Galeria në Finlandë flet shqip, hapet me këngën ‘Oj Hanë’ dhe ekspozohen pikturat e artistes kosovare

18 Shtator, 2020 - 7:43 pm

Xhemile Hysenaj

Një vend i vogël si Kosova ka prodhuar e vazhdon të prodhojë shumë artistë. Artistët tanë tashmë po thyejnë kufijtë me sukseset e tyre, duke u bërë pjesë e galerive të ndryshme ndërkombëtare. Ku përmes artit të tyre shpalosin edhe një pjesë të Kosovës, i shpalosin botës se ky vend i vogël është shumë më shumë se thjesht një copë tokë në mes të Evropës.

Albulena Jashari është ndër këta artistë. Ajo, një artiste që hapat e parë i mori në Kosovë, tashmë është bërë pjesë e ekspozitës grupore të Artit në galerinë ‘Karisma’ në Lahti të Finlandës, njëherit edhe e vetmja pjesëmarrëse kosovare. Albulena ishte ajo që edhe e bëri hapjen e ekspozitës në një mënyrë tejet kreative. Ajo interpretoi këngën e njohur ‘Oj Hanë’, duke i dhënë kështu ekspozitës një frymë kosovare shkruan KultPlus.

https://www.facebook.com/kultpluscom/videos/334287527911705/

Arti i Albulenës fokusohet në dy elemente që janë edhe pjesa më e rëndësishme e jetës së saj, bëhet fjalë për figurën e gruas dhe natyrës.

Portreti i gruas e natyra me ngjyrat e këndshme që ishin realizuar nga brusha e Albulenës, nuk kishin si të mos merrnin edhe vëmendjen e medieve finlandeze, të cilët vlerësuan shumë lart lidhjen e Albulenës me natyrën. Ndër të tjera në mediet finlandeze është përmendur edhe fakti se Albulena kohë më parë ka qenë edhe pjesë e ‘The Voice of Finland’.

Albulena ka përfunduar studimet master në degën e Grafikës në Universitetin e Arteve në Prishtinë, ndërkaq me pikturë është marrë qysh si fëmijë. Ka qenë pjesë e ekspozitave të ndryshme kolektive dhe ka pasur edhe dy ekspozita personale në vitin 2018, njërën në Prishtinë dhe tjetrën në Tiranë.

Pjesëmarrja në galerinë ‘Karisma’ në Finlandë, për Albulenën është përvojë e re. Ajo ka treguar për KultPlus se në pikturat e ekspozuara në galeri ka punuar gjatë periudhës së karantinës në Finlandë. ‘Kam tetë muaj që jetoj në Finlandë, në periudhën e pandemisë kam realizuar gjithsej 12-të piktura. Pas realizimit të këtyre pikturave kontaktova shumë galeri të ndryshme dhe ishte galeria Karisma ajo që e para më dha përgjigje pozitive edhe pse pranimi në këtë galeri nuk ka qenë aspak i lehtë’, tregoi tutje Albulena për KultPlus.

Pikturat e Albulenës frymojnë jetë, të krijojnë një ambient të përshtatshëm dhe të dëshirueshëm për të qenë. Në secilën lëvizje të brushës së saj, vërehet fuqia artistike e saj. Në pyetjen se pse pikërisht elementet që trajton arti i saj është ai i gruas dhe i natyrës, Albulena është përgjigjur se është rritur në mesin e dy grave shumë të forta, ndërsa për natyrën tregon se ka një lidhje të ngushtë me bimët.

”Unë jam rritë me nënën dhe motrën time. Të dyja këto kanë qenë një model shumë inspirues për mua. Të dyja janë punëtore e të pavarura dhe gjithmonë kanë arritur qëllimin e tyre, pastaj kjo gjë sigurisht se ka reflektuar në mua dhe në artin tim’, shprehet Albulena për KultPlus.

Arti gjithmonë shpalos e përcjellë një mesazh. Herë i qaset botës në mënyrë të hapur e herë fshihet disi në skutat e veprës së realizuar, mirëpo ajo çfarë është e sigurt është fakti se gjithmonë përçon mesazhe e shpalos brendësinë e artistit.

‘Mesazhi im është që të ruajmë natyrën, e të përkrahim gruan”, potencon Albulena. / KultPlus.com

Të ngjajshme