Agon Nimani mbrëmë zbërtheu botën e përtejme në përballje me realitetin

14 Dhjetor, 2018 - 8:52 am

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, e njohur ndryshe edhe si galeria ‘Qafa”, artisti Agon Nimani solli botën tonën në një perspektivë krejtësisht ndryshe.

Në ekspozitën e Nimanit, pjesë të mbeturinave në termocentralin Kosova B, çatitë dinamike të tregut lokal, deponia e makinave të vjetra, apo një grup të rinjsh duke festuar në pishinë janë shumë më shumë sesa përshkrime.
Të gjithë ata që gjenden para fotografive të artistit kanë një botë përtej këtyre përshkrimeve për të zbuluar. Nuk është vetëm pamja që artisti ka zgjedhur por edhe mundësia për të gjetur artistin brenda këtyre pamjeve. Një përmbledhje kompozicionale e imazheve fotografike përmes të cilave autori sjellë një rrëfim të përkryer vizuel. Ashtu siç thotë edhe kuratori Burim Myftiu, kjo ekspozitë është një punë unike e artit bashkëkohor, një perspektivë ndryshe nga ajo që e kemi parë.

Pikërisht puna që Nimani ka bërë ndër vite e ka mbërthyer edhe kuratorin. Sipas tij, fotografi Agon Nimani në mënyrë mahnitëse përdorë fotografinë në transformimin e ambienteve të natyrës dhe atyre urbane në tablo magjepse abstrakte të artit modern.
“Agoni sikurse një alkimist, sfidon kuptimin tonë mbi realitetin e fotografisë, pasi pamja nga lart nxjerrë në pah një mjedis kaq të mahnitshëm që është plot me energji. Ai e paraqet botën tonë në një version të habitshëm dy-dimensional të asaj që ne mendojmë se e dimë”, vlerësoi Myftiu.

Ajo që vërehet te disa fotografi të ekspozuara është lidhshmëria që ka fotografi me problematikat të cilat gjenden në Kosovë. Fotografitë e Agon Nimanit flasin me vrojtuesin dhe i shfaqin problemet e përditshme të cilat i ka Kosova, duke thyer vende-vende këtë rrjedhë me bukuritë e vendit.
“Gjatë këtyre pesë viteve të fundit unë kam hulumtuar lokacione, hapësira të ndryshme, shumica e të cilave kanë qenë të pashkelura nga njerëzit. Ato jam munduar që ti paraqes përmes tematikës sime të cilën e kam shtjelluar e që është kryesisht realiteti me të cilin po përballemi çdo ditë, probleme si ndotja e ambientit, mbetjet toksike, korrupsioni, e tema të tilla duke mos lënë anash bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore të Kosovës”, tregoi Nimani.

Kuptohet, si adhurues i teknologjisë, Agon Nimani nuk lë pa e vënë në përdorim zhvillimin teknologjik. Ai përmes përdorimit të dronëve fotografitë e tij i dërgon në një nivel krejtësisht tjetër.
“E kam parë të arsyeshme me fillu me e përdorë një teknologji të tillë e cila jo vetëm mua por të gjithë publikut i ka sjellë një perspektivë tjetër prej asaj që jemi mësuar ta shohim. Ndoshta sepse nuk kemi pasur qasje në hapësira të tilla për shkak të lokacioneve problematike”, theksoi ai.

Agon Nimani ka specializuar në fushën e Multimediave, në Bournemouth Arts Institute në Britani të madhe. Ai është autori i disa ekspozitave individuale si dhe pjesëmarrës edhe në ekspozita kolektive si në Prishtinë, Tiranë, Zagreb, Stamboll, Vjenë e New York. Me paraqitjet e tij individuale dhe kolektive krijimtaria e tij artistike është shpërblyer edhe me çmime të ndryshme duke filluar nga Filatelia e Kosovës, Salloni i Nëntorit, Fotografia më e mirë në konkursin për fotografi nga ajri “Skypixel”, Shenzen 2015, Finalist për filmin më të mirë në “DroneUp International Film festival”, çmimin e parë për fotografinë më të mirë në konkursin “Eco Kosova UNDP”, çmimin e parë në konkursin ‘Colours of Albania’ e shumë shpërblime të tjera. / KultPlus.com

Të ngjajshme