займ на карту онлайн потребительский кредит

Hapet ekspozita ‘Uniforma blu gjatë pandemisë Covid19’, falenderohet puna e palodhshme e Policisë së Kosovës

8 Shtator, 2020 - 2:02 pm

Puna e tyre është ndër më të vështirat, janë ata të parët të cilët në raste emergjente janë ballë për ballë me luftën me të cilën përballet vendi ynë. Orari i tejzgjatur, ndihma ndaj qytetarëve e rreziku që vjen me punën e tyre, janë vetëm disa nga elementet qe zënë vend në përditshmërinë e Policisë së vendit tonë, shkruan KultPlus.

E për të nderuar punën e palodhshme të Policisë së Kosovës gjatë kësaj periudhe aspak të lehtë edhe për vendin tonë, OJQ ‘CULTURAT’, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, sot në hapësirën e Sheshit ‘Skënderbeu’, shfaqën para publikut ekspozitën ‘Uniforma blu gjatë pandemisë Covid19’.

Ekspozita u hap para një publiku modest, ku të pranishëm ishin disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe organizatorët.

Fjalën hyrëse të kësaj ekspozite e mori nënkoloneli, Basri Shabani, i cili shprehi falenderimin për pjesëmarrësit e organizatorët, duke potencuar se kjo ekspozitë është ndër aktivitetet që shënon 21 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës. Ai ndër të tjera tregoi se krahas këtij aktiviteti hyjnë edhe aktivitete të tjera si dhurimi i gjakut dhe lansimi i aplikacionit ‘Lajmëro policinë’, aktivitete këto që konsiderohen mjaft të rëndësishme për shoqërinë tonë.

“Përmes kësaj ekspozite është munduar që të paraqitet puna e Policisë së Kosovës gjatë kohës së pandemisë e cila ka qenë e angazhuar në orar 12 orësh dhe vazhdon të jetë, për t’i dal në ndihmë qytetarëve dhe për të respektuar vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, theksoj ndër të tjera nënkoloneli Shabani.

Ekspozita përbëhet nga fotografi të Policisë së Kosovës nëpër aktivitete të ndryshme si: shërbimi gjatë periudhës së karantinës në Aereportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe në Qendrën Studentore; gjatë dhurimit të gjakut nga njësitet e specializuara të Policisë së Kosovës bashkë me drejtorin e përgjithshëm, Rashit Qelaj; aplikacioni “Lajmëro policinë” i cili është një projekt që dhuron alternativë më të lehtë te qytetarët për raportime; patrullimi i komunës së Kamenicës nga KFOR-i dhe Policia; projekti “Bashkë kundër dhunës”; patrullime policore nëpër kryeqytet si dhe falenderimet e qytetarëve nëpërmjet punimeve artistike për Policinë e Kosovës.

Organizatorja e kësaj ekspozite, njëkohësisht drejtoresha e OJQ “Culturat”, Mihane Hoxha theksoj për KultPlus se ky aktivitet është realizuar për të pasqyruar mundin dhe sakrificën e Policisë së Kosovës.

“Rëndësia e kesaj ekspozite është që t’ia bëjmë me dije Policisë së Kosovës se ne qytetarët e vlersojmë kontributin, angazhimin e tyre dhe kjo është një shenjë falenderimi”, shprehet organizatorja Hoxha për KultPlus.

Ekspozita pritet të qëndrojë e hapur për publikun deri në fund të kësaj jave. / KultPlus.com

Të ngjajshme