1653 të pagjeturit e Kosovës, vijnë përmes një ekspozite në 11 vjetorin e Pavarësisë

12 Shkurt, 2019 - 1:55 pm

Adresimi i çështjes së të pagjeturve në opinionin publik mbetet proces kompleks diskursiv dhe politik i cili i redukton të pagjeturit në numra dhe i tjetërson ata dhe familjarët e tyre në objekte.

Debatet e ngritura rreth kësaj çështjeje shtrihen kryesisht në rrafshin dhe nomenklaturën e mjekësisë ligjore, drejtësisë, të drejtave njerëzore, marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe aspekteve që lidhen me kompetencat, gjersa në anën tjetër kemi të bëjmë me një proces dehumanizimi të tërësishëm, ku subjektiviteti, përjetimi dhe narrativi personal zhvishet dhe reduktohet në njësi apo vlerë numerike.

Me qëllimin parësor që t’u jepet zë familjarëve të personave të pagjetur dhe ky zë të dëgjohet fuqishëm tek palët relevante, Integra dhe forumZFD, në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur dhe me Kuvendin e Kosovës, do të instalojnë një ekspozitë unike të titulluar “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”.

Hapja e kësaj ekspozite do të bëhet me datë 15 shkurt duke filluar prej ora 18.00h në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Kjo ekspozitë e realizuar me foto të fotografit Atdhe Mulla, të kuruar nga Eliza Hoxha, ndërtohet në baza të një hulumtimi të thukët, historive gojore dhe fotografive të realizuara me familjarë të personave të pagjetur. Ekspozita është e vendosur në hapësirat e  Kuvendit të Republikës së Kosovës kështu duke rezonuar mesazhe thelbësore simbolike rreth asaj se në cilin drejtim graviton përgjegjësia më e madhe në raport me punën drejt zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

Çështja e 1653 të pagjeturve nga lufta në Kosovë ende nuk ka marrë përgjigje. Kjo ekspozitë është planifikuar të hapet për shënimin e përvjetorit të 11-të të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe e vendosur në hapësirat e Kuvendit të Kosovës me qëllim që të dërgoj një mesazh nëpërmjet gërshetimit të punës hulumtuese, fotografisë dhe një koncepti kuratorial kreativ tek institucionet publike, politik-bërësit dhe tek akterët tjerë të fushës së Drejtësisë Tranzicionale drejtë zbardhjes së fatit të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. Ekspozita gjithashtu ka për qëllim që t’i mbështesë familjarët e personave të pagjetur në një proces që iu garanton të drejtën për të ditur dhe statusin e dëshmitarëve historik, si dhe pjesëmarrjen në formësimin e kujtesës kolektive.

Në hapjen e ekspozitës do të marrin pjesë akterë të shumtë lokal dhe ndërkombëtar duke përfshirë udhëheqësit politik, përfaqësuesit e familjarëve të personazhe të pagjetur, përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit artistik, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, etj.

Kjo ekspozitë do të qëndroj e hapur në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës deri me datë 30 prill.

Kjo iniciativë fuqizohet nga Integra, forumZFD në Kosovë, Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, Kuvendi i Republikës së Kosovës, Swiss Cooperation Office Kosovo, Rockefeller Brothers Fund, dhe Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e qeverisë Gjermane. / KultPlus.com

Të ngjajshme