14 Gusht, 2025 - 2:00 pm
Arthur Brand është një nga hetuesit më të njohur të artit në botë, shpesh i quajtur “Indiana Jones i botës së artit”, për shkak të aftësive të tij të jashtëzakonshme në gjetjen e veprave të artit të vjedhura. Ai jeton në Amsterdam dhe punon 24 orë, pasi çdo telefonatë mund të jetë një pistë e çmuar për një pikturë të humbur. Brand rikuperoi pikturën Buste de Femme të Picassos, me vlerë rreth 70 milionë £, e cila ishte vjedhur nga jahti i një sheiku në vitin 1999. Në total, ai ka ndihmuar në rikuperimin e veprave të artit me vlerë rreth 250 milionë £.
Interesimi i tij për këtë botë filloi në Spanjën jugore, kur si student shkëmbimi zbuloi disa monedha romake bashkë me disa romë. Ai thotë se është i vetmi detektiv arti në botë dhe shpesh punon për llogari të vet, pa pagesë. Vetëm një herë është punësuar nga një muze.
Një rast përfshinte një unazë të Oscar Wilde të vjedhur, të cilën Brand e ktheu në Kolegjin Magdalen të Universitetit të Oksfordit. Ata fillimisht thanë se ishte fals, por Brand zbuloi një letër të vetë Wilde që vërtetonte se ishte origjinale. I fyer nga dyshimi i tyre, ai vendosi të mos shkonte fare në dorëzimin e unazës.
Një tjetër rast përfshinte një dorëshkrim të shekullit të 15-të, Divani i Hafezit, i vjedhur nga një koleksionist iranian në Gjermani. Brand arriti ta rikuperojë librin përpara se ta merrte shërbimi sekret iranian, duke e dorëzuar atë tek familja e pronarit.
Brand tregon se bota e artit është shumë e korruptuar. Ai beson se rreth 10% e veprave në muze janë falsifikime dhe që një grup i vogël prej 30-40 personash kontrollojnë tregun e artit të paligjshëm. Ai shpesh bashkëpunon me kriminelë për të rikthyer veprat, por nuk u kërkon asnjëherë emra për imunitet siç do bënte policia, kjo e ndihmon që ta fitojë besimin e tyre. Në një rast, ata e paralajmëruan për një grabitje arti që ai e parandaloi.
Pavarësisht rreziqeve, Brand e do punën e tij. Ai madje ka bërë paqe me disa nga hajdutët që ka ndjekur. Me një prej tyre, Octave Durham, që vodhi dy piktura të Van Gogh, janë takuar dhe madje kanë pirë një birrë bashkë. Brand dënon krimin, por e kupton mirë botën e errët ku punon. Ai thotë se megjithëse puna është e vështirë, ajo i jep kënaqësi dhe i jep mundësi të shkruajë libra për përvojat e tij./BBC/KultPlus.com