Nevoja urgjente për ndërrimin e agjendave të mediave për mënyrën se si i portretizojnë vajzat dhe gratë

8 Shkurt, 2019 - 3:48 pm

Nga
Elion Kollçaku

Rasti i fundit në Drenas, do të duhej shërbente si urgjencë për ndërrimin e agjendave të shumë mediave kosovare, duke filluar nga portalet që infomacionet seksiste i kanë me tepricë e deri te emisionet rozë.

Stereotipet gjinore janë të pranishme jo vetëm në jetën e përditshme, por edhe në përmbajtjet mediatike. Kur flitet për stereotipet e rolit gjinor apo seksual, atëherë bëhet fjalë për “bindjet e strukturuara lidhur me veçoritë personale të grave dhe burrave”.

Ekzistojnë së paku tri stereotipe për gra që dalin në pah: amvisja (gruaja tradicionale), gruaja profesionale (e pavarur, ambicioze, me vetëbesim) dhe lepuroshja e Playboy-it (objekt seksi).

Që nga librat në shkollat fillore, fëmijëve u servohet modeli i gruas si nënë dhe amvise, ku nëna bën punët e shtëpisë, motra i ndihmon, kurse babai punon jashtë shtëpisë dhe siguron burimin e ekzistencës. Edhe në realitet situata nuk është shumë ndryshe në Kosovë, duke pasur parasysh se shumica e grave janë amvise, edhe pse shumë prej tyre me përgatitje të lartë shkollore. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti GAP, vetëm 12.9 % e grave me moshë pune janë të punësuara. Pabarazia në tregun e punës, ku për të njëjtën punë shpesh-herë gruaja paguhet më pak se burrat, fakti që për shkak të rolit riprodhues jo rrallë diskriminohet, si dhe ngacmimet seksuale në punë janë shkaktarët kryesorë, që edhe ato gra që kanë gjetur ndonjë vend pune, mbesin pa të.

Përkundër këtij fakti, mediat nuk merren me gratë amvise. Roli i amvises nuk është i pasqyruar në mediat shqiptare. Ato mund t’i shohim, eventualisht, në disa kronika si “Edhe unë jam Kosovë”, ku kërkohen ndihma, ose kur dhurohet ndonjë fondacion, gjatë dorëzimit të ndihmave. Mund të haset edhe te emisioni “Metamorfoza” me Suzana Mushkolajn, ku ndonjë amvise transformohet në një grua “të hijshme”, për t’i ngjarë një gruaje të suksesshme.

Stereotipi i dytë është modeli i gruas së susksesshme të pavarur, që ndërton karrierën e vetme, pa përkrahjen e burrit. Emisionet “Lemza” në Tribuna Channel, si dhe “Pasdite” me Rudina Magjistarin japin shembuj të tillë.

Në një puntatë te “Lemza”, ka qenë e ftuar Vlora Dumoshi, e cila shpalos gjithë historinë e saj, si një grua shumë e suksesshme, që ia doli e vetme të ketë karrierë si politikane por edhe si një nënë e devotshme për dy djemtë e saj. Kurse, te “Pasdite” në TV Klan, si shembull ishte Dorina Mema, kampione në bodybuilding, që bashkë me vajzën e saj flasin për marrëdhënien e tyre, edhe pse ajo është një nënë e shkurorëzuar, që e rriti bijën e vetme, e përkundër rrethanave, vajza e saj konsiderohet si shembull.

Gjithashtu, edhe rasti i këngëtares Safete Mustafës vlen të përmendet, e cila u martua pas vdekjes së burrit të saj. Ndonëse u komentua shumë, ajo foli publikisht për emisionin “Prive” në Klan Kosova, duke thyer tabunë se gruaja pas vdekjes së burrit duhet të mbajë zi e të vishet në të zeza, duke mos u martuar kurrë. Në këtë rast, përmes këtij emisioni janë thyer shumë stereotipe.

Këto shfaqen si modele të grave që kanë arritur synimet në jetë dhe karrierë, pa marrë parasysh sfidat që kanë hasur. Megjithatë, jo rrallë paragjykohen nga rrethi tradicional, pasi që si shoqëri nuk jemi të gatshëm të promovojmë këtë model të familjes, ku gruaja mund të mbijetojë me sukses pa mbështetjen e burrit.

Por, modeli tjetër stereotipizon gratë si objekt seksi. Rast i veçantë është emisioni “Zonë e lirë”, me Arian Çanin. Ky emision transmetohet çdo të premte, në ora 21:00 në TV Klan.

Personazhet që bëjnë më së shumti zhurmë kur ftohen në këtë emision, e që ftohen shumë shpesh, janë Kallashi, Iva Aliko, Linda Morina, Xhesika Ndoja, etj. Madje, emisionet ku ato janë pjesëmarrëse kanë miliona klikime në YouTube.

Por, qëndron një arsye e fortë se pse këto emisione kanë kaq shumë shikueshmëri. Të ftuarat trajtohen si objekte seksi.

Kjo mbështetet në disa fakte. E para, Kallashi dhe Iva Aliko, ftohen në këtë emision, në qoftë se publikojnë ndonjë klip të ri. Mirëpo, edhe kur vijnë të flasin për këngën e re që kanë publikuar, medoemos gjithë debati do të vijojë te marrëdhëniet e tyre seksuale, partnerët, format trupore, veshja provokative, dhe nëse realizojnë ndonjë set fotosh të zhveshura dhe gjysmë të zhveshur, i tërë programacioni do të ndalet në atë pikë.

Madje, ka pasur raste kur arsyeja kryesore se pse janë ftuar, ka qenë thjesht komentimi i fotove provokative apo ndonjë afere të përfolur me ndonjë politikan ose bizensmen, identiteti i të cilëve mbetet i fsheur, për ta zgjuar kurrreshtjen e audiencës dhe për arsye që kjo temë të vazhdojë me “episode”.

Gjuha e përdorur në këto emisione është qëllimisht shumë banale. Duke filluar nga mënyra e referimit të vazhdueshëm nga moderatori drejt të ftuarave, me fjalët “zemër”, “loçkë” e deri te pika ku ai flet për trupin e tyre. “Duhet ta pranojmë se ke alamet bythë e cica”, “Ke veshur të

brendshme apo je siç të ka bërë nëna?”, “Cila është pjesa më “hot” e trupit tënd?”, janë pyetje të zakonshme në këtë emision, që duket se gjithçka bën për vetëm për shikueshmëri e për show.

Të ftuarat prezantojnë vlera të tilla, si:

* Të kesh dashnor një burrë të martuar;

* Të bësh foto e zhveshur dhe gjysmë e zhveshur;

* T’i bësh dhuratë organin gjenital dikujt;

* Gjoksin e vithet t’i kesh me intervenime plastike;

* Të bësh belfie, e shumëçka tjetër.

Të gjitha këto gra, edhe pse i takojnë kategorive të ndryshme shoqërore, kanë shumë pika të përbashkëta. Ato dëshmojnë se gruaja mund të arrijë atë çfarëdo sfere, mirëpo vetëm nuk duhet të jetë e penguar.

Mirëpo, njëkohësisht shihet se çfarë efekti të madh kanë mediat në krijimin apo luftimin e stereotipeve gjinore.

Roli i mediave është i pazëvendësueshëm në thyerjen e tabuve, ku më asgjë nuk është jashtë syrit të objektivit, por vetëm varet se sa afër do ta ketë nën vështrim personazhin të cilin e paraqesin. A do të paraqitet vetëm sipërfaqësisht si objekt, apo do të merret me karakterin e personazhit dhe atë çka prezanton?

Mediat konstruktojnë realitetin, në kohën kur edhe vetë gjinia është konstrukt.

Duke i njohur përmes mediave këto gra, ato duhen, idealizohen, paragjykohen dhe ndiqen si model nga qindra e mijëra vajza, prandaj roli i medias në kohën e shumë zbrazëtirave, në procesin e edukimit të rregullt është tejet i rëndësishëm

Të ngjajshme