë tendencë që Badivuku e ka jetësuar më tepër.

Projekti “KultWoman me…” do të vazhdojë edhe me rrëfime të tjera, që përmes diskutimit e rrëfimit tenton të kthejë në mendjen e publikut emrat e rëndësishëm të grave që me kontributin e tyre kanë lënë gjurmë në kulturën shqiptare./ KultPlus.com

Të ngjajshme