‘I sing the body electric, the armies of those I love’, ekspozita që flet mbi rëndësinë e trupit si koncept abstrakt

6 Tetor, 2023 - 11:42 am

Vjollca Duraku

Me veprat e 20 artistëve të rinj, mbrëmë është hapur ekspozita kolektive “I sing the body electric, the armies of those I love”, në Qendrën Barabar, e cila vjen si thirrje për të reflektuar thellësisht mbi rëndësinë e trupit jo vetëm në kuptimin biologjik, por edhe në aspektin kulturor, shoqëror e politik, shkruan KultPlus.

Ekspozita e kuruar nga Vesa Sahatçiu mblodhi një numër të madh të pjesëmarrësve, duke përfshirë personalitete nga arti, kultura, politika, media si dhe familjarë të artistëve të rinj, të cilët ishin mbledhur për të parë për së afërmi me kureshtje pikturat, dhe duke bashkëbiseduar rreth tyre.

E inspiruar nga një poezi e Walt Whitman, kuratorja Sahatçiu me ekspozitën “I këndoj trupit elektrik, ushtrive të atyre që i dua” tenton të hap diskutime rreth “trupit” të shekullit XXI, në kuptimin abstrakt, si dhe të ndryshojë vetëdijen shoqërore, bazuar në fenomenet që shpërfaqen përmes “trupit”, duke pasur parasysh se trupi “i tanishëm” ka pësuar ndryshueshmëri me atë të shekujve të kaluar.

Hapja e ekspozitës zyrtarisht filloi kur prezantuesja Aulonë Kadriu i ftoi për vëmendje të pranishmit, të cilët ishin shpërndarë rreth e përqark qendrës, kudo ku ishin të vendosura pikturat.

Kadriu, tha se ishte e nderuar që po shënonte hapjen e një ngjarje arti, e cila kishte të bënte me trupin si koncept abstrakt, pasi kultura dhe trupi janë shumë të lidhura dhe konsiderohen si pasojë e njëra-tjetrës.

“Kur pash që në këtë ekspozitë po vendoset trupi në qendër mu kujtuan disa fjalë të filozofes dhe teoricienes Elizabeth Grosz, e cila flet për trupin dhe marrëdhënien e trupit me kulturën. Grosz thotë se trupi duhet të konsiderohet si një vend i mbishkrimeve, i prodhimit ose përmbajtjes shoqërore, politike, kulturore dhe gjeografike. Trupi pra, nuk qëndron në kundërshtim me kulturën. Ai në vetvete është kulturë, është prodhim kulturor. Në thelb, Grosz na flet për trupin si diçka që e përthith kulturën, ashtu që bëhet vet prodhim kulturor”, tha Kadriu duke theksuar se kultura në thelb është po aq e domosdoshme sa vetë trupat tanë.

Fjala më tej iu kalua Barrie Freeman, zëvendës përfaqësueses speciale të sekretarit të përgjithshëm të UNMIK-ut, e cila tha se ndihej e lumtur që gjendej në Qendrën Barabar, Qendër kjo që sipas saj tenton të bashkojë njerëz me të shkuara të ndryshme.

“Është vërtet nder për mua që të jem pjesë e hapjes së kësaj ekspozite këtu në Barabar Center. Një koncept unik që është dizajnuar si një hapësirë fizike, ku njerëzit e etnive të ndryshme dhe komunitete të ndryshme mund ta takohen, të diskutojnë e debatojnë për temat që i shqetësojnë. Synimi i Barabar Center është që t’i bëjë njerëzit bashkë nëpërmjet çështjeve që më shumë bashkojnë se sa ndajnë, për të servuar një ambient më të mirë për njerëzit me të shkuara të ndryshme”, ka thënë Freeman.

Ndërsa vetë kuratorja e ekspozitës, Vesa Sahatçiu, tha se si pikënisje e konceptit të ekspozitës ishte poezia e poetit Walt Whitman “I këndoj trupit elektrik, ushtrive të atyre që i dua”, e cila trajton trupin jo vetëm nga konteksti biologjik por edhe në kontekste të tjera.

“E dimë se kuptimi i trupit të njeriut në këtë shekull dallon konsiderueshëm me atë të shekujve të kaluar. Pa dashur të hyjmë në diskutime tejet abstrakte, mund të themi se trupat e shekullit XXI, janë të mbështjellë me një sërë identitetesh kulturore, seksuale, etnike e gjinore si kurrë më parë, e të cilat identitete hapin tema për tu diskutuar rreth njeriut vet, dhe krijojnë shansin dhe mundësinë që ta rimendojmë veten tonë dhe botën përreth nesh. Tutje duke e marrë parasysh se ekspozita ngërthen në vete artistë nga komuniteti shqiptarë dhe ai serb, poezia e Whitman më ngjasoi me një thirrje pozitive dhe shpresëdhënëse për ta festuar njëri-tjetrin ashtu siç jemi, të mbështjellë në identitetet tona etnike, seksuale e gjinore”, ka thënë kuratorja e ekspozitës.

Kuratorja Sahatçiu, u shpreh më tej se artistët kishin shtjelluar trupin në forma dhe kënde të ndryshme të temave, që në thelb kjo lloj-llojshmëri temash është bërë pikëtakim i veprave të tyre, e të cilat trajtojnë “trupin” si koncept shumëdimensional.

“Whitman e shkroi, “I këndoj trupit elektrik…” në një periudhë të vështirë për shoqërinë amerikane, kur trupat elektrik si të thuash ishin të lodhur nga shtypja racore. E, pikërisht ishin këto ngjarje që e nxitën Whitman t’i këndoj trupit të njeriut dhe ta festoj atë. Dhe është kjo gjuhë optimiste dhe subversive njëkohësisht siç është rreshti “ushtritë e atyre që i dua” që e frymëzuan temën e kësaj ekspozite.  Grupi i artistëve të cilët i prezantuam sonte shtjellojnë trupin, njëri-tjetrin, shoqërinë, dashurinë, trupat e qenieve dhe specieve të tjera, drama ditore, tundime personale në forma të ndryshme, dhe janë pikërisht këto tema që janë pikëtakimi i të gjitha këtyre veprave”, përfundoi kuratorja Vesa Sahatçiu.

Ekspozita do të qëndroj e hapur deri më 31 tetor, dhe vizitorët do të kenë mundësinë edhe t’i blejnë pikturat e ekspozuara. / KultPlus.com

Të ngjajshme