14 vjeçarja Erlisa Çerkini shpërfaqi shpirtin artistik dhe human në ekspozitën e parë personale (FOTO)

16 Nëntor, 2017 - 10:36 pm

Nga 27 pikturat e ekspozuara shumica prej tyre janë në shitje, ndërsa ajo me ekspozitën e saj përveç që shpërfaqi anën e saj artistike po ashtu tregoi se brenda saj fshihet edhe një shpirt human pasi që të ardhurat nga dy pikturat e saj do të shkojnë si donacion për SOS fshatin e fëmijëve dhe shtëpinë e pleqve.

Gili Hoxhaj

Erlisa Çerkini, vetëm tetë ditë para ditëlindjes së saj të 14-të prezantoi ekspozitën e saj të parë personale me rreth 27 punime, shkruan KultPlus.

Ekspozita e parë personale e piktores së re në moshë por jo dhe në punë, kishte mbushur hollin e Bibliotekës Kombëtarë të Kosovës. Ajo mblodhi dhjetëra dashamirës të artit e bashkëmoshatarë të cilët me lule e përqafime uronin këtë celebrim të rrugëtimit të saj të ri në artin pamor.

Në punimet e saj vërehet përkushtimi dhe arti i një krijueseje premtuese. Më shumë se gjithçka tjetër puna e saj dëshmon se talenti shpesh arrin ta tejkaloj edhe moshën. Punimet që ajo shpalosi në ekspozitën e saj i përkisnin dy viteve të fundit, ndërsa përfshinin nëntëmbëdhjetë piktura në pëlhurë ku tetë prej tyre janë natyra të qeta, katër peizazhe dhe gjashtë portrete, po ashtu dhe shtatë piktura në letër të punuara me temper.

Erlisa Çerkini tregoi për KultPlus së në ekspozitën e saj të parë po e përcjellin ndjenja që e ka të vështirë t’i përshkruaj mirëpo, kjo natë po i sjellë më së shumti krenari për bashkëpunëtoret dhe vetën, për shkak që në këtë moshë të adoleshencës ka arritur të finalizoj ekspozitën e saj të parë personale.

“Jam pak krenare me vetën sonte, sepse është ekspozita ime e parë personale edhe pse jam e re në moshë. Kjo ekspozitë paraqet shkathtësitë e mija në pikturë për dy vite punë, ndërsa pikturat e mija dominohen nga realizmi dhe pikërisht aty e gjej vetën më së miri edhe pse kam përdorur forma të ndryshme të pikturimit. Kurse janë natyrat e qeta ato ku e gjej vetën më së miri dhe e shprehi gjithë atë që e kam brenda vetes”, shpjegoi Erlisa për KultPlus.

Duke qenë se Erlisa përmes punimeve të saj tregoi se arti i saj premton shumë për rrugëtimin e saj në të ardhmen, ajo këtë gjë e pohoi derisa tregoi për KultPlus se synimet e saj janë që punimet e saj të shihen edhe në vende të tjera përtej Kosovës.
“Pretendoj që në të ardhmen ta bëj një ekspozitë tjetër në Amerikë apo diku tjetër. Pa dashur të mburrem, unë besoj që do të arrij në fushën e artit, edhe pse arti nuk është që vlerësohet shumë në Kosovë, por unë do të bëj çmos që të arrij qëllimet e mija që punën time ta paraqes edhe jashtë Kosovës” tha përplot entuziazëm Erlisa.

Faton Kryeziu, themeluesi dhe udhëheqësi i shkollës së artit “Da Vinçi”, ishte pikërisht ai i cili kishte zbuluar talentin dhe përkrahur punën e saj. Ai Erlisen e përshkruan si një punëtore dhe ambicioze të madhe ndërsa shtoi se ajo gjithmonë e ka mahnitur me pikturën dhe punimet e saj.
“Po qe se e shohim për herë të parë cilëndo nga punimet e Erlisës, askush e ndonjëherë as unë , nuk mund të besoj që janë punë krijuese të ndonjë adoleshente. Punimet e saj, po mos ta njohim autoren, mund të mendojmë se janë punime të ndonjë studenti, që është në përfundim të fakultetit, ose edhe të ndonjë studenti që ka përfunduar studimet. Kjo vjen nga forca e brendshme e saj artistike dhe ndjenja e veçantë që ka ajo për artin e vijës, formës e ngjyrës”, është shprehur piktori Kryeziu gjatë ceremonisë hapëse të kësaj ekspozite.

Afrore Blakçori- Uka, arsimtarja e Erlisës në shkollën “Elena Gjika” e përshkruan atë si një talent të rrallë, kurse punën e saj e vlerësoi si të jashtëzakonshme.
“Fjalët janë të tepërta për të folur për Erlisen, në këtë ekspozitë shihet puna dhe aktiviteti i saj i palodhshëm si dhe pozitiviteti i saj. Që nga klasa e gjashtë e kam vërejtur talentin e Erlises dhe gjithmonë në projektet që i kemi punuar ajo ka qenë gjithmonë numër një në shkollën tonë. Kjo po vërehet edhe në punimet e saj, sidomos tek portreti i cili është kulmi i vizatimit, kur arrihet të punohet një portret origjinal atëherëkjo do të thotë se ajo është e përkryer si artiste në të gjitha dimensionet e tjera në fushën e artit”, tregoi arsimtarja Blakçori- Uka.

Nga 27 pikturat e ekspozuara shumica prej tyre janë në shitje, ndërsa ajo me ekspozitën e saj përveç që shpërfaqi anën e saj artistike po ashtu tregoi se brenda saj fshihet edhe një shpirt human pasi që të ardhurat nga dy pikturat e saj do të shkojnë si donacion për SOS fshatin e fëmijëve dhe shtëpinë e pleqve. Artdashësit do të kenë mundësi të shijojnë punën e piktores 14 vjeçare deri më datë 23 nëntor, sa do të qëndroj e hapur kjo ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”./KultPlus.com

Të ngjajshme