Aktorja Tilda Swinton dhe drejtoresha e UNESCO-s vizitojnë pavijonin shqiptar në Bienalen e Venecias

22 Prill, 2022 - 3:45 pm

Pavijoni shqiptar i prezantuar me artisten Lumturi Blloshmi i çelur në hapësirat e Arsenales në Bienalen Ndërkombëtare të Venecias, po tërheq vëmendjen e shumë vizitorëve.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti , e pranishme këto ditë në Bienalen e Venecias tha se “miq të pazakontë e vizitojnë pavijonin shqiptar në Bienalen e Venecias. Mes qindra vizitorëve që vizitojnë “botën” e Lumturi Blloshmit ishte edhe aktorja Tilda Swinton dhe drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay”.

“Është kënaqësi që Shqipëria tërheq vëmendjen me art”, shprehet Margariti.

Në këtë edicion të 59-të të Bienales së Venecias, Shqipëria vjen për herë të parë me një ekspozitë personale të një artisteje grua dhe që nuk jeton më. Prezantimi me titull “Lumturi Blloshmi. Nga e para” me kuratore Adela Demetja është i konceptuar si një ekspozitë që synon të hulumtojë, shqyrtojë, prezantojë dhe ripozicionojë veprën dhe jetën e Lumturi Blloshmit në historinë e artit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Prezantimi është konceptuar në tre pjesë. Thelbi i ekspozitës përbëhet nga një përzgjedhje e veprave të Blloshmit nga periudha të ndryshme. Arkitektura e ekspozitës është krijuar në bashkëpunim me arkitekten gjermane Johanna Meyer-Grohbrügge.

Atmosferën e plotëson një film për Lumturi Blloshmin në formën e një dokumentari eseistik. Ky i fundit synon të dokumentojë jetën e Blloshmit, punën dhe qenien e saj. Sipas kuratores Demetja, dokumentari është në vetvete një lloj vepre artistike e bashkëkrijuar nga mendimet/veprat/imazhet e Lumturi Blloshmit dhe nga regjisori meksikan Tin Dirdamal. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme