Bujar Luca ekspozitë në COD, Rama: Pikturat, mishërim i raportit të tij me jetën

1 Nëntor, 2023 - 9:44 pm

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri u kthye këtë mbrëmje në hapësirën promovuese për një tjetër artist shqiptar, Bujar Lucën, i cili vjen për herë të parë në këtë hapësirë pas 33 vitesh jetesë në Francë.

Me ekspozitën e tij “Të prekësh të padukshmen”, ku ekspozohen 71 vepra arti, të mediumit pikturë, vizatim dhe grafikë, të përzgjedhura, si një retrospektivë e krijimtarisë së tij artistike.

Në çeljen e ekspozitës përshëndeti edhe Kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi talentin dhe kontributin e artistit në historinë bashkëkohore të arteve pamore shqiptare.

“Ti je një nga ata të cilët i japin historisë bashkëkohore të arteve pamore shqiptare diçka pa të cilën kjo histori do ishte më e varfër”, u shpreh Rama.

“Kjo ekspozitë ishte një ide që lindi kur ishim së bashku në Paris dhe Bujari e priti me kënaqësi ftesën për të konsideruar mundësinë e një ekspozite të tillë. Por unë nuk e kisha menduar që do të sillte këtu punë nga e gjithë trajektorja e tij, dhe faktikisht në sallën e vogël gjenden punët e bëra shumë vite më parë kur Bujari krijonte në shtëpinë tij të vjetër tiranase me pus e carac. Aty ku patëm mundësi të takoheshim përpara rënies së diktaturës gjatë një vizite të parë që një delegacion i huaj bëri në Akademinë e Arteve, pjesë e të cilit ishte edhe kryeredaktori i njohur i revistës së artit “Connaissance des Arts”, i cili i kushtoi një reportazh të tërë krijimeve tona të asaj kohe dhe u bë edhe pika e parë e kontaktit konkret fizik me botën e artit përtej mureve brenda të cilave ne zhvillonim aktivitetin tonë”, tha Rama.

Pastaj, vijoi Kryeministri Rama, Bujari zgjodhi të ikte.

“Mua më kujtohet se qysh përpara se të hapeshin rrugët për t’u larguar Bujari ishte shumë i lidhur dhe pasionuar pas Francës e kulturës franceze, pas impresionistëve, gjë që vihet re në punët që janë në sallën e vogël si një influencë malinje për atë kohë. Gjatë qëndrimit të tij në Francë me natyrën e tij të përmbajtur meditative, pa zhurmë, pa kërkuar asnjëherë asgjë nga askush, hapi dalëngadalë një rrugë te një stacion i të cilës është besoj unë pjesa qendrore e ekspozitës, ku në njëfarë mënyre fillojnë e bëhen bashkë qoftë kujtimet e të shkuarës së largët, qoftë edhe njohjet e reja apo afrimet e reja me eksperienca artistike që në dukje janë dy ekstreme, por në të vërtetë janë pjesë e të njëjtës qasje ndaj sipërfaqes së bardhë”, nënvizoi Rama.

Rama tha se “flas për eksperiencën e artit të vjetër dhe të ri, kinez, japonez, aziatik, që është shumë i lidhur me shenjën edhe me transpozimin e gjuhës së shkruar përmes hieroglifeve, në një ushtrim të menjëhershëm artistik dhe në ekstremin tjetër furia e lëvizjes “action painting”, Jackson Pollock edhe të tjerë, që në njëfarë mënyre në punën e Bujarit fillojnë edhe shkrihen te njëra-tjetra duke krijuar një identitet dhe një origjinalitet të ri. Ajo që më shtyu ta bëj këtë parantezë ndoshta pak të gjatë të natyrës krejt profesionale lidhet me diçka tjetër; lidhet me raportin e Bujarit me pikturën, raportin e Bujarit me telajot, sipërfaqet e letrës apo sipërfaqe të tjera me të cilat ai e ushtron profesionin e tij, që në njëfarë mënyre është mishërim i raportit të tij me jetën dhe me shoqërinë në një kohë, e cila ka shumë tundime, ka shumë zhurmë, ka shumë mundësira, por dhe shumë shtigje dhe rrugë që mund të merren”.

