Sukseset e shqiptarëve nëpër botë, Faton Kryeziu me ekspozitë personale në Belgjikë

2 Shkurt, 2022 - 10:52 pm

Faton Kryeziu është artist nga Kosova, do të hap ekspozitë personale me 25 piktura në Antwerp të Belgjikës, ketë të premte, me datë 4 shkurt, në orën 19:00, shkruan KultPlus.

Faton Kryeziu është një artist profesionist që fokusohet në kombinimet e ngjyrave, subjektit dhe teksturave. 

Ai përdor teknika dhe stile të ndryshme dhe është gjithmonë në kërkim të diçkaje të re dhe sfiduese.

Ajo që dominon në serinë “Play F” që do ta prezantojë ne ekspozitën në Belgjikë është mënyra se si artisti luan me ngjyrat dhe detajet që dalin nga boja, të cilat më vonë kthehen në forma koloristike që përjashtojnë format gjeometrike. 

Ai mundëson marrëdhënien midis bojës me shtresë të trashë dhe shtresave të tejdukshme në përgjigje të pëlhurës së bardhë. Këto vepra arti janë produkt i tensionit organik të artistit në lidhje me praktikën e sotme artistike si dhe me vizionin e tij për të ardhmen.

Fatoni ka pasur një numër të madh ekspozitash të suksesshme kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ka shitur mbi 400 vepra arti në koleksione private në: SHBA, Korenë e Jugut, Bahrein, Gjermani, Zvicër, Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut etj. /KultPlus.com

Të ngjajshme