Dita Ndërkombëtare Rome, hapet ekspozita ‘Muzg – Stacioni i Gjelbër’

7 Prill, 2023 - 7:30 pm

“Muzg – Stacioni i Gjelbër” është ekspozita, e cila shënoi nisjen e aktiviteteve në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Rome.

PNUD së bashku me zyrën e BE, MSHMS dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, përmes këtij eventi që u çel sot në Tiranë, promovuan historinë, kulturën dhe traditën rome, të konceptuara në një format artistik multidisiplinor.

Ekspozita, e kuruar nga Sead Kazanxhiu, përbëhet nga instalacione dhe vizatime të novelave grafike të realizuara nga Xhenson Çela dhe Malvina Lufta.

Artistët, me anë të kësaj ekspozite, reflektojnë mbi çështjet që lidhen me ekologjinë dhe ekonominë e gjelbër duke propozuar zgjidhje nëpërmjet punës së tyre dhe duke rikrijuar personazhe të ndryshme me materiale të ricikluara. Gjithashtu, ekspozita përfshin novela, nëpërmjet të cilave përcillen çështje apo problematika reale që pakica rome ka hasur ndër vite.

PNUD njofton se në ditët në vijim do të vijojnë aktivitete të tjera që do të zhvillohen në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Rome.

Aktiviteti i sotëm u organizua në kuadër të projektit “Forcimi i sistemeve kombëtare dhe lokale për të mbështetur riintegrimin efektiv të të kthyerve në Ballkanin Perëndimor” financuar nga Bashkimi Evropian, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Komisionerin për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Komitetin për pakicat Kombëtare./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme