Erzen Shkololli: Nga “Onufri” tek e ardhmja, përgjigjet e mia për një vit në GKA

5 Mars, 2019 - 3:45 pm

Fatmira Nikolli – Çështja “Onufri”, linja muzeale, gjendja e GKA-së, e ardhmja e institucionit dhe e godinës, heshtja 1-vjeçare, debatet që e shoqëruan vitin e parë në detyrë. Erzen Shkololli, drejtor i GKA-së, përgjigjet për gjithë çka ndodhur në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”. “Unë nuk e shoh në aspektin personal. Institucioni vjen me një vizion të ri për zhvillimin e programit. GKA nuk është një institucion që pret letra për të hapur ekspozita, nuk funksionon në asnjë institucion në botë”, thotë Shkololli në një bisedë, ku ka dhënë shpjegim për pyetjet e ngritura në një vit në detyrë. Biseda është zhvilluar në ambientet e rifunksionalizuara të galerisë, ku disa syresh i janë kthyer formës që kishin kur godina u ndërtua, çka përbën një tjetër qasje të Shkolollit.

-Një vit në krye të GKA-së. Si je ndjerë në një vit, pasi ke njohur GKA-në?
Kam njohur galerinë dhe kontekstin ku unë veproj dhe punoj. Vij në Tiranë që prej vitit 2000, por ndërron aspekti i ardhjes si vizitor dhe aspekti i ardhjes këtu për të jetuar e punuar. Pavarësisht se jemi një komb, në dy hapësira e me dy histori të ndryshme, të asaj që kemi përjetuar në një kohë të caktuar, mendoj që në këtë rast është një mënyrë e mirë, edhe për t’u njohur më shumë dhe një privilegj e mundësi për të kontribuar në një institucion si GKA, por edhe për të mësuar më shumë për ne si komb. Mendoj se kjo ka dashur një kohë, në të gjitha linjat, e një kohë në aspektin e marrjes në udhëheqje një institucion për të cilin vjen me idenë për të arritur diçka, mbi bazë të asaj që ke dijeni. Institucioni i GKA-së synon si fillim ta bësh partner të rëndësishëm për institucione të tjera ndërkombëtare simotra. Mendoj se kjo është pikë e rëndësishme për një nisje. Kur një shtet synon integrimin në Europë, nuk mund të ketë një institucion si galeria të shkëputur, prej integrimin të saj në Europë, në aspektin e cilësisë, në atë të mundësisë së një bashkëpunimi ndërkombëtar siç mendoj se nisëm me ekspozitën e Edi Hilës. Ajo ishte ekspozitë që erdhi si bashkëpunim mes GKA-së, Muzeut të Artit Modern në Varshavë dhe koleksionit Kontakt në Vjenë. Kjo si nismë përveç cilësisë së artistit dhe ekspozitës, bëri të mundur që të dëgjohej për Galerinë Kombëtare të Arteve ndërkombëtarisht. Ky trekëndësh përfshiu edhe partnerë të tjerë si Pompidou, apo Muzeu i Artit Bashkëkohor në Kasel, por edhe institucione të tjerë që huazuan veprat për këtë ekspozitë dhe që rrjedhimisht zgjeroi vizibilitetin e GKA-së.

-Ju flisni për një ekspozitë shumë të mirë, Edi Hila është artist shumë i mirë, por, galeria ndër vite ka pasur bashkëpunime të kësaj natyre. Megjithatë, ju thoni se doni ta çoni nivelin e bashkëpunimit të galerisë me galeri e muze të mëdha, me muze të nivelit A. Sa e vështirë do jetë kjo, sepse nuk mjafton dëshira, duhen marrëveshje, duhen kushte ekonomike, sponsor dhe kushtet e godinës, që kjo godinë nuk i ka?
Shumë nga kushtet që përmende duhen, por jo të gjitha janë të domosdoshme. Nuk duhet marrëveshje shtetërore për ekspozita, në rastin e ekspozitës së Edi Hilës e realizuar në bashkëpunim me Muzeun e Varshavës, ka dashur cilësi e koordinim. Sa për kushtet, unë jam prezantuar si drejtor më 23 janar 2018. Prej asaj dite e deri kur u hap ekspozita është punuar intensivisht për kushtet e ndërtesës e përgatitjen që ajo të vinte në GKA. Pse e them? Sepse duhet shpjeguar që Edi Hila është i Shqipërisë, por punët e tij nuk janë të gjitha në Shqipëri. Në atë ekspozitë kanë qenë 75 huazime botërore, veprat të tijat që gjendeshin jashtë vendit, ndaj duheshin ofruar kushte për ti marrë pasi Muze si Pompidu, nuk i sjellin nëse s’ka kushte.

-Si ia doli GKA të krijojë kushtet në 4 muaj? Si i gjeti të ardhurat?
Këto qëndrojnë si pika, por ne si drejtues e menaxhues të një institucioni të tillë, përveç që marrim titullin si drejtues, a bëhemi drejtorë, e marrim edhe me një përgjegjësi për të qenë të vetëdijshëm për buxhetet që kemi. Janë buxhete që i ka edhe ministria për zhvillimin e programeve tona. Le të jemi të qartë, nuk është një befasi që vjen e nuk di asgjë. Nëse nuk e ke ditur me çfarë kushtesh do operosh, është një naivitet. Sigurisht duke pasur përvojën paraprake në Kosovë, detyrë e jona, është edhe ngritja e fondeve, me partnerët dhe me ata që janë artdashës e duan ta ndihmojnë këtë proces. Kemi punuar në këtë drejtim, por edhe kemi hasur në mirëkuptim në partnerë ndërkombëtarë dhe lokalë për ekspozitën e Hilës. Të kuptohemi që GKA nuk ka ndërhyrë në ndonjë investim të jashtëzakonshëm e të kushtueshëm.

-Që do të thotë?
Së pari, kjo ndërtesë është jashtëzakonisht e bukur. Kushdo që e njeh GKA-në siç e njoh unë sot pas një viti, e pranon. Ideja ime është kthimi i identitetit të ndërtesës siç e ka pasur në fillim. Ndaj kemi bërë eliminimin e shtesave të hapësirave, heqjen e mbylljeve të hapësirave, hapjen e hapësirave të reja si kati 2-të. Në çdo ekspozitë kemi provuar të hapim një hapësirë ose ta bëjmë publikun ta shohë me një sy tjetër. Po marr një shembull që është bërë shumë pastrim, ose është bërë ndriçimi i hapësirës sepse ishte 80% jofunksional. Është pastruar prej mbetjeve dhe është bërë sistemim duke arritur të krijojmë hapësira.

-Një vit në GKA, asnjë intervistë. Duket se komunikimi me mediat nuk është pika juaj e fortë. Kontakti ka qenë minimal, asgjë përtej konferencave për ekspozitat. Pse është kjo qasje e juaja ndaj mediave, ndaj daljeve mediatike, për të folur thjesht për punën tuaj?
Në asnjë aspekt negativ. Ditën e prezantimit tim kam thënë që do më duhet kohë për t’u njohur me problematikën e institucionit ku kam ardhur. Ideja është që në praktikën time të punës, kudo që kam punuar, nuk është prioritet të dal të flas për secilën imtësi që është detyrim i imi. Ardhja ime në GKA nuk është ardhje për ndërtim të karrierës individuale. Është ardhje për një mision, për zhvillimin e një institucioni që ka nevojë për cilësi duke qenë se ka potencial si institucion e si shtet për të qenë qendër e rëndësishme e këtij rajoni të Ballkanit. E dyta, e kuptoj që për gazetarët mund të ketë qenë absurde se si nuk del drejtori të flasë për një vit, por them se tani është koha që unë të tregoj se çfarë është bërë. Tani ka çfarë të tregohet, se çfarë u bë për të arritur e ku duam të shkojmë. Mendoj se në shumë pika, tani jemi shumë më mirë se në ardhjen time në institucion. Sigurisht që mbetet shumë për të bërë, në atë që përfaqëson, në marrëdhëniet me publikun, me artdashësin. Viti i dytë i ka sfidat e përparësitë e veta. Qëllimi im kryesor është që drejtuesi që vjen pas meje të mos ketë nevojë të merret me asgjë që jam marrë unë. Do mundohemi të sjellim ekspozita të mira, por duke punuar me problemet që ka institucioni, që kushdo të vijë të mundet të bëjë gjëra e projekte të mëdha e të mos ketë nevojë të merret me detaje e imtësira.

– Nëse në GKA nuk ka një rikonstruksion? Do bëhet kjo ndërhyrje? Ka nisur?
Po punohet, presim finalizimin e projektit. Është në proces për të pasur një galeri të nivelit botëror.
-Do pezullohet puna këtu kur të nisë rikonstruksioni?
Mendoj që kur të nisë, institucioni me 28 punonjës, do ketë plan ku ne bartemi në një ndërtesë të përkohshme, ku vazhdojmë punën. Gjithashtu, koleksioni i GKA-së bartet në një hapësirë, me kushtet për të derisa të restaurohet ndërtesa.

-Por nuk ka një datë kur bëhet kjo?
Projekti është në finalizim. Data kur ndodh kjo varet nga shumë faktorë. Është i kushtueshëm dhe do partnerë të ndryshëm. Për mua është lajm i gëzueshëm që godina do ketë kushte optimale, temperaturat konstante, fondin në kushtet e duhura, bibliotekën, mjete më të mira për restaurim, pikat si kafeteria dhe dyqani me suvenire që janë normale e të zakonshme, në shumë muze.
-Në një vit është operuar pa një kalendar të publikuar ekspozitash. E para, pse ndodhi kjo dhe si do vijoni këtë vit?
Kjo ndodhi, sepse unë erdha në fund të janarit si drejtor. Kur vjen në një institucion që nuk e njeh dhe duhet të krijosh kushte, duhet kohë për të krijuar bindjen dhe për të pasur cilësinë që do të kesh gjatë vitit të parë. Të gjithë emrat e procese duan kohë në koordinimin, bindjen dhe përgatitjen për t’i bërë pjesë të programit. Kjo ka qenë e vetmja arsye. Sigurisht që prapë është një sfidë, sepse kemi të bëjmë me një institucion që është i panjohur ndërkombëtarisht, me një hapësirë që ose nuk e kanë njohur fare ose e njohin pak prej aktiviteteve si Bienalja së Tiranës.

-Galeria sot është ndryshe?
Galeria sot nuk pret të tjerët për të bërë programin e galerisë. Nuk shërben më si hapësirë kur të tjerët vijnë me propozimet e veta. GKA ka programin e vet, e nuk është një hapësirë që për argumentin që nuk ka fonde, e ka hapur veten për të qenë gati-gati hapësirë shërbimi për të tjerë. Mendoj që është institucioni më i lartë shtetëror për artet pamore e është përgjegjësi që të ketë programin e vet me kapacitetin e mundësive që ka e mundësitë që do të sjellë për veten.

-A e kemi një kalendar për 2019-ën? Çfarë do ekspozohet?
Po, kemi kalendar të 2019-ës dhe disa emra për 2020-ën, sepse konfirmohet artisti por duhet të konfirmohet edhe kurarori e partnerë të tjerë. Këtë vit do kemi ekspozitën e koleksionit “Jan Dibbets”, që është pjesë e koleksionit të GKA-së i dhuruar që në vitin 1999 me një angazhim të jashtëzakonshëm të Gëzim Qendros; përmban “Artist’s copies and prints” me artistët më të njohur konceptual. Është shfaq pjesërisht në vitin 2002 dhe më 2010. Është shumë i rëndësishëm dhe hapi i parë i punës për linjën muzeale nis me këtë ekspozitë. Artisti tjetër që do të prezantohet në GKA është Kolë Idromeno, në një retrospektivë me të gjitha interesat e tij për artin: në fotografi, arkitekturë, etj. Bashkëpunim për kalendarin kulturor Kosovë-Shqipëri dhe si një çast që shënjon 20-vjetorin e luftës në Kosovë, GKA do të ekspozojë artistin Sokol Beqiri, që është një prej emrave referentë në artin e Kosovës dhe një artist i rrallë që e trajton luftën dhe konsekuencat e Kosovës si shtet. Kjo është e rëndësishme për të dyja palët. Ai ka marrë pjesë edhe në “Dokumenta 14”, ka qenë në Bienalen e Tiranës dhe në GKA në ekspozita kolektive. Kemi ekspozitë të Adrian Pacit, e para personale në GKA me ekspozimin e punëve ndër vite dhe që është në interesin tonë, të GKA-së për të treguar suksesin e tij ndërkombëtar tashmë në një institucion kombëtar për disa muaj.

-Një çështje delikate është çështja e linjës muzeale. Çfarë po bëni me të? Është ngrit një grup pune?
Ne kemi nisur të punojmë për strukturën. Duhej fillimisht një përgatitje hapësinore për të. Një pjesë e madhe e 5 mijë veprave janë të realizimit socialist. Një pjesë nuk kanë dalë kurrë dhe them se është detyrë e GKA-së të ekspozojë sa më shumë vepra që nuk janë parë nga publiku. Puna për linjën ka filluar; ka nisur me “Jan Dibbets” dhe gjatë viti do të hapet në dy faza, vijon me katin e dytë. Këto dy kate do jenë për linjën.

-Çështja e “Onufrit” ka qenë më e debatuara. Ka pasur debate disa vite më parë që shkaktuan përplasje mes drejtuesit të GKA-së atë kohë që donte ta mbante dhe Ministrisë së Kulturës që donte ta mbyllte. Në 24 dhjetor GKA njofton mbylljen e tij me vendim bordi, përmes një njoftimi për mediat. Në fakt u bë publik më 24 dhjetor, sepse puna për “Onufrin” duhej të kishte nisur që në prill kur hapej thirrja për kurator. Çfarë ndodhi në një vit të drejtimit tuaj dhe si erdhi bordi, ju dhe ministria te vendimi për ta mbyllur “Onufrin”? Dhe pse pa një debat?
Mendoj që “Onufri” ka nisur si një bisedë dhe marrje mendimi që më herët. U mendua shumë dhe u debatua shumë brenda për brenda për argumentet pro dhe kundra. Besoj që deri më tash edhe ju keni marrë deklarata të anëtarëve të bordit, të dy me kontribut e histori të këtij institucioni: si me Edi Mukën edhe me Eleni Laperin. Muka ka qenë nismëtar bashkë me Gëzim Qendron për kthimin e “Onufrit” nga ekspozitë kombëtare në ndërkombëtare. Edhe unë vetë, në vitin 2004 kam qenë një nga kuratorët. Pra, nuk jemi njerëz që morëm një veprim arbitrar pa pasur një njohje me “Onufrin”. Mendoj që “Onufri” pa anashkaluar rëndësinë që ka pasur në vitet 2000 dhe rolin që ka luajtur, si shkëmbim i skenës lokale me atë ndërkombëtare dhe nevojës së madhe për një komunikim. Edhe kur u nis, ka pasur shumë debate. Ka pasur rol të jashtëzakonshëm, por duke kaluar koha u dobësua si ekspozitë. Ka shumë pika që e ndihmuan degradimin, mënyra e organizimit, por edhe formula ku artistët lokalë aplikonin, ndërsa ata që vinin nga jashtë ftoheshin e kjo ishte disbalancë.

-A është zgjidhja mbyllja e “Onufrit”?
Mendoj se diçka që e kryen misionin në më shumë se 20 vjet dhe degradon siç degradoi “Onufri” në vitet e fundit sigurisht që është i nevojshëm si veprim. Duhet të shohim këtë si aspekt pozitiv, për qasjen e re që merr GKA.
-A do zëvendësohet “Onufri” me një konkurs a ekspozitë të ngjashme?
“Onufri” nuk është menduar të mbyllet si “Onufri” e të zëvendësohet me një të ngjashëm. Galeria do ketë ekspozitë tematike ndërkombëtare, që do të ofrojë kuratorë të huaj a vendës që të bëjnë një hulumtim. Ekspozita që kanë të bëjnë me një temë ose me një kontekst ku gjendet ky rajon a ky shtet. Por nuk do të ketë një ekspozitë që zëvendësohet me një çmim tjetër.

-A e ka 2019-a një ekspozitë të tillë?
Po punojmë për të.
-Po punohet për një ekspozitë tjetër, përveç atyre 4 të kalendarit?
Po, po punohet. GKA nuk duhet parë si centralizim i skenës. Sot ka disa galeri. GKA tani ka qasjen që ekspozitat zgjasin më shumë (3 muaj), përgatiten më shumë, përcaktohen më herët. GKA nuk aplikon më si dikur, që çdokush ka ardhur me një letër me 3 rreshta kërkesë për ekspozitë në GKA. Nuk mendoj se kjo është një praktikë që funksionon.
-E kuptoj qasjen tuaj, 4 ekspozita në vit. Por, vendimi për mbylljen e “Onufrit” ka nisur të merret që në prill dhe u bë publik vetëm në dhjetor. Pse? GKA është institucion publik dhe duhej njoftuar media a opinioni publik për një vendim të tillë?
Asnjë vendim nuk merret aty për aty. Debatojmë për secilin mendim e për secilën pikë. Nuk kemi bord formal, por figura që kanë lënë shenjë në historinë e artit në Shqipëri. Dhe marrim bashkërisht një përgjegjësi, si bordi e galeria edhe ministria, të koordinuar për një ekspozitë si “Onufri” në këtë rast.

-A jeni nxitur nga ministria për ta mbyllur “Onufrin”?
Po nuk mundemi ne të nxitemi nga askush, as të kemi presion nga askush për diçka të tillë. GKA është institucion i pavarur. Në varësi të ministrisë sigurisht, por i pavarur e me bord të vetin. Është e padrejtë të mendohet se GKA nuk është e aftë të vendosë për një pikë si “Onufri”.
-Ka pasur emra të njohur që kanë dalë kundër mbylljes dhe kundër mënyrës si u bë publik vendimi. U diskutua disa muaj dhe vendimi përfundimtar u mor kur u bë publik?
Besoj se janë bërë tashmë të qarta arsyet pse u mor vendimi, edhe nga ne edhe nga dy anëtarët e bordit.
-Por Eleni Laperi thoshte se vendimi u mor nga ministria?
Vendimi miratohet me pëlqimin dhe me argumentet prej galerisë bashkë me bordin dhe ministrinë. Vendimi përfundimtar normalisht që merret nga ministria.
-Meqenëse po flasim për raportin mes një drejtuesi dhe një ministrie, ka shpesh një piramidë pushteti. Ju jeni ndjerë nën presion?
Asnjëherë, as në Kosovë, as këtu pasi kam ardhur në këto institucione për shkak të jetëshkrimit dhe eksperiencave të mia. Nuk kam ardhur as për aspektin monetar në këto pozita. Edhe në galerinë e Kosovës, edhe këtu; për mua është një mision dhe një sfidë për të ngritur institucionin në një pikë dhe si kontribut për skenën lokale.

-Kur emri juaj ju përfol për drejtimin e GKA, ju po merreshit me ekspozitën “Dokumenta”. Shumëkush pyeti pse duhej të linit projektet ndërkombëtare për të ardhur në galeri. Çfarë ju bëri të vinit? A ishte njohja juaj me ministren, me kryeministrin apo?
Të jemi logjik e praktik, asnjë njohje e tillë nuk të fut në një sfidë të tillë. Sepse sfidën do e kesh si individ, duke e ditur që institucionet nuk janë aspak të lehta. Është përgjegjësi për t’u futur në një gjë të madhe. Për mua ka qenë një provokim i madh duke pasur parasysh një memorie e një kontakt me institucionin ndër vite, por edhe me institucione të tjera në Shqipëri kur isha drejtor në Kosovë. Ardhja ka qenë përgjegjësi e interes për të njohur skenën, për të ndihmuar institucionin për ta çuar në një stad tjetër. Për mua ka rëndësi që ‘network’-un që kam ta fus në komunikim me Shqipërinë, duke nisur nga angazhimi im në “Dokumenta”. Provokimi im është që njohjet e ‘network’-unta vë në dobi të institucionit. Sigurisht që nuk është një angazhim i cili ka një prapavijë a tendencë të kem një mandat tjetër, apo një pozicion tjetër. S’kam pretendim të ndërtimit të një karriere të një drejtori të përjetshëm. Gjithnjë kam punuar deri kur kam parë që kontributi im është i mjaftueshëm. Kur i kryej ato që kam menduar, për mua kryen misioni.
-Ka një opinion se jeni ju ai që ndihmoni kryeministrin për ekspozitat në Europë…
As nuk e besoj që ka nevojë për ta komentuar, sepse punoj ditë e natë për të zhvilluar institucionin e galerisë. Kaq mund të them. Opinione ka pas nga më të ndryshmet, e do të ketë edhe në vijim. Derisa veprojmë e bëjmë një punë, do ketë.
-Në nëntor një artist i ka dërguar galerisë një letër me plumb në zarf në shenjë proteste për kushtet e politikat e institucionit. Çështja ka shkuar në prokurori, prokuroria pas pak kohësh e ka pushuar si çështje. Si u prit? U kuptua si vepër arti? Cili ishte qëndrimi juaj?
Qëndrimin tonë e kemi bërë publik përmes gazetës tuaj. Mbetet vetëm të përsërisim. Institucioni të gjitha veprimet që ka ndërmarrë, i ka ndërmarrë në bazë të pranimit a marrjes së një plumbi në një institucion shtetëror. Në institucion shtetëror nuk mund ta asgjësojë një akt të tillë, kur vjen këtu. Kemi detyrim ta lajmërojmë. Kemi marrë një zarf nga një qytetar dhe kemi njoftuar organet.
-Duke refuzuar ekspozitat që ju janë kërkuar, A mendoni se keni krijuar armiq artistë gjatë këtij viti, për qasjen që keni pasur ndaj drejtimit të GKA-së? A keni një raport më skenën e artit në Tiranë?
Unë nuk e shoh në aspektin personal. Institucioni vjen me një vizion të ri për zhvillimin e programit. GKA nuk është një institucion që pret letra për të hap ekspozita, nuk funksionon në asnjë institucion në botë. Kjo qasje është në të mirë të artistëve. Sepse në të ardhmen kur GKA të jetë në një stad tjetër do u shërbejë. E secili duhet të jetë i nderuar në GKA, nuk mund të jetë GKA hapësirë që jepet me qira, për ekspozita nga 1 ditë, 1 javë apo dy javë. Nuk mendoj se kam krijuar armiq, unë do mundohem të krijoj cilësi.

Të ngjajshme