Çelet ekspozita për ‘shkelësit e kufirit’ gjatë komunizmit, Sula: Kodi Penal ndryshoi, vrasjet vazhduan

8 Maj, 2024 - 10:07 pm

13 mijë e 600 shqiptarë janë arratisur nga Shqipëria në vitët 1944-1990 sipas të dhënave të mbledhura në dokumentet ish Sigurimit të shtetit. Një ekspozitë të çelur për ata që shkelnin kufirin, kujton detyrimet e shtetit për të gjetur eshtrat e atyre që u vranë në kufi dhe nuk kanë varr .

Ndërsa Europa kremtonte fitoren ndaj nazizmit, në 8 maj të vitit 1990, Presidiumi i Kuvendit Popullor, miratoi ndryshime në kodin penal, sipas të cilit kalimi i kufijve nuk përbënte tradhëti ndaj Atdheut.
“Pas ndryshimeve të Kodit Penal, Ministria e Brendshme nuk lëshoi asnjë urdhër për ndalimin e hapjes së zjarrit, por kërkoi zbatim në kushte të reja të rregullave të mëparshme. Vrasjet në kufi vazhduan.

Janë 13 mijë e 600 persona që sipas dokumenteve të Sigurimit janë arratisur nga Shqipëria nga 1944 deri në 1990 pa llogaritur ata që ikën me ambasadat apo me anijet. Këta janë pa rënë sistemi akoma. Ka ikje nga Gjirokastra, Saranda, Korça, Kukësi, Vlora, Dibra, Tropoja, Tirana, Erseka, Pogradeci, e Puka”, tha Gentiana Sula, kryetare e AIDSSH.

Deklaratat e kryetares së Autoritetit të Dosjeve u bënë në çeljen e ekspozitës me dokumente mbi “Shkelësit e kufirit” në Jug të vendit, ndërsa u bë me dije se në Ersekë do të ngrihet një memorial për ata që u vranë në përpjekje për t’u arratisur dhe nismën për shtegun e lirisë në kujtim të tyre. Një prej të arratisurve nga vendi, Ethem Fezollari, ndau historinë e tij.

“Unë jam arratisur bashkë me familjen. Jam pjesëtar i familjes me 16 veta që u arratisëm nga liqeni i Pogradecit me një mushama të improvizuar me dërrasa që u bë si varkë.Ne morëm përsipër të iknim. Ishte më e ëmbël vkekja se të jetoje në kushtet e tmerrit”, tha Fezollari.

Dhjetra shqiptarë janë vrarë gajët diktaturës ndërsa përpiqeshin të arratiseshin. Në të shumtën e rasteve trupat e tyre janë varrosur në vende të panjohura dhe familjet ende i kërkojnë./ balkanweb/KultPlus.com

Të ngjajshme