21 Korrik, 2025 - 2:20 pm
Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Silda Anagnosti Çepe, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të veprave artistike dhe instalacioneve të skulptorit me famë ndërkombëtare, Helidon Xhixha, një artist i njohur për mënyrën unike me të cilën bashkon artin me identitetin kulturor.
Ngjarja u zhvillua në qytezën arbëreshe Casalvecchio di Puglia, ku ishin të pranishëm autoritete lokale dhe përfaqësues të diasporës shqiptare. Instalacionet e prezantuara nga Xhixha janë pjesë e projektit të veçantë “Land Art”, i cili synon të lidhë natyrën me artin bashkëkohor, duke theksuar trashëgiminë kulturore, përcjellë KultPlus.
Gjatë fjalës së saj, Zëvendësministrja Çepe theksoi mbështetjen e palëkundur të qeverisë shqiptare për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës, artit dhe traditave arbëreshe, të cilat përfaqësojnë një dëshmi të fortë të rezistencës shekullore të këtij komuniteti unik. Duke theksuar kështu edhe faktin se këto elemente kulturore janë ura të rëndësishme që lidhin Shqipërinë dhe Italinë, që kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe hapin rrugën për një Evropë më të bashkuar, bazuar në rrënjët e përbashkëta kulturore.
Ky aktivitet është një shembull i fuqishëm i dialogut ndërkulturor dhe bashkëpunimit mes komuniteteve, që thekson rolin e artit si një mjet lidhës për ruajtjen dhe promovimin e identiteteve brenda Evropës. Në këtë kontekst, puna e Helidon Xhixhës merr një rëndësi të veçantë, duke i dhënë zë dhe formë historisë dhe kulturës arbëreshe përmes gjuhës universale të artit./KultPlus.com