Ekspozita “Dhomë për Kujtime të Pabëra” e artistit Luan Bajraktari, hapet në GMK

6 Dhjetor, 2022 - 3:34 pm

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës do të bëhet hapja e ekspozitës “Dhomë për Kujtime të Pabëra” të artistit Luan Bajraktari, kururar nga Hana Halilaj të enjten me 8 dhjetor 2022 në orën 19:00.

“Dhomë për Kujtime të Pabëra” prezanton një vepër të komisionuara me autor Luan Bajraktarin, i cili e tjetërson galerinë në një dhomë dite ndërtuar me orendi dhe pajisje shtëpiake të vjetra. Duke u bazuar kryesisht në shëmbëlltyrën e shtëpisë së fëmijërisë së vet, autori krijon një mjedis tipik shtëpiak përmes ndërhyrjeve arkitekturale dhe të dizajnit të brendshëm. Ekspozita synon të vërë në pikëpyetje strukturat institucionale e, përmes kësaj, të krijojë një hapësirë që fton për reflektim dhe dialog.

Duke eksploruar idenë e shtëpisë nga pikëvështrimi i diasporës, Bajraktari në këtë ekspozitë shfrytëzon mobilje të gatshme dhe orendi shtëpiake për të krijuar brendinë tipike të një dhomë ndenjje kosovare apo dhe të vendeve të rajonit. Anipse rregullimi bazë i dhomës së ditës priret të jetë i ngjashëm anembanë globit, në morinë e objekteve të paraqitura, modelet dhe estetika e tepihut, divanit, perdeve dhe ngrohëses, tejçon heshtazi një afeksion të mishëruar në to.

Ekspozita tërheq vëmendjen te kujtimet e sendërtuara në objekte e hapësira dhe shqyrton eksperiencat hapësinore si shenjuese të klasave shoqërore dhe ekonomike. / KultPlus.com

Të ngjajshme