Ekspozita “Lulet e ftohta të shkurtit” me dokumente të deklasifikuar së fundmi

18 Shkurt, 2022 - 7:54 pm

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, ka risjellë për publikun ekspozitën e titulluar “Lulet e ftohta të shkurtit”, e cila ofron një fushëpamje të gjerë të zhvillimeve në kapërcyell të vendosjes së pluralizmit në Shqipëri.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin drejtori i përgjithshëm i Arkivave, prof. asoc. dr. Ardit Bido dhe drejtoresha e muzeut, Etleva Demollari.

Në një dalje të përbashkët për mediet, krerët e dy institucioneve ndërvepruese, theksuan rëndësinë e pasqyrimit të ngjarjeve politike dhe sociale të viteve 1990-1991, që shënuan gremisjen e regjimit totalitar në vend. Në fjalën e tyre të rastit, iu drejtuan në mënyrë të veçantë studentëve të pranishëm, të cilët në sajë të dokumentimit të së shkuarës, mund të nxjerrin mësime për të ardhmen.

“Duhet të përkujtojmë përmes dokumenteve dhe fotografive të kohës, ngjarjet e vitit 1990. Studentët e pranishëm në këtë aktivitet kanë lindur pas vitit 2000. Duke jetuar në demokraci, ne nuk e kuptojmë se sa i pamundur je ndaj diktaturës dhe se sa energji nevojitet për ta rrëzuar atë. Në fund të ditës, është rinia ajo që sjell demokracinë apo diktaturën. Është rinia ajo që sjell regjimin. Prandaj, përmes këtyre dokumenteve, dua t’i japim mundësinë çdo të riu e të reje të shohë përmes dokumenteve e fotove të kohës dhe të frymëzohet në mënyrë që ta gëzojmë këtë liri, por të jemi edhe vigjilentë. Janë të rinjtë ata që duhet ta çojnë përpara nevojën për të patur një demokraci sa më shumë funksionale. Ky është qëllimi i kësaj ekspozitë në një nga ndërtesat më famëkeqe të periudhës së komunizmit”, tha kreu i DPA-së, Bido.

Në fjalën e saj, Demollari u shpreh se akti i rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha, një prej ngjarjeve të trajtuara në ekspozitë, është simbol i ngadhënjimit të qëndresës antikomuniste në Shqipëri.

“Jemi të lumtur që sot, në kuadër të Muajit të Kujtesës të shpallur nga Ministria e Kulturës, por edhe me rastin e 20 Shkurtit, ditës së përkujtimit të viktimave të komunizmit, si edhe të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës, të çelim këtë ekspozitë. Kontributi që sjell Muzeu në këtë ekspozitë përbëhet nga dokumente dhe foto që përcjellin atmosferën e viteve ‘90-‘91. Janë dokumente të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vendime që merrte Gjykata e Lartë ndaj një grupi të rinjsh që organizuan demonstratën e 14 janarit, 1990, në Shkodër, raporte për Ramiz Alinë dhe Adil Çarçanin mbi demonstratën në Kavajë në mars të ‘90-ës, raporte të Hetuesisë së Përgjithshme për ministrin e Brendshëm, Simon Stefani, mbi futjen e personave në ambasada në qershor dhe më 2 korrik të ‘90-ës. Ekspozita mbyllet me një raport për ngjarjet e 20 shkurtit 1991 dhe foto të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës”, tha Demollari.

Në ekspozitën “Lulet e ftohta të shkurtit” shfaqen për herë të parë dokumente që janë deklasifikuar së fundmi, duke u bërë të qasshme për çdo hulumtues apo të interesuar.

Mes materialeve të ekspozuara janë dokumente të vrasjeve në kufi, heqja e emrit të universitetit, kushtet e studentëve, krijimi i partive politike, liria fetare, kriza e ambasadave, takimet e Ramiz Alisë në OKB, takimet me përfaqësues të SHBA-së, vizita e Nënë Terezës etj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për pesë ditë në oborrin rrethues të Muzeut “Shtëpia me Gjethe”, godinë që ka shërbyer si Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret në vitet 1944 – 1991. /atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme