Hapet ekspozita “Ikona mrekullibërëse dhe relike të shenjta nga Ballkani” në Korçë

8 Tetor, 2022 - 2:10 pm

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në bashkëpunim me Ambasadën Bullgare në Shqipëri hapën ekspozitën “Ikona mrekullibërëse dhe relike të shenjta nga Ballkani”.

Në çeljen e ekspozitës ishte i pranishëm edhe ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Momtchil Raytchevski, i cili ka shprehur kënaqësinë dhe admirimin e tij mbi muzeun tonë, që herën e parë kur e vizitoi dhe me dëshirë dhe premtimin se do të vijonte në bashkëpunime të mëtejshme artistike dhe kulturore, bëri të mundur sjelljen e kësaj ekspozite kaq të veçantë dhe një studim tepër i vlefshëm nga Instituti Sllavo-Bizanitin, në Sofje, Bullgarisë, për të gjithë gadishullin tonë, Ballkanik.

Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Fjoralba Prifti tha se “ikonat nuk mund të rrinin më mirë se sa në një muze të mbushur me ikona dhe objekte religjioze, mrekullisht të shpëtuara. Ajo, njëkohësisht njoftoi se ky ishte vetëm fillimi i bashkëpunimeve kulturore, të mëtejshme me një vend mik, me kultura dhe tradita të përbashkëta si Bullgaria”.

Ekspozita do të jetë pjesë e ekspozitës muzeale të përhershme për dy javët në vazhdim dhe prezanton ikona mrekullibërëse dhe objekte liturgjike, të cilat i përkasin periudhave të ndryshme historike dhe rajoneve të periudhës Post-Bizantine, Bullgarisë mesjetare, Malit Athos, manastireve Bullgarë dhe Shqipërisë, relike të shenjta nga Ballkani. /atsh/ /KultPlus.com

Të ngjajshme