Bujari, vijoi Rama, ka vazhduar t’i qëndrojë shumë besnik diçkaje që unë në fakt e kisha të vështirë ta formuloja, por e formuloi Bujari në fjalët e tij, kur tha realiteti i idealit tim dhe besoj që në njëfarë mënyre punët e tij janë dhe autoportrete shpirtërore të tijat, të cilat flasin shumë për atë që Bujari është në raport me pasqyrën dhe në raport me mjedisin apo botën.

“Dua të shtoj vetëm një komponent që përsëri lidhet me atë çfarë po them, që ka të bëjë me aktivitetin e Bujarit jashtë studios, i cili është një aktivitet i jashtëzakonshëm në një vend që është shumë i pasur në traditë, por është dhe shumë i pasur në burime njerëzore kur flasim për operan, kur flasim për teatrin. Bujari është vendosur vetvetiu në një pozicion shumë të respektuar dhe është thirrur për të bashkëpunuar dhe për të kontribuar për një numër të madh shfaqjesh në operan Garnier që është një tempull i ri i muzikës operistike në Paris apo në shfaqje që shkojnë nga klasikja deri tek ato më kontemporane, duke bashkëpunuar me regjisorë shumë të njohur, deri tek regjisori, koreografi Angjelin Preljocaj dhe përsëri fakti që në këtë aktivitet jashtë studios Bujari ka shkëlqyer, lidhet me zotërimin e asaj që duket shumë qartë në të gjitha punët e tij, që është gjesti i shenjës, për një gjest shenje që nuk vjen në mënyrë sipërfaqësore, por që vjen nga një formim akademik, nga një formim i thellë, gjë që mund të shihet në hyrje të asaj sallës së vogël që po e përmend për të tetën herë, sepse aty është fillesa dhe tek disa vepra figurative, duke filluar nga një portret, nga një vizatim që në pamje të parë duket që nuk ka asnjë lidhje me çfarë shohim këtu, por në fakt është fillesa e asaj që shohim këtu dhe kjo është diçka që më duket mua është karakteristikë e disa artistëve të mëdhenj shqiptarë sot, ndër të cilët pa diskutim renditet dhe Bujari në skenën ndërkombëtare, të cilët edhe kur shkojnë në rrugë që janë në dukje krejtësisht pa asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me mjeshtërinë dhe gjestin e shenjës, siç është për shembull videoarti, kam parasysh Anri Salën, veprat e tyre bëjnë një diferencë në raport me ato të kolegëve të së njëjtës fushë dhe të njëjtës rëndësi po themi në skenat artistike, sepse tek to, ti sheh se ka brenda diçka që e tejkalon kohën dhe që vjen pikërisht, sipas meje, nga të brumosurit me klasiken për arsye që ne i dimë dhe pastaj të pjekurit të këtij brumi në botën kontemporane”, nënvizoi Rama.

Rama u shpreh se “dua ta falënderoj Bujarin, sepse ka bërë një investim në kohë, ka bërë një investim në energji, ka menduar seriozisht dhe thellësisht për këtë ekspozite dhe ka bërë dhe një investim në hamallëk po themi, sepse ka paketuar dhe transportuar gjithë këto punë, gjë për të cilën nuk e ka paguar qeveria, që të jemi të qartë. Është larg të qenit një artist qeveritar apo i oborrit të pushtetit, siç në fakt janë shumë ose pothuajse të gjithë nga ata që ekspozohen këtu, dhe do doja të shikoja shumë të tjerë që të vinin këtu, mund të vijnë të bëjnë dhe protesta kundër qeverisë këtu dhe sallën e marrin pa qira”.

Por, shtoi Rama, “realisht Bujar, shumë shumë komplimente dhe shumë faleminderit, dhe më beso nuk është një fjalë xhentile për një mik këtu, në këtë hapësirë, që i duhen thënë disa fjalë të mira, por është një fjalë shumë e sinqertë dhe unë i besoj vërtetë të gjitha këto që po them dhe ti je një nga ata të cilët i japin historisë bashkëkohore të arteve pamore shqiptare diçka pa të cilën kjo histori do ishte më e varfër”./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme