Ekspozita “Interpretations” solli 12 punime bashkëkohore në KultPlus Caffe Gallery

5 Gusht, 2021 - 1:43 pm

Krijimet e nëntë artistëve të rinj, të kuruara nga Bora Kelmendi kishin zënë vend në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery, për të shënuar në mbrëmjen e së mërkurës edhe hapjen e kësaj ekspozite që ngërthente 12 vepra artistike, shkruan KultPlus.

“Interpretations” që solli krijimet e të rinjve, ngërthente emocionin e artistëve që e kishin prezantuar nëpërmjet pikturave, skulpturës dhe instalacionit.

Kurse kuratorja e kësaj ekspozite ka treguar për KultPlus se kjo ekspozitë ka ardhë si rezultat i një pune më të gjatë të artistëve të rinj pjesëmarrës, në realizimin e punimeve të tyre.

Këto krijime përfshijnë instalacione, miksmedia, projektime e skulptura të vogla, të gjitha të punuara me materiale të ndryshme.

Titulli i ekspozitës “Interpretations” apo “Interpretim”, sipas kuratores Bora Kelmendi i është referuar temave të ndryshme dhe lirisë së të shprehurit të këtij interpretimi apo një forme narrative nga autorët në punimet e tyre duke përfshirë një fushë multimediale.

“Titullin “Interpretim” e vendosëm për shkak që tema ka qenë e lirë, brenda saj ka pas liri në aspektin e interpretimit. Pra, kemi punime nga fusha e arkitekturës, dizajnit grafik, dizajn mode e arte vizuale”, ka thënë Bora Kelmendi për këtë ekspozitë, e cila në të njëjtën kohë ka ardhë edhe si rezultat i një bashkëpunimi me artistët pjesëmarrës.

Në anën tjetër, Majlinda Kelmendi pati një vlerësim shumë pozitiv për vullnetin dhe idetë që këta të rinj po i përçojnë përmes punës së tyre.

“Kjo është një ekspozitë mjaft interesante. Artistët e rinj janë bashkëkohorë dhe nga paraqitja e veprave të tyre e pamë se kemi një rini e cila i ka sytë tek zhvillimi”, ka thënë Kelmendi.

Ndërkaq, edhe vizitorët e shumtë të cilët ishin prezent, në perceptimet e tyre e cilësuan këtë ekspozitë si një risi ku secili punim transmeton forma të ndryshime interpretimi.

Kurse, sipas vet artistëve, bashkautorë të kësaj ekspozite, mesazhet që kanë dashur t’i përcillnin përmes interpretimeve të tyre në këto vepra artistike janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga tema e riciklimeve, gjendja emocionale njeriut në ditët e sotme, ndikimi i tij nga bota virtuale, thellësia e vet kuptimit të të qenit njeri me të gjitha sfidat dhe komplikimet jetësore… 

Arjanita Ismajli, njëra prej këtyre artistëve u shpreh se punimi i saj të cilin e ka titulluar ‘njeriu i varur’ interpreton thellësinë e vet kuptimit të jesh njeri, sfidat dhe komplikimet dhe lidhjen me paraqitjen e vetes.

“Mendimi im gjatë krijimit të këtij punimi ka qenë që përmes imazhit të shfaqur kaq thjeshtë, audienca t’i shtrojë pyetje vetes për definicionin e vërtetë të titullit ‘njeriu i varur’”, ka thënë Ismajli.

Ndërsa, studentja tjetër, Enxhi Fetahi tha sa përmes punimeve të saj ka paraqitur temën e riciklimit.

 “Kam tentuar të prezantoj botën se ku po jetojmë. Jemi në një cikël që ka nevojë për një natyrë, ka nevojë për riciklime të ndryshme. Pra ka nevojë me i shfrytëzu mbetjet të cilat ne mundemi me i kriju në vepra”, ka thënë Fetahi.

Duhet theksuar se prej 9 artistëve të cilët janë prezantuar me punimet e tyre, 3 nga ta janë paraqitur me nga 2 punime, duke e plotësuar kështu numrin prej 12 veprash artistike  të ekspozuara. Ata vijnë si studentë nga degët e arteve prej dy institucioneve të ndryshme akademike, Universitetit të Prishtinës dhe Kolegjit Universum.

Ekspozita “Interpretations”, është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në kuadër të projektit “Art dhe Artist të rinj”, dhe do të qëndrojë e hapur për dy javë./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme