Përjetoi sulm në zemër duke e admiruar pikturën

26 Dhjetor, 2018 - 2:46 pm

Një italian 72 vjeçar para disa ditësh ka përjetuar sulm në zemër pasi e kishin kapluar emocionet derisa e admironte kryeveprën e Botticellilt “Lindja e Afërditës” në galerinë e Firences Uffizi.

Portali Firenze Republica shkruan se si burri kishte pasur fat sepse në galeri, në atë moment kishin qëlluar katër mjekë, ndërsa në hapësirë ka pasur edhe defibrilator kështu që menjëherë i kanë ofruar ndihmë.

Adhuruesi i artit po shërohet me sukses në njërin nga spitalet e Firences, ndërsa drejtori i Uffizit Eike Schmidt thotë se si ky nuk është rasti i parë që dikush sëmuret derisa e admiron bukurinë e “Lindjes së Afërditës” apo të “Meduzës” së Caravaggios.

Ai ka treguar se si një vizitor duke e shikuar “Primaverën” e Bottcellit në vitin 2016 ka përjetuar sulm epileptik, ndërsa një tjetër, në fillim të këtij viti ishte alivanosur para “Meduzës” së Caravaggios.

Edhe pse shumica konsiderojnë se në shumicën e rasteve bëhet fjalë për turistët e lodhur, të cilët kur arrijnë në ndonjë qyet përplot me vepra arti, përpiqen që për sa më pak kohë të shohin sa më shumë, mjekësia këtë reagim e quan Sindroma e Stendhalit apo e Firences. Fenomeni ka marrë emrin sipas shkrimtarit francez Marie-Henri Beyle, i cili në shekullin e 19 ka shkruar me pseudonimin Stendhal.

Fjala është për sindromën e cili paraqitet te disa persona në momentin kur e shohin ndonjë vepër arti e cila posaçërisht i pëlqen. Për këtë mund të përjetojnë simptome psikike dhe fizike siç janë alivanosje, rrahje të shpeshta të zemrës, marramendje madje edhe halucinacione.

Kur Stendhal e kishte parë bukurinë e bazilikës së Firences Santa Croce, kështu e ka përshkruar ndjenjën: “Zemra më rrihte fortë, jeta doli nga unë, ecja dhe frikësohesha se do të rrëzohem”./Insajderi.com / KultPlus.com

Të ngjajshme