Da Vinçi nuk kishte arritur të përfundonte kurrë Mona Lisën, tregon një studim i ri

5 Maj, 2019 - 9:00 am

Leonardo da Vinci kishte lënë të papërfunduar kryeveprën e tij, Mona Lisën për shkak të një lëndimi që kishte pësuar në dorë, tregon një studim i ri.

Aftësia e kufizuar e gjeniut të rilindjes debatohet qe një kohë të gjatë nga historianët e artit, dhe viteve të fundit është duke dominuar teoria se ai kishte pësuar një paralizë të pjesshme si pasojë e një goditjeje, transmeton Koha.net.

Përkrahësit kanë vënë në dukje vegjetarianizmin e Da Vinçit, duke argumentuar se dieta e lartë e qumështit që ai supozohet të ketë pasur ka të ngjarë t’i ketë shkaktuar një goditje.

Megjithatë, dy mjekë italianë pohojnë se e kanë zgjidhur këtë mister, duke studiuar një vizatim të Da Vinçit nga një artist i panjohur lombard, raporton Telegraph.

Vizatimi me laps të kuq nga Giovan Ambrogio Finio e paraqit Da Vinçin e moshuar me krahun e tij të djathtë të mbuluar nga rrobat, derisa dora duket sikur të ishte e lidhur me fashë.

Gishti i tij i madh, i pari dhe i dyti janë të zgjeruar, derisa gishtat e katërt dhe pestë janë të tkurrur.

Image

Portreti i Da Vinçit vizatuar nga Giovan Ambrogio Finio

Duke shkruar në “Revistën e Shoqërisë Mbretërore të Mjekësisë”, Dr. Davide Lazzeri, kirurg plastik dhe Dr. Carlo Rossi, neurolog, argumentojnë se nëse Da Vinçi kishte pësuar vërtet një goditje, ka shumë gjasë që i gjithë grushti i tij të ishte i mbledhur.

Ata gjithashtu theksojnë se s’ka ndonjë dëshmi që mjeshtri i artit të kishte pasur ndonjë dëmtim në fytyrë ose neurologjik, që është diçka e zakonshme pas një goditje të tillë, përcjell Koha.net.

Përkundrazi, mjekët thonë se pozicioni i dorës, i njohur si “dora kthetër”, me shumë gjasë mund të ketë qenë një paralizë ulna, një lloj dëmtimi traumatik i nervave që njerëzit zakonisht e pësojnë kur kanë ndonjë rënie derisa i ka rënë të fikët ose gjatë kohës sa ka pasur trullosje.

“Kjo mund të shpjegojë se pse ai kishte lënë disa piktura të papërfunduara, përfshirë edhe Mona Lisën, përgjatë pesë viteve të tij të fundit në karrierë si piktorë, derisa kishte vazhduar të jepte mësim dhe të vizatonte”, është shprehur Lazzeri.

Da Vinçi ishte i pazakontë sepse ai ishte mëngjarash, dhe vizatonte e shkruante me dorën e majtë, megjithatë ai e përdorte dorën e djathtë që të pikturonte.

Derisa edhe në ditarin e Antonio de Beatis, asistentit të Kardinalit Luigi D’aragona, pas një vizite që i kishte bërë Da Vinçit në vitin 1517, thuhet se, “s’mund të presim më ndonjë vepër të mirë prej tij, pasi një paralizë e ka gjymtyrën dorën e tij të djathtë… por edhe pse Messer Leonardo nuk mund të pikturojë me ëmbëlsinë që ishte karakteristikë e tij, ai ende mund të projektojë e të mësojë të tjerët”.

Mendohet se pikturimi i Mona Lisës kishte nisur më 1503 ose 1504 në Firencë, dhe Da Vinçi ka punuar me vite në të para se ta linte të papërfunduar.

Para lëndimit, që mendohet të ketë ndodhur në vitin 1505, mendohet se Da Vinçi ishte një person jashtëzakonisht i fuqishëm fizikisht.

Një pasazh nga një libër i piktorit, Giorgio Vasari, i botuar tri dekada pas vdekjes së Da Vinçit thuhet se, “ai ishte fizikisht aq i fort se mund të përballonte dhunën dhe me dorën e tij të djathtë mund të lakonte një dorezë të hekurt të derës ose një patkua”. / KultPlus.com

Të ngjajshme