Dastid Miluka, nga Brukseli në Tiranë me “Fantasia 98-21”

4 Maj, 2021 - 3:32 pm

Piktori shqiptar Dastid Miluka, i cili jeton dhe punon prej vitit 2003 në Bruksel, Belgjikë, vjen në Tiranë me një përzgjedhje të një koleksioni prej 17 punimesh, të cilat përfshijnë periudhën nga viti 1998 deri në vitin 2021.

Miluka është pjesëmarrës në shumë aktivitete artistike personale dhe kolektive, të zhvilluara në Belgjikë, Francë, Hollandë, Gjermani, Zvicër etj. Kompozimet e tij janë vlerësuar gjithmonë nga kritika dhe publiku, duke u vlerësuar me çmime të ndryshme.

Është ky një koleksion retrospektivë i veçantë pasi piketon dukshëm një pjesë tepër të rëndësishme të rrugëtimit të tij artistik, i shtrirë ky në një hark kohor 23 vjeçar. Një udhëtim absolutisht i ndryshëm, i vendosur në kohë dhe vënde imagjinare, me karaktere personazhesh, të cilat vijnë për të rrëfyer një histori sa të vjetër po aq dhe të re. Një arratisje në një botë fantastike ku komunikimi vjen me nje tjetër metaforë dhe ku liria e perceptimit ndjesor e meditativ, miksohet natyrshëm me dimensione të tjera, më brendore, subkoshienciale. Surrealizëm e metafizikë, simbolizëm e kompozime të shprehura guximshëm në formë e ngjyrë, i bejnë keto punime të kalojnë vrullshëm përpara syve tanë aq shpejt por dhe në mënyrë po aq esenciale, sa dhe vetë ndjesia e të jetuarit.

Dastid Miluka është lindur në Tiranë, më 15 Shtator 1974. Në vitin 2000 diplomohet në Universitetin e Arteve, pranë Fakultetit të Artit Skenik, në specialitetin e Skenografisë dhe Kostumografisë. Nga viti 2003 jeton dhe punon në Bruksel, Belgjikë. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Të ngjajshme